San Bernardodi Chiaravalle San Bernardodi Chiaravalle

Më 20 gusht kalendari kujton shën Bernardin e Kiaravales

Shën Bernardi, që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës

R. SH. - Vatikan

Shën Bernardi nga Clairvaux ma mëson si ta shikojmë Pafundësinë me shpresë. Të duash veten si një dhuratë totale për Zotin, duke kuptuar domethënien e ekzistencës si një akt suprem të dashurisë së pafund: edhe nëse vizioni i Shën Bernardit të Clairvaux për njeriun nisej nga mëkati origjinal si një pengesë në rrugën drejt Krijuesit, ai në realitet na shtyn të shikojmë Pafundësinë me shpresë të pamasë. Sepse ajo që të çon te Zoti është një udhëtim dashurie. Dhe kështu ky doktor i shenjtë i Kishës na flet edhe sot për atë etje të pashtershme që jeton në zemrën e çdo njeriu.

Shën Bernardi i Kjaravales, abat e dijetar i Kishës, themeluesi i Urdhrit Cestercens, jetoi në shekullin XII, numërohet ndërmjet Dijetarëve të Kishës e njihet si një nga Etërit e saj të fundit, që mblodhi, me aftësi e urti, trashëgiminë e pasur të doktrinës patristike. Dëshironte të jetonte i zhytur në luginën e ndritur të kundrimit, por detyrohej t’i kushtohej një veprimtarie të dendur, të palodhshme, të gjithanshme. Bindja ndaj Kishës dhe dashuria që pati për të, e shtynë shpesh herë ta braktiste qetësinë e manastirit, për t’iu kushtuar çështjeve të ndërlikuara politike e fetare të kohës së vet.

Në Abacinë e Kiaravales, Bernardi, që sapo i ka mbushur 25 vjet, së bashku me shokët e tij, bëjnë një jetë tepër të thjeshtë, që i përngjan jetës së Jezusit. Në qelinë e tij Bernardi e rishikon rregullën e Shën Benediktit, por pa i prekur parimet themelore: punë, thjeshtësi, lutje, përkorë e varfëri. Më pas Bernardi me shokët e tij, vendosin të mbajnë zhguna të bardhë: lind kështu urdhëri Çisterçens.

Shën Bernardi themeloi 68 manastire të cilat, përveçse qendra fetare, bëhen edhe shkolla të kulturës, të bujqësisë e të punës së dorës. Shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin.

Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit' i Kishës, sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë e madhe të Etërve kishtar. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur. Në rini e tërhoqën të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë, ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e këshillave ungjillore.

Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe, u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.

Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderuar, Abat i Klyni. Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve.

Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh Papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha kohëve.

Njё fragment nga jetëshkrimi i Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë Virgjër, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura: “Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).

20 gusht 2024, 09:43