Evropa, sfida e kthimit në idetë e etërve themelues
R.SH. – Vatikan
Zgjedhjet e afërta për Parlamentin Evropian shtrojnë një pyetje, së cilës është e vështirë t'i përgjigjemi pa mëdyshje: cila është Evropa, që duam? Një kujtesë e shkurtër historike mund të ndihmojë për të përvijuar një përgjigje, pavarësisht se mund të jetë e përkohshme: menjëherë pas Luftës I Botërore, filozofi gjerman Oswald Spengler pati përdorur kategorinë e "perëndimit të diellit" për të evokuar tendencat shpërbërëse të modernizmit evropianoperëndimor, në të cilin dy shpirtrat e Faustit, teknika dhe tragjikja do të polarizoheshin në dëm të kësaj të fundit, me rezultatin e reduktimit të njeriut në objekt dhe të hapjes së rrugës për dhunën e zbatuar më pas nga sistemet ideologjike (Rënia e Perëndimit). Filozofi tjetër gjerman, Hans Blumenberg, pati përdorur metaforën e “mbytjes" (Mbytja me spektator) për të përshkruar gjendjen e krijuar nga parabola e modernizmit, në të cilën çdo siguri duket e humbur dhe njeriu është njëkohësisht i mbytur dhe spektator i mbytjes së tij.
Sociologu e filozofi polak Sygmunt Bauman e përshkroi këtë gjendje si "modernizëm i lëngshëm", ku "modelet dhe konfigurimet nuk janë më të dhëna, aq më pak aksiomatike; thjesht, ekzistojnë tepër prej tyre, në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe në kundërshtim me ligjet vetjake përkatëse, kështu që secili prej tyre është zhveshur nga pushteti personal i vetëpërmbajtjes” (Modernizmi i lëngshëm). Këto interpretime - përmes metaforave të perëndimit të diellit, mbytjes dhe likuiditetit të pakapshëm – e shohin qytetërimin perëndimor dhe djepin e tij, Evropën, të destinuar për një proces të pandalshëm shpërbërjeje dhe rënieje. Por në to, kontributi i dhënë nga tradita hebraiko-kristiane në formimin e identitetit evropian mbetet gjerësisht në hije. Pikërisht për këtë arsye, magjisteri papnor i dekadave të fundit ngul këmbë në "rrënjët e krishtera" të Evropës, pa të cilat nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të qëndrojë aspirata për një "atdhe evropian" të përbashkët.
Papa Françesku, duke pritur krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, në prag të kremtimit të 60-vjetorit të tij (24 mars 2017), deklaroi: “Në zanafillën e qytetërimit evropian gjejmë krishterimin, pa të cilin vlerat perëndimore të dinjitetit, lirisë dhe drejtësisë janë pothuajse të pakuptueshme”. E kjo, sepse Evropa “është një jetë, një mënyrë e konceptimit të njeriut që niset nga dinjiteti i tij transhendental dhe i patjetërsueshëm dhe jo vetëm nga një tërësi të drejtash, që duhen mbrojtur ose nga pretendime, që duhen kërkuar. Në zanafillën e idesë së Evropës është figura dhe përgjegjësia e njeriut me fermentin e tij të vëllazërimit ungjillor”. Me një fjalë, e ardhmja e Evropës nuk mund të mos marë parasysh rrënjët e saj etike dhe shpirtërore, të vetmet që mund të ushqejnë një pasion të rinovuar moral dhe një angazhim të përbashkët.
Kthimi te idetë e Etërve themelues të Evropës së Bashkuar është kusht i rëndësishëm për t'iu përgjigjur kësaj nevoje. Kështu, Robert Schuman, Ministri i Jashtëm francez, një nga etërit themelues të Evropës së bashkuar, në një deklaratë të rëndësishme të 9 majit 1950 pati thënë: “Evropa do të lindë nga arritje konkrete, që krijojnë para së gjithash një solidaritet faktik... Solidariteti në prodhimin ekonomik, i hapur për të gjitha vendet që dëshirojnë t'i bashkohen, me synimin për t’u siguruar atyre elementet bazë të prodhimit industrial me kushte të barabarta, do të vendosë themelet reale të bashkimit të tyre ekonomik. Ky prodhim do t'i ofrohet gjithë botës pa dallim e pa përjashtim për të kontribuar në ngritjen e standardit të jetesës dhe në përparimin e veprave të paqes".
Në fjalimin e paharrueshëm me titull “Atdheu ynë Evropa”, mbajtur në Konferencën Parlamentare Evropiane, në Paris, më 21 prill 1954, Alcide De Gasperi u shpreh: “E gjithë ndërtesa jonë politiko-shoqërore presupozon një regjim morali ndërkombëtar. Popujt që bashkohen, duke u zhveshur nga mbeturinat egoiste të përparimit të tyre, duhet të lartohen edhe drejt një ndjenje drejtësie më të frytshme ndaj të brishtëve dhe të përndjekurve". Duke nënvizuar rëndësinë e moralit, që duhej vendosur në bazën e angazhimit për ta "bërë Evropën", De Gasperi pati theksuar qëllimet e saj përfundimtare - paqen, përparimin dhe drejtësinë shoqërore të popujve - pa harruar të vinte në dukje kufizimet e institucioneve të reja evropiane. Një Evropë pa pika të larta referimi etik, pa frymën e mikpritjes dhe të integrimit të hapur mbi kufijtë e botës, nuk do të jetë në gjendje të realizojë vokacionin më të thellë të historisë së saj. Në këtë kuptim, Konrad Adenauer, Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, lindur nga rrënojat e barbarisë naziste, më 25 mars 1957, me rastin e nënshkrimit të Traktateve të Romës, që nisën zyrtarisht procesin e integrimit evropian, pati thënë: “Qëllimi ynë është të bashkëpunojmë me të gjithë për të promovuar progresin në paqe... Duke u bashkuar sot, Evropa jo vetëm që u shërben interesave të veta dhe të shteteve brenda saj, por edhe gjithë botës”.
Këto ide të Etërve të Evropës së Bashkuar kanë frymëzuar hapat dhe arritjet e atyre që, të bashkuar nga ëndrra e një shtëpie të përbashkët evropiane në shërbim të mbarë njerëzimit, janë përkushtuar, plot pasion dhe sakrifica, për ta ndërtuar atë. Më parë se interesi ekonomik, i frymëzoi një ideal, për të cilin u impenjuan dhe paguan personalisht. Prej tyre na vjen Evropa më e mirë, jo ajo e fiksuar me nevojën e stabilitetit, që nganjëherë ndiqet edhe në dëm të nevojave të shtetit shoqëror dhe të zhvillimit, por Evropa e popujve dhe e ndërgjegjeve, e ushqyer nga gurrat e mëdha, që frymëzuan unicitetin evropian: qytetërimi greko-latin, tradita hebraiko-kristiane dhe kultura gjermanike. Politikanët tanë duhet të frymëzohen nga kjo Evropë dhe nga ndërgjegjja morale që ka në themel, pavarësisht nga përkatësitë e tyre partiake dhe nga bindjet e tyre morale dhe fetare.
Për këtë arsye, atyre që kanë përgjegjësi vendimmarrëse në këtë çështje nuk u falet injorimi i burimeve, që motivuan projektin evropian. Filozofi francez Paul Ricoeur na e kujton këtë në një ese të qartë mbi “Evropën dhe kujtesën e saj”, ku ndër të tjera shkruan: “Popujt nuk mund të jetojnë pa utopi, ashtu si individët pa ëndrra. Evropa pa kufij të ngurtësuar është utopi, pikërisht sepse është para së gjithash një ide... E rëndësishme është që utopitë tona të jenë të përgjegjshme: të marrin parasysh të realizueshmen e të dëshirueshmen, të gjejnë një marrëveshje jo vetëm me rezistencën e pakëndshme të realitetit, por edhe me rrugët e praktikueshme, mbajtur të hapura nga vetëdija historike”. Sfida është ndër më seriozet, me të cilat është përballur Evropa që nga fillimi i procesit ambicioz të bashkimit të saj: me të dhe me mënyrën e përballimit të saj do të matet e tashmja dhe e ardhmja e Evropës, si edhe rëndësia e saj aktuale në forumin e popujve dhe në historinë e njerëzimit. Kandidatët për Parlamentin Evropian do të jenë të besueshëm vetëm duke e trajtuar qartë këtë sfidë: sa po e bëjnë dhe sa do ta bëjnë këtë?
Marrë nga gazeta italiane kishtare “Avvenire”, shkruar nga imzot Bruno Forte, teolog, kryeipeshkëv metropolit i Chieti-Vasto