Kërko

Manifesti i Ditës së Tokës 2020 Manifesti i Ditës së Tokës 2020 

Earth Day 2020: shpresë për botën, për të mirën e gjithë njerëzimit

Më 22 prill, Dita e 50-të Botërore e Tokës kremtohet me shpresë dhe impenjim për daljen nga kriza e shkaktuar prej pandemisë së koronavirusit, duke imagjinuar stile të reja jetese. Është njëkohësisht, 5-vjetori i enciklikës së Papës Françesku, “Laudato si”. Në Maratonën multimediale në favor të Tokës do të marrë pjesë edhe Vatican Media.

R.SH. - Vatikan

Do t’i kushtohet Papës Françesku, në 5-vjetorin e enciklikës “Laudato si’”, Dita e 50-të Botërore e Tokës, që do t’i nisë kremtimet në Itali. “Jemi të nderuar nga impenjimi” i Papës, i cili përpiqet “t’i bashkojë njerëzit për të kuptuar rëndësinë e Tokës në këtë çast”, deklaron themeluesi i Earth Day, Danis Hayes dhe kryetarja e lëvizjes “Earth Day Network” (Rrjeti i Ditës së Tokës), Kathleen Rogers. “Enciklika e tij ‘Laudato si’’ nënvizon marrëdhëniet e fuqishme, që ka secili prej nesh me planetin tonë unik”.

Përvjetor shprese, përtej pandemisë

Organizuar për herë të parë, më 22 prill 1970, nga lëvizja ambientaliste Earth Day Network, Dita që i kushtohet Tokës Mëmë – njohur nga OKB-ja më 2009 – bashkon sot 75 mijë partnerë nga 193 vende, që impenjohen për promovimin e çdo niveli të demokracisë ambientale. Përvjetor ky, që kremtohet, ndërsa pandemia e Covid-19 ka përfshirë botën, duke shkaktuar mijëra viktima, qindra mijëra të sëmurë në çdo anë e duke vënë në rrezik miliarda njerëz të çdo moshe e niveli shoqëror, të cilët janë detyruar të respektojnë masa të jashtëzakonshme izolimi e distancimi shoqëror.

Maratonë botërore multimediale: një popull, një planet

 Pikërisht për këtë arsye, është marrë vendimi që, gjatë Ditës së Tokës 2020, të organzohet një “Maratonë botërore multimediale”, me titull #OnePeopleOnePlanet (Një popull, një planet), që, për shembull, në Itali, do të transmetohet në kanalin streaming RaiPlay, por do të përfshijë 193 vendet anëtare të OKB-së. Nga ora 8 deri në orën 20, 12 orë emision të drejtpërdrejtë, me dëshmi, shfaqje artistike, reflektime ekspertësh, në lidhje me programe të ndryshme radiotelevizive të shërbimit publik, si edhe me Mediat e Vatikanit (Vatican Media), me televizionin kishtar italian Tv2000 dhe me televizione të tjera private. Në maratonë do të marrin pjesë eksponentë të gazetarisë, të botës së spektaklit, sportit dhe shkencës. Nuk do të mungojnë “udhëtimet” në shumë zona e qendra kërkimore të botës, për të folur mbi shëndetin e planetit e mbi pikëpyetjet shqetësuese për të ardhmen e tij.

Përmbajtja e maratonës

 Ata, që do të lidhen me aplikacionin falas Rai Play, përmes celularit ose kompjuterit, do të mund të shohin video interesante, siç janë: hapja e Pallatit Leoni XIII në Kopshtet e Vatikanit dhe audienca e Papës Françesku; “Popuj rojtarë të Tokës” – takim me popullsitë indigjene të planetit; Hackathon evropian(takim ekspertësh të sektorëve të ndryshëm të informatikës) mbi lëvizjen urbane; reflektimi “Të ndryshojmë ekonominë: nëse jo tani, kur?”; “Duke pritur Tokion – Kampionët Olimpikë e Paralimpikë festojnë planetin” e shumë e shumë emisione të tjera interesante, me lidhje nga Antarktika, nga Houston e nga qendra kërkimore të rëndësishme. E pastaj, edhe karaoke për Tokën, përralla të treguara me art nga aktorë të ndryshëm, intervista me kampionë të muzikës e të spektaklit.

Rritet ndërgjegjja ambientaliste

Ka kaluar më se gjysëm shekulli nga vitet ’60, të cilat, në vazhdën e protestave rinore në universitetet amerikane, sollën reflektime mbi çështjet ambientale. Më pas, katastrofa e shkaktuar nga derdhja e naftës prej pusit të Union Oil në detin e Santa Barbarës në Kaliforni, ndërmjet janarit e shkurtit 1969, bëri të bashkoheshin forcat kundër degradimit të ambientit: 20 milion qytetarë të SHBA-ve manifestuan kundër masakrimit të natyrës, duke i dhënë jetë Ditës së parë kushtuar Tokës. Që atëherë, është bërë një udhë e gjatë për ndërgjegjësimin e popujve mbi çështjet ambientale, sidomos pas ndryshimeve të klimës.

Komenti i kryetarit të Earth Day Italy

Pandemia e koronavirusit i ka ndryshuar edhe programet e Ditës së Tokës 2020, që kremtohet nesër. Fokolarinët përgatisin prej vitesh të ashtuquajturin “Fshati i Tokës”, i cili, natyrisht, nuk mund të organizohet. Por koronavirusi i ka detyruar njerëzit edhe të reflektojnë mbi mënyrën e përdorimit të gjithësisë së krijuar nga Zoti, e cila, kur nuk respektohet, mund të reagojë në mënyra të papritura. Të dëgjojmë komentin e kryetarit të Earth Day Italy, Pierluigi Sassi, espert i ekonomisë shoqërore:

Sigurisht, ky virus nuk erdhi thjesht për të bërë dëme: na detyroi ta ndalojmë këtë garë drejt asgjësë, e cila, ndoshta, po na bënte të mos i merrnim parasysh shumë vlera. Tani e çmojmë sërish vlerën e njeriut e të marrëdhënieve, nga të cilat, për disa aspekte, sot, jemi krejtësisht të privuar. Besoj se centraliteti i njeriut, centraliteti i marrëdhënieve, bukuria e natyrës, janë faktorë vendimtarë për realizimin tonë të plotë, për një realizim të gjithanshëm të njeriut. Nuk duhet të mendojmë se, pas daljes nga kjo dramë - shumë njerëz po humbasin jetën dhe shumë po e vënë atë në rrezik - objektivi do të jetë të kthehemi mbrapsht, sa më shpejt të jetë e mundur, tek modelet e vjetra, por duhet të jetë ai i krijimit të modeleve të reja, që duhet të vendosin në qendër njeriun dhe lumturinë e tij. Nuk mungojnë as disiplinat shkencore e as praktikat e mira, që mund të na shërbejnë si pika referimi. Ne, me Maratonën tonë, me angazhimin tonë të madh në media, do të përpiqemi ta nxjerrim në pah këtë mesazh shprese. Ekzistojnë modele të shëndetshme ekonomike, të cilat, tashmë, kanë dëshmuar se funksionojnë. Ato shkojnë përtej konceptit të konkurrencës e të spekulimit të skajshëm, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi, në kërkim të së mirës së përbashkët.

21 prill 2020, 16:21