Shenjtorët e javës 9 - 16 qershor
R.SH. / Vatikan
E diel 9 qershor, Kisha katolike rifillon liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të Dielën 10-të të kësaj kohe, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Në Ungjillin e sotëm nga Marku (Mk 3,20-35), të kësaj të diele të 10-të, skribët për ta diskredituar Jezusin përpara njerëzve, e akuzuan se ishte i pushtuar nga Beelzebuli dhe se i dëbonte djajtë me ndihmën e kryetarit të demonëve. Jezusi reagon me fjalë të forta e të qarta, mbasi këta skribë, ndoshta edhe pa u kujtuar, po binin në mëkatin më të rëndë: po mohonin e po blasfemonin Dashurinë e Zotit, që është gjithnjë e pranishme dhe vepron në Të.
Gjithnjë më 9 qershor kalendari përkujton edhe shën Efremin, diakon e doktor i Kishës; shën Prekën e Feliçanin, martirë.
Të hënën më 10 qershor, kalendari kishtar kujton shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit.
Të martën më 11 qershor, kalendari kujton shën Barnabën, Apostulli, që diti të kombinojë kulturën hebraike dhe atë helenistike, me të cilat u takua krishterimi, duhet të shërbejë si shembull që meriton të ndiqet. Në një shoqëri si jona, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura, nuk duhet harruar se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë gjithë vëllezërve shëlbimin e Zotit.
Të mërkurën më 11 qershor kalendari përkujton shën Leonin III papë e shën Onufrin vetmitar.
Të enjten më 13 qershor, bie festa e shëna Ndout të Padovës. Kështu më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.
Të premten më 14 qershor kalendari kujton shën Viton martir, shën Bernardin nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermanen Kuzin, virgjër.
Të shtunën më 15 qershor, kalendari kujton shën Kuirikun e shën Gjulieten, martirë.
Të dielën e ardhshme më 16 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 16 qershor kalendari kujton shenjtorët Biaxhon e Diogjenin, martirë.