Kërko

 Beata Vergine Maria Ausiliatrice Beata Vergine Maria Ausiliatrice

Më 24 maj Kisha kremton festën e Zojës Ndihmëtare

Kjo e kremte e Zojës Ndihmëtare nis të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, Piut V (1566-1572). Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit, kërcënuar prej shekujsh nga turqit, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës.

R.SH. - Vatikan

“Auxilium Christianorum” -  “Ndihma e të Krishterëve”, ky titull i bukur i është dhënë Virgjërës Mari në çdo kohë e kështu lutet prej besimtarëve në litanitë Lauretane kushtuar Asaj, quhen kështu sepse u recituan e lutën fillimisht në Loreto të Italisë.

Gjithmonë ka qenë ripohuar prania ndërmjetësuese dhe ndihmuese e Zojës së Bekuar për atë njeri që i drejtohet asaj me lutje, e pikërisht asaj, ne dhe mbarë njerëzimit, i qemë besuar si bijë nga Jezu Krishti mbi Kryq, i cili na e tregoi e dhuroi si nënë, në personin e Gjonit apostull, edhe ai pranë Kryqit. Po rasti i madh zyrtar i përdorimit të titullit “Auxilium Christianorum” – “Nihma e të Krishterëve” qe lutja e Papës Piut V më 1571.

Pra, kjo e kremte e Zojës së Bekuar Ndihmëtare nis të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572). Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit, kërcënuar prej shekujsh nga turqit, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës. Ishte tetori i vitit 1571.

E pikërisht më 7 tetor të këtij viti, nisi beteja e madhe detare e koalicionit të botës së krishterë kundër flotës turke. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj, në shenjë mirënjohjeje, urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”.

Një fitore tjetër e madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën titullin “Auxilium Christianorum”, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali. Piu VII e caktoi festën e Zojës Ndihmëtare më 24 maj.

Shenjti që pati më shumë devocion në Zojën Ndihmëtare, qe Shën Gjon Bosko, i cili u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë dhe bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare. Për nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë në vise të ndryshme, ndërmjet të cilëve dallohen katedralja e Spoletos edhe e Torinos në Itali, në Prizren të Kosovës është Kisha katedrale e dioqezës Prizren-Pristinë kushtuar pikërisht Zojës Ndihmëtare.

24 maj 2024, 09:38