San Germano, BAV Vat. lat. 3767, f. 57v San Germano, BAV Vat. lat. 3767, f. 57v

Më 28 maj kalendari kujton Shën Gjermanin, ipeshkëv

Jetoi si oshënar, derisa u shugurua meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit, i cili themeloi në Paris kuvendin me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermé de Prè) një nga qendrat më të rëndësishme të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv i Parisit modern. Mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës në Francë: në Koncilin e Turit në vitin 567 dhe në Koncilët Kishtare të Parisit

R.SH. - Vatikan

 Shën Gjermani jetoi në kohën e Merovingëve. Kishte si mik dhe biograf poetin e fundit të madh latin, Venanzio Fortunato. Luajti një rol vendimtar në konsolidimin e Kishës dhe monarkisë në Francë.

Shën Gjermani ipeshkëv lindi në vitin 496 pranë qytetit francez Autun. Bir i padëshiruar i një gruaje, që nuk e deshi kurrë, Gjermani nuk pati fëmijëri të lumtur. Jetoi pa ngrohtësi e miqësi, si eremit, derisa ipeshkvi i Autun-it, Agripini, e thirri pranë vetes duke e shuguruar diakon e më pas meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit, i cili themeloi në Paris kuvendin me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermé de Prè) një nga qendrat më të rëndësishme të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv i Parisit modern. 

Shenjti mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës në Francë: në Koncilin e Turit në vitin 567 dhe në Koncilët Kishtare të Parisit. Njihet edhe si autori i dy letrave me vlerë të veçantë për njohjen e liturgjisë galikane.  Sipas traditës, një ditë Shën Gjermani, tashmë ipeshkëv, i dha urdhër njërit nga sekretarët e tij t’i shkruante mbi kokën e krevatit datën: “28 maj!”.

Askush nuk e dinte ç’ kuptim kishte kjo datë, derisa një vit më pas, pikërisht më 28 maj, ipeshkvi shenjt mbylli sytë përgjithmonë, për t’u varrosur në Kapelën e Shën Sinforianit pranë kishës së abacisë, në një varr të dekoruar, rreth viteve 635, nga Shën Eligji këshilltar i mbretit Dagoberti. Më pas reliket e tij u mbartën, në prani të Karlit të Madh e të përfaqësuesve më në zë të klerit, në Kishën e Shën Gjermen-Vieu, që u bë qendër shtegtimesh e vend mrekullish.

28 maj 2024, 10:05