Vajza nën 12 vjeç në një shkollë në Afganistan Vajza nën 12 vjeç në një shkollë në Afganistan

Kabul: ndalimi i arsimimit nga talebanët ushqen dramën e nuseve fëmijë

Sipas UN Women, martesat e vajzave të vogla janë shtuar me 25% qëkur studentët e Kuranit kanë marrë pushtetin. Përballë rrezikut që ato të martohen me ndonjë luftëtar, familjet ua organizojnë vetë dasmën me dikë tjetër, duke ua prishur kështu të gjitha ëndrrat

R.SH. – Vatikan

Amina (emri është fiktiv) ndiqte shkollën tetëvjeçare kur talebanët erdhën në pushtet në Afganistan, duke e privuar, vetëm pas disa javësh, nga e drejta për arsimim, pasi vendosën rregullin që i ndalon vajzat të ndjekin shkollën pas moshës 12 vjeçare. Siç tregohet në një emision të Radios Evropa e Lirë (Rfe/Rl), familja, me origjinë nga provinca qendrore e Maidanit, disa muaj më vonë, e detyroi të martohej me një 37 vjeçar.

 Amina është njëra nga mijëra të miturat, që detyrohen të martohen pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi, në gusht 2021. Ndalimi i arsimimit për vajzat e vogla, vendosur nga talebanët, ka shkaktuar shtimin e martesave të hershme, ndërsa vazhdon kriza humanitare, arsimore dhe profesionale në Afganistan. Prindërit, shpesh preferojnë të organizojnë dasmën, për të mos rrezikuar martesën e vajzës së tyre me ndonjë luftëtar taleban, alternativë që e konsiderojnë shumë më të keqe.

 Sipas UN Women, agjencia e OKB-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, martesat e fëmijëve janë shtuar me rreth 25% që nga ardhja në pushtet e studentëve të Kuranit. Drama e nuseve fëmijë lidhet drejtpërdrejt me emergjencën e shkollës dhe me vendimin, që talebanët e morën vetëm një ditë pas vendosjes së rendit të tyre. Së paku 1,5 milionë vajzave u mohohet e drejta për arsimim, duke i lënë ato pa shpresë për të ardhmen. Në përkim me "datën simbolike" të një mijë ditëve dhe të tre miliardë orëve shkollë të humbur për vajzat, Unicef-i i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, duke vënë në dukje se "asnjë vend nuk mund të përparojë" kur "gjysma e popullsisë së tij lihet pas” e për të studiuar, duhet të përdorë "shkolla sekrete", duke rrezikuar jetën e njerëzve që i frekuentojnë.

Catherine Russell, drejtoreshë e përgjithshme e fondit të OKB-së për fëmijët, shpjegon se "për 1,5 milionë vajza, ky ndalim" jo vetëm është "shkelje e hapur" e së drejtës për arsimim, por çon në "mundësi gjithnjë e më të kufizuara dhe në keqësimin e shëndetit mendor". “Të drejtat e fëmijëve, veçanërisht të vajzave” nuk mund të jenë “peng” e politikave apo vizioneve ideologjike, shton ekspertja, sipas së cilës “jeta, e ardhmja, shpresat dhe ëndrrat e tyre janë në rrezik”.

Të njëjtin shqetësim shprehin edhe aktivistët e Human Rights Watch (HRW), sipas të cilëve shoqëria afgane dhe vetë vendi nuk do të rimëkëmben kurrë plotësisht, pikërisht për shkak të humbjes së këtij numri kaq të konsiderueshëm profesionistesh të ardhshme. E kjo vlen edhe më tepër për kombin afgan, me alfabetizim të ulët të të rinjve e sidomos, të femrave. Talebanët akuzohen nga OKB-ja se kanë imponuar një lloj "aparteidi gjinor" dhe qeveria e tyre s’është tjetër, veçse një "varrezë shpresash". Ja pse disa prej tyre, më të guximshmet ose ato që nuk janë dorëzuar para realitetit aktual, u drejtohen shkollave “klandestine” të fshehura nga studentët e Kuranit. Mund të marrin një arsimim minimal, duke rrezikuar jetën për këtë në struktura me “mundësi të kufizuara” si për numrin e mësuesve, ashtu edhe për materialet në dispozicion.

17 qershor 2024, 14:22