Gjykata e Hagës i kërkon Izraelit të ndalojë operacionet në Rafa
R. SH. - Vatikan
“Ndalojeni menjëherë operacionin në Rafah, qytet në skajin jugor të Rripit të Gazës, ku janë zhvendosur mijëra njerëz dhe mbajeni të hapur pikëkalimin kufitar me Egjiptin, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare për një popullatë në kushte "katastrofike" si dhe të hetuesve. Pas kësaj, lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i të gjitha pengjeve nga Hamasi”.
Këto, kërkesat e aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lëshuar dje, e premte 24 maj, pas një kërkese të re nga Afrika e Jugut.
Reagimi i palëve në konflikt
Vendimi u gjykua "i pamjaftueshëm" nga Hamasi, që kërkon armëpushim në të gjithë Rripin, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga Autoriteti Kombëtar Palestinez, sipas të cilit vendimi i Gjykatës dëshmon "miratimin ndërkombëtar për përfundimin e luftës në Gaza". Izraeli, nga ana e tij, pohon se nuk kryen operacione që mund të krijojnë kushte të cilat do të shkaktonin shkatërrimin e popullatës civile palestineze, ndërsa akuzat e Afrikës së Jugut për gjenocid i quan "të rreme, të egra dhe të neveritshme". Në një bisedë me Sekretarin e Shtetit të SHBA Blinken, ish-shefi i shtabit të Izraelit përsëriti se vendi po lufton "një luftë të drejtë dhe të nevojshme për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij".
Guterres: dënimi është detyrues
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres theksoi se vendimet e gjykatës së lartë të OKB-së janë "të detyrueshme", me besimin "se palët do ta respektojnë si duhet urdhrin e Gjykatës". Që në janarin dhe marsin e kaluar, gjykata e kishte marrë vendimin për luftën në Gaza, duke kërkuar veçanërisht garantimin pa pengesa dhe në shkallë të gjerë të furnizimit dhe të ndihmave humanitare. Ndërkohë, pavarësisht nga deklarata, bastisjet vazhduan në Rafah, veçanërisht në lagjen Shaboura, ku janë grumbulluar mijëra refugjatë, e edhe në Jabalya, në veri të Rripit të Gazës, ku Izraeli pohoi se kishte gjetur trupat e tre pengjeve të tjera, vrarë në sulmi i 7 tetorit.