At Aldo Skoda-Pashkja: persekutimi i të krishterëve nga komunizmi dhe bashkëjetesa si vlerë kombëtare
R.SH. - Vatikan
Kujtojmë sot 6 shkurtin e vitit të kobshëm 1967, kur diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha mbajti fjalimin ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, me të cilin filloi luftën kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, që shkaktoi persekutimin e tmerrshëm kundër klerit dhe komuniteteve fetare, e më vonë solli deri te shpallja, me ligj, e Shqipërisë si vend i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore.
Nga diktatura e ideologjisë komuniste, u persekutua kleri në përgjithësi e ai katolik në veçanti, u shkatërruan Tempuj e Hyjit, u ndalua liria e besimit fetar, liria e shprehjes, liritë themelore të njeriut, dhe së bashku me këtë u shkatërruan edhe vlerat e vërteta të traditës shqiptare, e kështu u vendosen themelet e një ferri të vërtetë.
Nga fjalimi famëkeq i diktatorit komunist, mbajtur më 6 shkurt 1967, nisi etapa më tragjike e një populli të tërë, atij shqiptar, nisi Kalvari, deri në kryqëzim e, me ndihmën e Zotit, deri në Ringjallje. Siç tregoi e dëshmoi më vonë historia, komunizmi ateist edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, të ushqyer me ideale çnjerëzore, me mungesën e respektin për personin, me mungesën e respektin për liritë e tjetrit, futi një frymë që nuk ishte as fryma, as tradita kombëtare shqiptare dhe as tradita e humanizmit evropian.
Në realitet, diktatori e komunizmi nuk e duronin dijen dhe besimin e njerëzve në Zotin, madje kishin një frikë të tmerrshme nga inteligjenca dhe forca shpirtërore e njerëzve e posaçërisht të atyre personaliteteve që ishin më të ngritur, më largpamës, më guximtar e më atdhedashës se ata. Udha dhe mënyra e vetme për t’u liruar nga këta njerëz të ngritur, të ditur, të urtë, atdhetarë të vërtetë, që përhapnin dritën e përparimit vëllazëror tek populli besimtar, ishte persekutimi, dhuna, internimet e deri edhe zhdukje fizike, vdekja me pushkatim a martirizim.
6 shkurti i vitit 1967, na kujton, pra, ditën kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai e filloi luftën kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, që solli më vonë deri te shpallja me ligj e Shqipërisë si vend i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore. Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak — siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë, pasojat e të cilit ndihen ende sot.
Edhe pse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945, sidomos persekutimi i Kishës Katolike e udhëheqësve të saj ka qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi. Numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej tyre klerikë katolikë shqiptarë, por edhe të dy komuniteteve tjera fetare islame e dhe ortodokse, dhe i atyre që u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nëpër burgjet e kampet komuniste të regjimit hoxhist, u rrit tej mase nga viti 1945-1960. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi – katolikë, myslimanë e ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.
Pas fjalimit të 6 shkurtit 1967, më 19 shkurt 1967 u ndalua kremtimi i Meshës Shenjte i orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin te Arra e Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit komunist, u mbyll edhe Argjipeshkvia katolike.
Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë Tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të Pashkëve të vitit 1967 qeveria komuniste e Tiranës i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike shqiptare Kryqin e Krishtit.
Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në Ningjallje, në të tretën ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si At Pjetër Meshkalla, jezuit e intelektual shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën komuniste, anti-shqiptare, anti-demokratike, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.
Kisha katolike i përkujton bijtë e saj të martirizuar më 4 nëntor të çdo viti, në përkujtim të 4 nëntorit 1990, kur Zoti u rikthye në Varrezën e Rrëmajit, rrënimi i së cilës kishte nisur pikërisht me sinjalin e 6 shkurtit e me ‘nismën’ e rinisë shkodrane. E madje, po në muajin nëntor, 49 vjet më vonë, e pikërisht 5 nëntor 2016, në Kishën Katedrale të Shkodrës, simbol i katolikëve shqiptarë, Kisha katolike, në personin e përfaqesuesit të Papës Françesku, shpalli Lumnimin e 38 martirëve të kohës së regjimit komunist, duke i lartuar në nderimet e Altarit, duke dhënë kështu përgjigjën më të saktë e më të shenjtë ndaj ideologjisë shkatërrimtare të komunizmit ateist.
Me rregulltarin skalabrinian shqiptar, At Aldo Skoda-Pashkja, profesor i teologjisë pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ në Romë, po e kujtojmë sot përvjetorin e fjalimit të 6 shkurtit 1967, që hapi shtegun e periudhës së kobshme që përjetoi populli shqiptar: