Kërko

San Juan Diego Cuahtlatoatzin San Juan Diego Cuahtlatoatzin

Më 9 dhjetor kalendari kujton Shën Huan Diegon

Mё 9 dhjetor, Kisha përkujton vitin 1531, kur Virgjëra Mari iu duk papritmas fshtarit të varfër, Huan Diegos, një nga vendasit e parë të kthyer në kristianizëm, për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e tij e la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.

R. SH. - Vatikan

Mё 9 dhjetor, Kisha përkujton pikërisht vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari iu duk papritmas fshtarit të varfër të fisit Çiçimek, Huan Diegos. Përkujtimi i tij na çon simbolikisht në shenjtëroren më të madhe mariane të botës, që lartohet mbi kodrën e Tepeyakut, mes malesh e vullkanesh, me lartësi që i kalojnë të pesë mijë metrat, pranë Qytetit të Meksikos. Është Shenjtërorja e Zojës së Guadalupes, e cila pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë pikë e sigurtë referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen:

"Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë! 

Mё 9 dhjetor, Kisha përkujton pikërisht vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari iu duk papritmas fshtarit të varfër të fisit Çiçimek, Huan Diegos, një nga vendasit e parë të kthyer në kristianizëm, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e tij e la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë. Iu duk pesë herë me radhë, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531.

Huan Diego u shpall i Lum në vitin 1990. U kanonizua nga Papa Gjon Pali II më 31 korrik 2002, gjatë vizitës së tij të pestë baritore në Meksikë. Shenjti i parë meksikan, që Kisha e kujton më 9 dhjetor, njihet si ambasador i Zojës së Guadalupes në botë. 

Zoja e Guadalupes (spanjisht: Nuestra Señora de Guadalupe apo Virgen de Guadalupe) është një figure e shekullit 16-të, që paraqet dukjen e Virgjërës Mari në Meksikë. Është figurja më e dashur, me vlera fetare dhe kulturore në Meksikë. Njihet edhe me emrin "La Virgen Morena", që do të thotë Zoja Zeshkane. Kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur Zoja Bekuar iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh  në gjuhën azteke,  do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).

Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan. Mbi kodrën, ku u duk Zoja Bekuar, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua bazilika e sotme e Zojës së  Guadalupes.

Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figures, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur. Dukja e Zojës së Guadalupes Huan Diegos, nderohet nga katolikët si Pajtore Qiellore dhe Mbretëreshë e Kontinentit amerikan.

09 dhjetor 2023, 09:29