san vincenzo de paoli san vincenzo de paoli

Më 27 shtator kalendari kujton Shën Vinçencin de Paoli

Shën Vinçenci jetoi gjithnjë për udhë, në kërkim të Zotit e të vetvetes. Në një takim të shndritshëm me Jezusin në të varfrit, e ndjeu thirrjen e Zotit, që e ftonte të mos jetonte më për vetveten, por t’i shërbente Hyjit pa rezerva, në të varfrit, të cilët duhej t’i njihte si zotër e pronarë

R. SH. - Vatikan

Më 27 shtator kalendari i Kishës përkujton shën Vinçencin de’ Paoli, pajtorin qiellor të organizatave bamirëse katolike, në shërbimi të nevojtarëve e të të varfërve si mision dashurie.

Në Francën e 1600 Vinçenci de’ Paoli preku me dorë e personalisht kundërshtinë e fortë ndërmjet më të pasurve e më të varfërve. Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenci pati rastin të frekuentonte si ambientet aristokratike, si dhe fshatrat dhe shtresat më të varfra e të mënjanuara të Parisit.

E i shtyrë nga dashuria e Krishtit, Vinçenci de’ Paoli diti të organizonte forma të qëndrueshme të shërbimit për njerëzit e përbuzur e të mënjanuar, duke krijuar të ashtuquajturat ‘Bamirësitë’, çka do të thotë grupet e grave që ofronin kohën dhe të mirat e tyre duke i vënë në dispozicion të të varfërve e të mënjanuarve”. “Ndër këto grupe vullnetaresh disa zgjodhën e vendosen t’ia përkushtonin krejtësisht jetën Zotit e të varfërve, e kështu, së bashku me shën Luizën Marillak, shën Vinçenci de’Paoli themeloi ‘Bijat e Dashurisë”, kongregatën e parë femërore për të jetuar përkushtimin ‘në botë’, në mesin e njerëzve, me të sëmurë e nevojtarë.

Pra, do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e veprave bamirëse që bëri dhe themeloi gjatë jetës së tij, imzot Vinçenci siç e thërrisnin besimtarët, meshtar e themelues, shenjtin e sotëm. Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për klerikun francez, Vinçencin De’ Paoli lindur në Poi të Gaskonjës (Francë) më 24 prill 1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare. Menjëherë pas shugurimit, u burgos nga muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për dy vjet me radhë. Kur u lirua, kishte arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun që e ruante. Djaloshi, i cili në vendlindje, në Poi, pati ruajtur derrat, u ngjit shumë shpejt në shkallët më të larta të shoqërisë. I sapodalë nga burgu, u nis për në Paris, ku u caktua kapelan i mbretëreshës Margerita e Valuasë. Njohu, këtu, së afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretëreshën e kohës, Anën e Austrisë dhe Lugjin XIII, që e deshi pranë në shtratin e vdekjes.

Vinçenci De’ Paoli guxoi t’i fliste ballë për ballë e me zë të lartë për mjerimin e popullit, kardinalit Rishelië, të cilin e kishin frikë të gjithë. “Imzot - i tha – kini mëshirë për ne. Na e jepni paqen!”. Më pas, në ditët e errëta të Frondës, kur Parisi ngriti barrikada e kardinali Maxarino deshi të përdorte armën e urisë, për të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi një mensë, në të cilën çdo ditë shuanin urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit e vrapoi në Shën Zhermen për t’i thënë Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten për të mirën e Francës!”.

Njeri praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i pajisur me humor të hollë e sidomos me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte meshtarëve të Shën Lazrit: “Ta duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet tona, me mundin e krahëve tonë, me djersën e ballit tonë”. Duke e ditur mirë se të varfrit vuajnë më tepër për shkak të mungesës së rregullit në organizimin e bamirësisë, sesa për shkak të paaftësisë së njerëzve bamirës, siguroi nga Mbretëresha vendin e Ministrit të Bamirësisë dhe organizoi ndihmat për të varfrit në shkallë kombëtare. Thuhet se nëpër duart e tij kalonin çdo ditë më shumë para sesa në duart e ministrit të financave. Por në bankën e tij të bamirësisë kapitalet nuk shteronin kurrë.

Katër janë institutet kryesore të themeluara prej shën Vinçencit de’ Paoli: “Bashkvëllazëria e Zonjave të Bamirësisë”, “Shërbëtorët e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve të Misionit (ose lazaristët, të cilëve u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme për fshatarët) dhe “Bijat e bamirësisë”. Vdiq në Paris më 27 shtator 1660; u shpall shenjt më 1737.

27 shtator 2024, 09:45