Beckenbauer dhe ai takim me Benediktin XVI: "Më i bukuri i jetës sime"

Futbollisti i mirënjohur gjerman, i mbiquajtur Kaiser, ndërroi jetë dje, në moshën 78-vjeçare. Në vitin 2005, mori pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës Ratzinger, së bashku me Rudi Völler. "U rrita si i krishterë katolik dhe mendimet e mia drejtohen gjithmonë kah qielli"

R.SH. – Vatikan

“Për mua, sigurisht, është përvojë e paharrueshme, sepse ai është Papa i parë, që munda t’i shtrëngoj dorën, ose me të cilin shkëmbeva disa fjalë”: këto ishin fjalët e Franz Beckenbauer pas audiencës së 26 tetorit 2005. Biseda me Benediktin XVI zgjati më pak se një minut, megjithatë, siç tha futbollisti i madh, ishte "çasti më i bukur i jetës sime. Në fund të fundit, unë jam rritur si i krishterë katolik dhe mendimet e mia drejtohen gjithmonë kah qielli. Sigurisht që mezi prisja të vinte ky moment, pasi mendoj se Papa është përfaqësues i jashtëzakonshëm i botës së krishterë. I thashë edhe që i uroj të gjitha të mirat, sidomos jetë të gjatë, sepse njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë për të".

Kampion botëror më 1974

Beckenbauer ishte një nga futbollistët më të mëdhenj në botë. Pasi u bë sportist i Bayern Munich-ut, u afirmua shpejt si lojtar kyç për klubin bavarez, i cili, edhe me ndihmën e tij, fitoi katër herë kampionatin kombëtar. Ishte lojtar i kombëtares të trija herët, që Gjermania fitoi Kupën Evropiane dhe Kupën e Botës. Me elegancë dhe fantazi në fushë, ai e ripërkufizoi rolin e mbrojtësit dhe e kurorëzoi karrierën duke fituar Botërorin e vitit 1974, në vendin e tij. Dy vjet më parë, pati udhëhequr ekipin gjerman drejt fitores në Kampionatin Evropian. Pas disa vitesh në SHBA me Cosmos New York, ku luajti në një ekip legjendar bashkë me Pelé, Beckenbauer u kthye në Gjermani dhe fitoi një tjetër titull si kampion me Hamburger SV, më 1982. Pas eliminimit të Gjermanisë nga Kampionati Evropian 1984, Beckenbauer u bë menaxher i ekipit Mannschaft, kombëtares gjermane, pa patur leje për ushtrimin e profesionit të trajnerit e, megjithatë, e çoi ekipin kombëtar drejt e në finalen e Kupës së Botës 1986 kundër Argjentinës së Maradonës. Ndeshja përfundoi 2 me 3 për amerikano-jugorët. Katër vjet më vonë, “hakmarrja” kundër Diego Armando Maradonës e të tjerëve, me triumfin, në Romë, në Kupën e Botës, që u luajt në Itali, në vitin 1990. Beckenbauer dha dorëheqjen, duke i kaluar pasardhësit të tij, Berti Vogts, një barrë të rëndë për t’u bartur. U kthye në FC Bayern si trajner, në mesin e viteve nëntëdhjetë, me skuadrën e Mynihut në krizë.

Beckenbauer në Shqipëri

Beckenbauer ka qenë i mirënjohur në Shqipëri, ku ka ardhur, bashkë me skuadrën gjermane, në vitet 1971 dhe 1981, për eliminatoret e Kupës së Botës dhe të Kampionatit Evropian. Pati miq shqiptarë dhe i pati dhuruar këpucët e futbollit Panajot Panos, futbollistit të shquar të kombëtares shqiptare. Ashtu si gjithë të huajt, e detyruan të dezinfektohej para se të hynte në vendin e shqipeve, ku nuk duhej të linte as mikrobet “e jashtme”. Shqiptarët e ndoqën me interes të jashtëzakonshëm skuadrën gjermane dhe stërvitjen e saj. Ndër të rinjtë qarkullonin fotografitë e futbollistëve gjermanë të asaj kohe me firmat e tyre, që ruheshin me xhelozi.

09 janar 2024, 11:57