Më 24 tetor Kisha kujton tё Lumen shqiptare Marije Tuci, martire

Marija Tuci ishte e çiltër dhe e vendosur, shumë guximtare, luftarake dhe e emancipuar, por edhe e dashur, ishte e shoqërueshme dhe shumë bamirëse, zemërbardhë. Ishte një vajzë e re e interesuar për jetën dhe kulturën, nuk merrej me politikë, aq më pak bënte agjitacion e propagandë, nuk ishte fusha e saj. Feja përbënte interesin e saj, e kishte për zemër fenë e krishterë me vlerat e saj të pamohueshme

R.SH. - Vatikan

Më 24 tetor kalendari kishtar kujton tё Lume Marije Tuci, virgjёr e martire e Krishtit nё periudhёn e regjimit komunist nё Shqipёri.

E Lumja shqiptare, Marije Tucit, rishtare e Motrave Stigmatine (Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928-Shkodër, 24.10.1950), u torturua nga komunisёt e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e Martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme më 24 tetor të vitit 1950 në Shkodër, si dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës sё popullit shqiptar, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine.

Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e të vëllazërimit. Kujtojmë se Marije Tuci, mirditore, u shpalle Lume me  martirë 37 tjerё tё Kishёs katolike nё Shqipёri, më 5 nëntor 2016 në Shkodër.

E Lumja e Zotit, Marije Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e refuzimin e ashpër të Marijes. 

Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i jetёs sё saj tokësore për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Marija nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 tetor  të vitit 1950. 

Marija Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. 

Më vonë, pas rënies së diktaturës ateiste komuniste, Marija Tuci përkujtohet në Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme.

Ajo e Marije Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës. 

Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet për shfarosjen e katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marije Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen. U shpall e Lume, së bashku me 28 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, në Shkodër më 5 nëntor 2016.

Lutje së Lumes Marije Tuci, virgjër e martire

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumen Marije Tuci, virgjër e martire,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e saj, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë..

Të falemi Mari. Lavdi Atit …

24 tetor 2024, 11:36