Lufta e parë Ballkanike 8 tetor 1912
R.SH. - Vatikan
Më 8 tetor 1912, në trojet ballkanike fillonte një nga luftërat e shumta, që mbeti në histori me emrin “Lufta e parë Ballkanike”. Ndesheshin: Lidhja ballkanike e përbërë nga Bullgaria, Greqia, Mali i Zi e Serbia, që duke lënë mënjanë sherret ndërmjet tyre, kishin vendosur ta varrosnin të sëmurin e Bosforit –Perandorinë Osmane. Pra synimi ishte përzënia e Perandorisë Osmane nga Shtetet e Ballkanit.
Luftimet nisën më 8 tetor të vitit 1912 në kohën kur Mali i Zi shpalli luftën dhe trupat e saj shkelën kufirin shqiptar. Ditën tjetër forcat malazeze sulmuan pozicionet otomane në malin e Planiçës, i cili ngrihej mbi qytetin e Shkodrës.
Pasi forcat malazeze depërtuan matanë mbrojtjes inekzistente turke në Shqipërinë Veriore, Vendet tjera të Aleancës Ballkanike pritën edhe një javë e pastaj u hodhën në mësymje masive në pjesë të ndryshme të territoreve osmane.
Ndërsa në Shqipëri vlonte kryengritja për liri e pavarësi po nga Perandoria Osmane, palët aleate i dërguan ultimatum qeverisë turke, duke kërkuar zbatimin e reformave në Maqedoni. Qeveria turke, që iu përgjigj me luftë, në pak ditë do të pësonte një disfatë, e cila habiti e tronditi Evropën.
Menjëherë pas disfatës, ushtria serbe marshoi drejt Shqipërisë, në sa përgatiteshin prapaskenat më ogurzeza të historisë së kombit shqiptar, për t’i ndarë trojet shqiptare ndërmjet Serbisë e Greqisë. E kjo tragjedi nuk do të përfundonte bashkë me këtë luftë! Madje do të fillonte. Me nënshkrimin e Traktatit të Londrës, në përfundim të konfliktit, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova, mjaft toka shqiptare në Maqedoni dhe Çamëria, që mbetën burim për konflikte të reja ballkanike.