Ukrainë: senati i SHBA-së bllokon fondet
R.SH. – Vatikan
Republikanët në Senatin e SHBA-së bllokuan, me një votë procedurale, projektligjin që parashikonte ndihma për Izraelin dhe Ukrainën, duke kërkuar masa më të ashpra kontrolli në kufirin me Meksikën. Vihet kështu në rrezik miratimi i paketës së ndihmave. Dje, presidenti Biden e pati paralajmëruar Kongresin se nëse ndihmat amerikane nuk do të arrijnë në Ukrainë, në ditët e ardhshme, do t’i bëhet një dhuratë për Krishtlindje presidentit rus. Vladimir Putin nuk do të ndalet në pushtimin e Kievit, por do të vërë në shënjestër krejt Evropën, nënvizoi Biden, duke sqaruar se në rastin e sulmit kundër ndonjë vendi evropian të NATO-s, edhe SHBA-të do të përfshihen në luftë, pasi do të ndërhyjnë në mbrojtje të aleatëve. Presidenti amerikan u tregua kështu i gatshëm të dislokojë trupa ushtarke, në emër të nenit 5 të NATO-s, i cili parashikon detyrimin e ndërhyrjes së armatosur të anëtarëve, nëse sulmohet njëri nga vendet e Paktit.
Stanjacion për paketën e re të ndihmës për Ukrainën
Prej ditësh, Shtëpia e Bardhë po jep alarmin për rrezikun e fitores së Rusisë dhe zgjerimin e konfliktit, në përpjekje për të kapërcyer stanjacionin lidhur me paketën e re prej mbi 108 miliardë dollarësh, kërkuar nga administrata. Vetë presidenti u prononcua personalisht, duke e cilësuar pengesën e krijuar nga republikanët si "të çmendur" e, më pas, foli nga Roosevelt Room, duke kujtuar se nuk është në lojë vetëm e ardhmja e Ukrainës, por e gjithë botës së lirë. Për Shtëpinë e Bardhë, ndihma për Izraelin e Ukrainën dhe forcimi i sigurisë në kufirin me Meksikën "janë përparësi dypartiake, që meritojnë mbështetje dypartiake" dhe "votimi i fundit nuk e ndryshon faktin që Kongresi duhet të veprojë për t'iu përgjigjur këtyre nevojave urgjente, edhe duke miratuar financime urgjente për Kievin deri në fund të këtij viti".
Shtohen sulmet e ushtrisë ruse
Gjatë 24 orëve të fundit, Ukraina raportoi 91 përleshje me forcat pushtuese ruse. Sulmet shkaktuan viktima civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës, thuhet në një raport. Sipas Kombeve të Bashkuara, Rusia ka intensifikuar sulmet kundër objekteve energjetike të Ukrainës, duke e keqësuar më tej gjendjen e popullsisë, e cila ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa vijojnë reshje të mëdha bore në vend. Në një lidhje video me liderët e G7-s, presidenti Zelensky nënvizoi se "Rusia shpreson vetëm një gjë: që vitin e ardhshëm uniteti i Perëndimit të shkatërrohet, duke besuar se Amerika dhe Evropa do të tregohen të dobëta dhe nuk do ta mbajnë mbështetjen për Ukrainën në nivelin e duhur”.