Kërko

Ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj, ndërsa merr çmimin "Bartolo d'oro" në Peruxha të Italisë Ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj, ndërsa merr çmimin "Bartolo d'oro" në Peruxha të Italisë

Universiteti i Peruxhës jep çmimin “Bartolo d’Oro”. Ndër fituesit, ambasadorja Frangaj

Ndër të nderuarit me këtë çmim, dhënë nga Universiteti i Peruxhës më 20 mars, ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj. "Bartolo d'Oro" u jepet të diplomuarve të ateneut, të cilët kanë arritur nivele të shkëlqyera në karrierën e tyre profesionale, duke kontribuar kështu me punën e tyre në promovimin e emrit të universitetit

R.SH. – Vatikan

Ceremoni solemne në Aula Magna të Universitetit të Peruxhës, për dhënien e çmimit "Bartolo d'Oro", i menduar për të nderuar personalitetet e shquara, që kanë studiuar në këtë universitet italian të Umbrias, si edhe për të shpërblyer më të mirët ndër temat e diplomës së 14 Departamenteve, për vitin akademik 2021/2022. Ndër të nderuarit me këtë çmim, më 20 mars, ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj, pikërisht në ditën, që, duke filluar nga ky vit, Ministria italiane e Universiteteve dhe e Punës Kërkimore, në bashkëpunim me Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Italiane, ia kushton pikërisht shkollave të larta.

Fjala e rektorit

“Kjo datë shënon fillimin e një tradite të rëndësishme – deklaroi gjatë ceremonisë në Peruxha rektori, prof. Maurizio Oliviero – që sot, 20 marsi do të jetë Dita e Universitetit Italian, mundësi për të rrëfyer histori dhe tradita akademike, duke zbuluar thesaret e tyre të fshehura. Kemi vendosur që kjo ditë të përkojë me riaktivizimin e çmimit tonë universitar Bartolo d'Oro, nderimi më i lartë që mund t'u bëjmë studentëve tanë më të shquar. Bartolo d'Oro, kushtuar Bartolo da Sassoferrato, mësues i madh i së drejtës civile, shpreh jo vetëm ndikimin e tij juridik, por edhe kontributin e tij në politikë dhe në vizionin e qeverisjes së mirë, bazuar mbi rregullat e ligjit. Bartolo ka qenë njeri me botëkuptim të gjerë dhe ambasador i qytetit të Peruxhës.

Sot, dëshirojmë të afirmojmë përgjegjësinë e ruajtjes dhe të transmetimit të vlerave dhe të mësimeve të rrënjosura në historinë tonë, që të bëhen pikë referimi për brezat e ardhshëm. Të gjithë jemi protagonistë të kohës së tashme, trashëgimtarë të një të shkuare, që duhet të na prijë drejt së ardhmes. Universitetet, tempuj laikë të kulturës, kanë për detyrë ta mbajnë gjallë këtë trashëgimi. Universiteti ynë, i themeluar në vitin 1308, seli e shkollës së tretë mjekësore në botë, u njoh nga Papa Gjoni XXII për mundësitë, që u ofronte studentëve: vlerësim, i cili nënvizon rëndësinë e bashkësisë e të hapësirës universitare si vend për t’u rritur e për të mësuar. Për këtë arsye, sot - përfundoi rektori - u bëjmë homazhe studentëve tanë të nderit. Faleminderit për kontributin tuaj në këtë traditën tonë të gjatë dhe të pasur”.

Çmimi "Bartolo d'Oro"
Çmimi "Bartolo d'Oro"

Çmimi "Bartolo d'Oro"

"Bartolo d'Oro", i destinuar për të diplomuarit e Universitetit, të cilët kanë arritur nivele të shkëlqyera në karrierën e tyre profesionale, duke kontribuar kështu me punën e tyre në promovimin e emrit të ateneut, përveç ambasadores së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangajt, iu dha shkencëtares Ilaria Capua, gazetares së Rai-t Giorgia Cardinaletti, diplomates Patrizia Falcinelli, drejtoreshë e përgjithshme për Burimet dhe Inovacionin në Ministrinë italiane të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, shkencëtarit Pier Giuseppe Pelicci, drejtor i punës kërkimore në Institutin Evropian Onkologjik (IEO) dhe profesor në Universitetin e Milanos, si edhe gjyqtarit Sergio Sottani, Prokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit të Peruxhës.

Çmimi për fituesit, që do të përfshihen në një Listë të veçantë Nderi (Albo d’Oro), përbëhet nga një medalje me figurën e Bartolo da Sassoferrato dhe nga vula e Studium Generale.

22 mars 2024, 14:50