Kërko

Vaji i shpresës në festën hebraike të dritave, Hanukkah

Kremtohet nga 7 deri më 15 dhjetor, festa hebraike e Hanukah, e cila njihet edhe si Festa e dritave, e pritur me padurim dhe e përjetuar me gëzim. Në të bashkohen përmasa historike me tregimin e një mrekullie, që të bën të mendosh për gjendjen aktuale ndërmjet Izraelit e Palestinës, me shpresën që zemrat të kthehen kah Zoti

R.SH. – Vatikan

Është në vijim e sipër kremtimi i festës hebraike të Hanukah, që ka filluar më 7 e do të përfundojë më 15 dhjetor. Për hebrenjtë, ajo është festë e dritës, pritur me padurim e kremtuar me gëzim, festë historike e lidhur me një mrekulli të veçantë. Kuadri, për të cilën po flasim, është ai i helenizimit me forcë të Judesë nga ana e Antiokut IV Epifan. Perandoria universale e Aleksandrit të Madh, me politikat e tij të integrimit të të gjithë popujve, tashmë, ishte shpërbërë, duke bërë të mbizotëronte rivaliteti ndërmjet pasardhësve të strategut të njohur. Ndër mbretëritë kryesore, formuar si pasojë e kësaj, ishte ajo e Sirisë seleukide, në të cilën Antioku e mbajti fronin për njëzet vjet me radhë, duke filluar nga viti 175 para Krishtit. Sovranit iu desh të merrej me kriza të shumta dhe imponimi i zakoneve greke ishte mjeti, përmes të cilit u përpoq të konsolidonte pushtetin, duke u vënë fre përçarjeve të brendshme.

Në Jude kjo shkaktoi revoltën e Matatias, priftit të familjes së Hasmonejve dhe shtatë djemve të tij. Hanukah përkujton rikushtimin e Tempullit dhe të altarit nga Juda Makabe në vitin 164, pas përdhosjes së tyre tre vite më parë. Festa fillon ditën e njëzet e pestë të Kislevit (muaji i nëntë i kalendarit hebraik), ditë në të cilën Antioku pati vendosur flijime të detyrueshme për idhujt brenda tempullit. Ajo zgjat tetë ditë. Burimet, që përshkruajnë mënyrën e kremtimit, themeluar nga Juda, janë dy librat e parë të Makabejve, që nuk janë të pranishëm në kanunin hebraik, si edhe historiani Jozef Flavio.

 Festa përmendet edhe në Ungjillin sipas Gjonit, 10, 22. Më së shumti bie në dhjetor. Mbrëmjen e parë, ndizet njëri nga qirinjtë në shandanin me nëntë krahë, tipik për festën, që quhet pikërisht hanukiah e kjo përsëritet në ditët në vijim derisa të jenë ndezur tetë qirinj, ose drita. E nënta, ajo qendrore, e quajtur shammash ("shërbëtor"), shërben për të ndezur të tjerat. Tetë ditët kujtojnë kohëzgjatjen e kushtimit të Tempullit të parë nga Solomoni (1 Mbret 8,66; 2 Kro 7, 9).

Ndër parimet që rregullojnë Hanukah është edhe përmasa publike, sipas së cilës shandani duhet të vendoset në vende të hapura, ose në pika të dukshme të shtëpisë. Është zakon që fëmijëve t'u jepet si dhuratë një vërle dhe familja mblidhet për të luajtur e për të festuar së bashku.

Megjithatë, burimet e lashta nuk flasin për dritat, element karakteristik i festës, të cilat shfaqen për herë të parë në një “baraita”, pra, në një traditë, që nuk u bë pjesë e korpusit të Mishnah, një nga tekstet themelore të hebraizmit. Këtu gjendet edhe informacioni për mrekullinë e vajit, një tjetër aspekt i njohur i festës.

Sipas kësaj tradite, kur Hasmonejtë u kthyen në Tempull, gjetën vetëm një ampulë me vaj, që kishte vulën meshtarake, gjë që do të thoshte se vaji mund të përdorej në tempull. Ndërkaq, nuk kishin kohë për të prodhuar tjetër vaj ritual. Ampula me vaj mjaftonte vetëm për një ditë, por, për mrekulli, zgjati të tetë ditët e festës. Pikërisht me këtë ngjarje, gjatë së cilës qirinjtë (pra, dritat) mbetën të ndezur gjatë gjithë periudhës tetëditore, lidhen disa nga kuptimet simbolike më të rëndësishme të festës. Para se t'i përshkruajmë shkurtimisht, është mirë të sqarojmë një keqkuptim. Koha e vitit dhe centraliteti i dritës mund të na bëjnë të mendojmë për ndonjë analogji me Krishtlindjen, por nuk është ashtu. Festa evokon shpresë dhe besim në mbijetesën edhe të atyre, që janë pakicë dhe viktima të shtypjes. Dritat përfaqësojnë "rezistencën", dhuruar si mrekulli nga Zoti e në të, pa dyshim, ka një element të theksuar aktualiteti. Jo vetëm kaq.

Termi “Hanukah” vjen nga folja “hanak”, që do të thotë, ndër të tjera, "të ngresh lart, të edukosh". Prandaj festa është mjet edukimi për respektin dhe tolerancën, për mbrojtjen e atyre, që shtypen nga Antiokët e rinj. Këtyre simboleve të njohura do t’u shtonim një sugjerim, duke e kaluar vështrimin nga dritat tek vaji.

Festa kujton pikërisht mrekullinë e vajit, që i mbajti dritat ndezur për kohën e nevojshme të rikushtimit të Tempullit. Por kjo nuk mund të ndodhë gjithmonë. U takon njerëzve ta sigurojnë atë e këtu kemi një simbol të fuqishëm paqeje, shumë të rëndësishëm për Izraelin dhe Palestinën. Duhet të fillojmë përsëri të kultivojmë ullinj, të kujdesemi dhe t'i mbrojmë, që ta sigurojmë gjithnjë vajin për Tempullin e Zotit.

Vjen ndërmend utopia, në të cilën hekuri nuk kthehet në armë, por në mjet për zhvillimin e njeriut, në përmasën e tij individuale dhe kolektive. Është utopi tejet e pranishme në botën hebraike, siç kujton pjesa e mirënjohur nga Isaia profet (2,4): «Shpatat e veta do t’i kthejnë në plore, heshtat në drapërinj; Një popull nuk do ta ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë".

12 dhjetor 2023, 09:20