Nobeli për Letërsinë, Jon Fosse: një libër mund të shpëtojë jetë
R.SH. – Vatikan
“Gjithmonë e kam ditur se të shkruash libra mund të shpëtojë jetë, ndoshta, kjo e ka shpëtuar edhe timen. E, sikur shkrimi im të ndihmonte në shpëtimin e jetëve të të tjerëve, asgjë nuk do të më bënte më të lumtur”: kështu pohoi dje, më 7 dhjetor, gjatë fjalimit të tij zyrtar në selinë e Akademisë Mbretërore Suedeze në Stokholm, shkrimtari norvegjez Jon Fosse, fitimtar i Çmimit Nobel për Letërsinë 2023. Pikërisht në këtë Akademi, të dielën e ardhshme, do të mbahet ceremonia e dorëzimit të çmimeve në prani të mbretit Karli XVI Gustav i Suedisë.
Shkrimtari, i cili në veprat e tij trajton edhe temën e vetëvrasjes, nënvizoi se ishte shumë i prekur nga dëshmitë e disa lexuesve, të cilët i thanë se shkrimet e tij “thjesht, u shpëtuan jetën”. Jon Fosse, që u kthye në katolicizëm rreth dhjetë vite më parë, pas një jete si ateist dhe marksist, e mbylli fjalimin duke falënderuar Zotin.
Urimet e Papës
Më 18 tetor, Papa Françesku i dërgoi një mesazh të shkurtër urimi, publikuar në faqen e internetit të Kishës Katolike Norvegjeze:
"Po ju shkruaj që t'ju uroj për dhënien e Çmimit Nobel në Letërsi 2023 dhe për të shprehur vlerësimin për faktin se dëshmia juaj e fesë dhe zëri juaj i impenjuar në letërsi do të arrijnë tani tek publiku i gjerë. Veçanërisht, kam besim se aftësia juaj për të evokuar hirin, paqen dhe dashurinë e Zotit të Gjithëpushtetshëm në botën tonë, kaq shpesh të zhytur në terr, do ta pasurojë me siguri jetën e atyre, që ndajnë me ju shtegtimin e fesë. Duke ju siguruar se ju kujtoj në lutje, i kërkoj me dëshirë Zotit begatinë e bekimeve hyjnore për ju".
Jon Fosse, i cili nuk e priste përshëndetjen e Papës Françesku, mbeti i mahnitur, i lumtur dhe i prekur kur mori mesazhin, siç mund të lexohet në faqen e internetit të Kishës Katolike Norvegjeze.
Kush është Jon Fosse
I lindur në vitin 1959 në Strandebarm, një qytet i vogël në Norvegji, Jon Fosse ka shkruar romane, drama, poezi, ese dhe libra për fëmijë. Motivimi për çmimin Nobel nënvizon aftësinë e tij për t'i dhënë zë gjithçkaje, që "nuk mund të shprehet lehtë me fjalë" përmes "një proze inovative". Ndër veprat e tij, përkthyer në mbi dyzet gjuhë, mund të përmenden "Melankolia", "Pa gjumë", "Ese gnostike", "Mëngjes dhe mbrëmje", "Emri tjetër".