Kërko

Gazetarët në paraqitjen e  Çmimit Atë Jacques Hamel" Gazetarët në paraqitjen e Çmimit Atë Jacques Hamel" 

Çmimi At Jaques Hamel, ndërkombëtar

“Kërkoni paqen me çdo kusht” - kështu u shpreh Roselyne Hamel, motra e dëshmorit, me rastin e paraqitjes të edicionit të parë ndërkombëtar të çmimit gazetaresk me emrin e priftit të vrarë gjatë një sulmi në kishë, në vitin 2016.

R. SH. - Vatikan

Në edicionin e tij të gjashtë, çmimi i gazetarisë Atë Jaques Hamel bëhet ndërkombëtar, për gazetarë nga e gjithë bota. Kush dëshiron të marrë pjesë, ka kohë deri në mesnatën e 7 dhjetorit, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të jetë në fund të janarit, në Lourdes, në kuadër të takimeve ndërkombëtare të Shën Françeskut të Sales.

Kohë për trazira

Tema e edicionit 2024 të çmimit Atë Jaques Hamel i kushtohet vështirësive të kohës së sotme, jo vetëm në nivel gjeopolitik, por edhe në rrethanat e Kishës. Sfidë për mediat katolike në mbarë botën, që t’i kujtojnë mbarë njerëzimit se paqja mund të arrihet gjithmonë përmes dialogut dhe takimit. Mesazh, ky, që u përsërit me forcë nga Roselyne Hamel, motra e priftit të vrarë në vitin 2016 ndërsa po kremtonte Meshën në kishën e tij të Saint-Etienne-du-Rouvray, pranë Rouen, në Normandi.

Paqe me çdo kusht

Atyre që e pyesin Roselyne Hamelin se çfarë mesazhi i la vëllai i saj botës në këto kohë kaq plot dhimbje dhe vuajtje, ajo u përgjigjet pa ngurrim: “Vëllai im do të thoshte me çdo kusht, me përvujtëri e sinqeritet: “Kërkojeni një mënyrë për të ndërmarrë rrugën e paqes, pavarësisht nga vështirësitë”. Këtë bëri, në fund të fundit, ai që nuk deshi as nuk mundi të urrejë, e aq më pak të hakmerret kundër vrasësve”. Kështu shprehet motra e martirit vetëm një vit pas ngjarjeve dramatike, që i dëshmoi nga një distancë e shkurtër, kur arriti të takojë nënën e njërit prej vrasësve. “Nuk shkova ta kërkoja për të dëgjuar kërkesën e saj për falje - kujtoi ajo në konferencën për shtyp – por për të ndarë dhimbjen time me dhimbjen e nënës së një të riu, që kishte vrarë një prift”.

Në audiencë tek Papa

Për herë të tretë në shtatë vjet, Roselyne takohet me Papën Françesku. Si dhuratë, sjell me vete një nga predikimet e fundit të shkruara nga Atë Jaques Hamel kushtuar Pashkëve, si dhe një letër me vargje të një melodie, që ajo e këndonte shpesh me të vëllain, kur ishte fëmijë:

"Ja ku vjen fluturim pëllumbi

me degëz ulliri në sqep:

zemrave tona dhe botës

paqen e dëshiruar i jep”.

I vrarë nga urrejtja për fenë

Brutaliteti i vrasjes së Atë Hamelit, i detyruar nga terroristët të gjunjëzohej para altarit dhe më pas t'i prisnin fytin, ndërsa po kremtonte Eukaristinë, e shtyu Papën Françesku të jepte një lejë të veçantë për të shpejtuar procesin kanonik të lumnimit, faza dioqezane e të cilit përfundoi kohët e fundit. Në fund të konferencës për shtyp për dorëzimin e çmimit, Roselyne Hamel premtoi se do t’i kërkonte të vëllait, i cili jeton një jetë tjetër, lutje, që Papa Françesku të kthehet së shpejti në shëndet të mirë.

06 dhjetor 2023, 14:00