Kërko

Me 6 dhjetor kalendar kujton Shën Nikollin, ipeshkëv

Sipas gojëdhënave, Shën Nikolli kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët natën e festës së Shenjtit.

R.SH. - Vatikan

Fama e Shën Nikollit ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat dhe veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pŕtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie.

Shën Nikolli vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.

Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kripten e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në elter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.

Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij.

E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin.

Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Prizrenit në Kosovë, që e ka edhe pajtor qiellor.

Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të tria plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra. Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve, i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.


Lutja e moçme e Shën Kollit

Sa hyqmet e mrekulli

që ka ba Shejti Shën Kollë,

difton qiella me lumni

tanë dylnjaja s’pranë tue folë.

Barkaxhia tue vozitë,

derdimendi që lypë bukë,

kangë e lavd s’rrinë pa qitë,

si shtektari që ban rrugë.

Si zenjin, si fukara,

në pastë marrë ndoj e ligë e randë,

fill te i Lumi pa ia da

në uj t’Shën Nkollit gjen derman.

Qysh se leu ky fmi n’dylnja

kje si ylli që shkëlqen,

që po i duken punt e mdha,

gjindja mbushen me gazmend.

Ai kje i pastër si biluri,

i dha korpit t’madh ezgjet:

as n’e prende as n’e merkur

gji nuk merrte prej nans vet.

Tue u rritë me shumë urti

shpejt e njiten prindja n’shkollë

e nji t’madhe mrekulli

hin me e ba Shejti Shën Kollë.

Kur prej shkolls kthente n’shpi,

hasë një gru që ish tue dekë

e ky djalë plot me dashni

tue i ba kryq e shndosh me vrep.

Adeodati djalë dishirit

kje grabitë e çu n’gurbet

e i Shën Nkolli prej misirit

për hava e çon n’shpi t’vet.

Tri kuleta tuj i dërgue

për tri vajza t’mbetun shkretë

prej dritaret shkon me ia lshue,

erz e shpirtin n’selamet.

Tre fmi t’mbytun prej katilit,

shti në shekë copë e grim,

shohin prap dritën e diellit,

i ngjallë Shën Kolli me i bekim.

Fushë e male, tokë e det,

ajër zjerm e diell e hanë,

sa Shën Kolli s’kenka i nxeht;

për gjithkend diftojn taman.

Dridhet ferri prej idhnimit

kur Shën Kolli del n’mejdan.

ik armiku prej trishtimit

kur i kshteni thotë “Aman”.

Për nji t’madhe porosi,

o Shën Koll, nji t’madhe nder:

na e ban t’gjithve si dhunti

n’doren tande t’jem përherë.

T’bijt e Zojs t’kongregacionit,

me gjithë zemër tuj u dasht,

t’i mbajm veprat e devocionit,

turp e marre, fjalë pa drashtë.

Ban që shpirtit t’i bajm rrëfimin,

me ndigjesë e përvujtllek,

shpesh tuj e marrun na kungimin,

sikur t’gjithve na përket.

E n’at ditë që t’jet shenue

prej kso jete na me u hjek,

n’dorën tande kjoshim lshue,

ku gjithmonë na kjeme pshtetë.

O i Shën Kollë plot me dashni

Shpirtnat tonë ti na i kujto.

Prap po t’bajm ket porosi:

ti n’at jetë t’gjith na shëlbo.

Ashtu kjoftë.

 

Kanga e Shën Nëkollit.

Sa punë të mëdhaja e mrekulli
Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,
Difton qiella me lumni
E gjithë bota s’pranë tue folë.
Lundërtari tue vozitë
e skamnori që lypë bukë,
kangë e lavde s’rrinë pa qitë;
Si shtegtari që ban rrugë.
Si i pasë, si ai që s’ka,
N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,
Fill te i lumi pa ia dá
N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.
Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,
Kje si hylli që shkelxen,
Kje si drita tanë mirsí
Gjindja u mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si bilur,
I dha trupit të madh shtërngim
E n’e prende e n’e merkurr
gji nuk merr, ban agjinim.
Tue u rritë me shumë urtí,
Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;
E nji të madhe mrekullí
Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.
Kur prej shkollës po kthente n’ shpí
Hasë nji grue që ish’ tue dekë
E ky djalë plot me dashtëní
tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.
Adeodati, djalë dishiri,
Kje grabitë e çue në mergim
E i Shën Nëkolli prej Misiri
Për ajrí e çon në lirim.
Tri kuleta janë dërgue
Ndër tri vajza mbetun shkret,
Prej dritorjet shkon me i çue,
E ato me nderë i qet.
Tre fmí të mbytun prej mizorit,
Shtî n’ nji sheke copë e grimë,
I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit
I Shën Nëkolli me ‘i bekim.
Fushë e male, tokë e dét,
Uj e zjarm e diell e hanë,
Sa fuqí mbi dekë e jetë
Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.
Dridhet ferri prej idhnimit,
Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,
Hikë shejtani pre tmerimit
Kur i k’shteni ndihmë kërkon.
Por nji të madhe porosí
O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë
Na fal t’ gjithve si dhantí
Ndore tande t’ jemë përherë.
E n’at ditë që të jetë shenjue
Prej kso jete na me u hjekë,
Ndore tande kjoshim lshue
Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.
O i Shën Nëkollë plot me dashtní,
Shpirtënt tonë ti na i kujtň,
Prap po të bâjmë ket porosi:
ti n’at’ jetë të gjith na pshtň!
Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’

(Botue nën kujdesin e Ipeshkvisë së Pultit, Pult 1995)

 

 

06 dhjetor 2023, 10:01