Papa në lutje para ikonës Salus Populi Romani në bazilikën e Zojës së Madhe Papa në lutje para ikonës Salus Populi Romani në bazilikën e Zojës së Madhe

Më 5 gusht kalendari kujton shugurimin e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe

Më 5 gusht kalendari i Kishës katolike përkujton shugurimin e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, njëra nga katër bazilikat patriarkale të Romës, si edhe mrekullinë e dëborës. Është shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhrin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Efezit në vitin 431

R.SH. - Vatikan

Më 5 gusht kalendari i Kishës katolike romake përkujton shugurimin e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, njëra nga katër bazilikat patriarkale të Romës.  Është shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhrin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Efezit në vitin 431, kur Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit.

Kujtojmë se në Romë gjinden njëqind Kisha kushtuar Zojës së Bekuar, por më e madhja nga të gjitha, siç e tregon edhe vetë emri, është Bazilika e Shën Marisë së Madhe. Në fillim u quajt Bazilika Liberiane, sepse ishte Papa Liberi (352-366) ai, që e shndërroi në bazilikë të krishterë një tempull të lashtë pagan, në maje të kodrës romake të Eskulinit. Para shekullit V Bazilika quhej “Shën Maria tek Shpella e Betlehemit”, sepse aty ruhet piktura e lindjes së Jezu Krishtit, të cilën devocioni popullor e identifikonte me vetë Shpellën e Betlehemit.

Gojëdhëna tregon se natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh Papës Liberi e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një kishë në atë vend, ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra. Të nesërmen, në prani të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj kishe, që do të bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend e që u quajt Shën Maria e Dëborës. 

Çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Shën Marisë së Dëborës. E në të njëjtën ditë, edhe shugurimi i saj. Gjatë të dy kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358. Natyrisht Bazilika aktuale, që njihet si e Shën Marisë së Madhe, është rindërtuar disa herë gjatë shekujve, përmbi themelet e lashta, shënuar së pari mbi dëborë.

Sot nё festёn e Zojës së Borës, t’ia lartojmë  lutjen Virgjërës Mari, që na kujton kohën e largët, kur nisi ndërtimi i bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, një nga Kishat më të vjetra e më të mëdha në botë kushtuar Nënës së Zotit.

Virgjëra, e cila më shumë se çdo krijesë tjetër mori pjesë në misterin e Krishtit, na ndihmoftë në shtegtimin tonë të fesë me qëllim që, siç na fton të lutemi liturgjia e kёsaj feste , duke u përpjekur me të gjitha forcat ta nënshtrojmë tokën, të mos lejojmë të sundohemi nga lakmia dhe egoizmi, por të kërkojmë gjithnjë atë që vlen para syve të Zotit.

Kёshtu në kujtimin liturgjik të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, liturgjia na fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit.

Shikojeni gjithnjë atë, Virgjrën Mari, të dashur të rinj, duke u munduar t’i përngjani në ndjekjen besnike të vullnetit hyjnor; 
drejtojuni Asaj me besim, të dashur të sëmurë, për të provuar, në çastin e provës, frytin e mbrojtjes së saj; 
besojani Zojës, të dashur bashkëshortë të rinj, familjen tuaj, që të jetë gjithnjë e mbrojtur me ndërmjetësimin e saj amtar.

05 gusht 2024, 09:32