Kërko

Beata Maria di Guadalupe Beata Maria di Guadalupe

Më 12 dhjetor Kisha kremton festën e Zojës së Guadalupes

Kremtojnë sot Zojën e Gudalupes. Është festa e Marisë, që u duk në Meksiko, në vitin 1531. Sot i lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën. Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”.

R.SH. - Vatikan

Më 12 dhjetor,kalendari kishtar kujton festën e Zojës së Bekuar të Guadalupës. Kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh  në gjuhën azteke,  do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).

Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan. Mbi kodrën, ku u duk Zoja, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një Kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua Bazilika e sotme e Zojës së  Guadalupes. Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figurës, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur.

Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore qiellore dhe Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike dhe Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Shën Gjon Pali II më 31 korrik 2002. Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.

Festa e Zojës së Guadalupes kremtohet më 12 dhjetor, e Ajo kremtohet si “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, si Ylli i ungjillëzimit të ri. Zoja i ndihmon njerëzit e këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale, për të realizuar jetën  dhe besojnë plotësisht se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj festa e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë. Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.

Në heshtje, me fjalët e një himni liturgjik të mrekullueshëm, t’i kthejmë sytë kah Maria Virgjër e t’i themi:

S’due tjetër, veç me të pa,

Mari!

Me sy të hapun kah ti,

si botë e mbyllun në vetvete...

Mjafton Ty me të kundrue

e me zbrazë heshtas

në zemrën tande,

zemrën e mbushun plot.

E Ti flladin e ballit

aspak mos e trazo.

Vetëm përkunde lehtë

vetminë time të dhunueme,

varun mes jetës e vdekjes...

Në sytë e tu,

o Nanë e dashunueme,

shoh një copë jete

shtangun në kujtesë;

e orët, shoh, që nxitojnë,

e njerëzit që i kafshon

lëtyra e jetës e e vdekjes...

Mjafton me të pa, o Nanë,

me t’kundrue veç një çast

me zemër në zemrën tande,

Në pastrinë tande

të bardhë porsi zambaku,

e me pa Dritën

që rri pezull mbi ne!

  (Himn i lashtë liturgjik, përkthyer lirisht)

12 dhjetor 2023, 11:11