30 domenica ordinaria B - Vangelo - Bartimeo cieco 30 domenica ordinaria B - Vangelo - Bartimeo cieco

Fjala e Zotit e dielës së 30 gjatë vitit kishtar “B”

Feja që shpëton.Një i verbër bëhet mësues i atyre që shohin dhe dëshmon se feja shpëton. Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 30-të gjatë vitit kishtare, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të ‘B’

Ungjilli i kёsaj sё diele, nga Marku, na tregon pёr shërimin e të verbërit të Jerihonit, duke ripohuar se Zemra e Krishtit preket thellë nga vuajtja e njerëzve. Në ngjarjen që tregon shërimin e Bartimeut të verbër,  çasti vendimtar është pikërisht ai i takimit personal, të drejtpërdrejtë të Zotit me këtë njeri që vuante.

Ndodhen njëri përballë tjetrit: Krishti Zot me dëshirën për ta shëruar e njeriu me dëshirën për t’u shëruar. Dy liri, dy vullnete që përkojnë: “Ç’ dëshiron të bëj për ty?” - e pyet Jezusi. “Të më kthehet drita e syve” - përgjigjet i verbëri. “Shko, feja jote të ka shpëtuar”. Me këto fjalë bëhet mrekullia. Gëzimi i Zotit e gëzimi i njeriut!.

Bartimeu i verbër, për të cilin flet Ungjilli i Markut, ai, që humbi dritën e syve, apo dritën e fesë e, duke qenë i vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, ia besoi vetveten Zotit. Rifitoi, kështu, plotësisht dinjitetin njerëzor dhe u bë dishepull i Jezu Krishtit. Bartimeu përfaqëson njeriun, i cili ka nevojë për dritën e Hyjit, dritën e fesë, që ta njohë me të vërtetë realitetin e të ecë në rrugën e jetës.

I dalë përsëri në dritë Bartimeu bëhet nxënës i Krishtit e ngjitet së bashku me Mësuesin në Jeruzalem për të marrë pjesë në misterin e madh të shëlbimit. Ky rrëfim na kujton rrugën e katekumenit drejt sakramentit të Pagëzimit, që në Kishën e lashtë quhej “Ndriçim”.

Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë. Bartimeu përfaqëson njeriun, i cili ka nevojë për dritën e Hyjit, dritën e fesë, që ta njohë me të vërtetë realitetin e të ecë në rrugën e jetës

                                                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 31, 7-9

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.” Fjala e Zotit.

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne

----------

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

----------

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

----------

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

----------

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

----------

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.” Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.  Fjala e Zotit.:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXX GJATË VITIT: ATY PËR ATY PA DHE U VU TË UDHËTOJË MBAS JEZUSIT.

(Jer 31, 7-9; Ps 126 (125) Heb 5, 1-6; Mk 10, 46-53)

Ungjilli i sotëm është i shkurtër, por mjaft i dendur për nga përmbajtja. Historia për të cilën flitet, është e pasur me detaje shumë domethënëse, ku secili detaj është një botë më vete: turma që shkon pas Jezusit, por që nuk e di se Ai po shkon drejt kryqit; një i verbër i detyruar të bërtasë për të mposhtur turmën e cila, jo vetëm që nuk e ndihmon të shkojë pas Jezusit, por që madje i thotë të heshtë; britma e Bartimeut të verbër: «Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!»; shërimi të cilin ai e fiton për shkak të fesë së tij në Jezusin dhe fakti që vihet në ecje pas Tij menjëherë. Shtoju të gjitha këtyre detajeve edhe faktin se, në Ungjillin e Markut, kjo është mrekullia e fundit që Jezusi bën para Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij.

Të gjitha këto detaje e bëjnë këtë pjese ungjillore shumë të njohur dhe shumë të dashur për traditën e krishterë. Por le t’i marrim ata me radhë.

Së pari, të shohim se si pas Jezusit po shkonte «një turmë e madhe populli», por që shihet se Jezusin nuk e kishte kuptuar ende.

Si këtu në Ungjill, ashtu edhe në ditët tona janë të shumta turmat që shkojnë pas Jezusit, por janë të paktë ata që nuk e ndjekin për interes. Jezusi tashmë kishte fituar një famë të madhe, ishte shumë i njohur për mrekullitë e çdo lloji që bënte.

Turmat kishin filluar të kuptonin se, të rrish pranë Tij, ishte gjithnjë me leverdi. Por ata që rrijnë pranë Tij me këto qëllime, u ngjajnë atyre që, me biletë të lotarisë në dorë, rrinë para ekranit të televizorit në pritje që të fitojnë shumën e dëshiruar dhe, kur këtë shumë e fusin në xhep, biletën e hedhin në koshin të mbeturinave. Edhe Jezusi shpesh rrezikon të jetë i trajtuar ashtu.

Jezusi është duke shkuar për në Jerusalem, siç e tregojnë pjesët që i paraprijnë tregimit të sotëm, por asnjëri prej ndjekësve të Tij nuk do të arrinte ta imagjinonte se atje, në Jerusalem, vetëm pas pak ditësh, smira njerëzore do ta kryqëzonte Atë si një keqbërës.

Mbase do të dukeshin tepër të zymta këto supozime që po bëjmë rreth turmës, por, po të mos ishte kështu, si do të mund t’i kuptonim ndryshe disa sjellje të çuditshme që ajo bën, edhe pse supozonte se po ndiqte Jezusin?

Aty, në anë të rrugës, është një i verbër që po lyp. Askush nga turma nuk u përpoq ta merrte për krahësh e ta ndihmonte të shkojë tek Jezusi, emrin e të cilit ai po e thërriste. Jo vetëm kaq, por disa madje u përpoqën edhe t’ia mbyllnin gojën: «Shumëkush e qortonte të heshtte.»

Po shkojnë pas Jezusit, por për të varfrin e nevojtarin nuk interesohen. Madje edhe e pengojnë të shkojnë kah Jezusi. Janë të shumta edhe turmat e sotme që shkojnë pas Jezusit, por nga Ai nuk kanë kuptuar se duhet t’u gjenden pranë njerëzve në nevojë.

Si shembull mund të marrim atë që mund të ndodhë në mjediset tona familjare. Sa e sa pleq janë të vetmuar në shtëpitë e veta e fëmijët e tyre pak duan t’ia dinë për ta. Mbase kërkimi i një jete më të mirë vërtet i ka detyruar të marrin rrugët e botës, por kjo nuk do të thotë se të moshuarit duhen harruar. Edhe nga larg mund të gjenden forma përkujdesjeje ndaj tyre. Do të ishte e pavend të quheshin të krishterë ata që nuk e kuptojnë këtë. 

Për të mos folur pastaj për format e përkujdesjes që mund të tregojmë ndaj njerëzve të tjerë që mund të gjenden në nevojë përreth nesh. Po nuk u kujdesëm për nevojtarin, me aq mundësi sa kemi, si mund të mendojmë se realisht po ndjekim Jezusin në jetën tonë?

Por, përballë indiferencës dhe pengesës së turmës ndaj tij, Bartimeu prapë se prapë «bërtiste edhe më fort». Nganjëherë lutja jonë duhet të jetë edhe më e fortë kur të tjerët (njerëzit apo edhe djalli) na thonë të heshtim. Lutja kërkon edhe këmbënguljen.

Kjo britmë e Bartimeut është edhe plot me domethënie në formulimin e saj. Ai i drejtohet Jezusit duke i thënë «Biri i Davidit». Izraeli besonte – i mësuar nga Shkrimet e Shenjta – se Mesia do të vinte nga fisi i Davidit, mbretit të lavdishëm. Kështu, pra, Bartimeu njeh në Jezusin Mesinë e premtuar nga Hyji dhe beson se Jezusi është i dërguari i shumëpritur i Hyjit.

E i kërkon të ketë mëshirë: «Jezusi, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!» Kjo kërkesë për mëshirë, tregon se aso kohe mbizotëronte bindja se verbëria ishte ndonjë mallkim që Zoti ia çonte dikujt për shkak të mëkateve të bëra nga ai apo nga ndonjë familjar i veti.

Bartimeu është i bindur se nga Jezusi mund të fitonte mëshirë. E, në fakt, Jezusi, me jetën dhe veprat e Tij, po e tregonte çdo ditë e më shumë se ishte i mëshirshëm. Jezusi mishëronte në vetvete atë që Hyji në leximin e parë thoshte për vete: «Ja unë po i kthej nga toka e Veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët [...], sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.» Jezusi me jetën e Tij po tregonte fytyrën atërore të Hyjit.

Edhe leximi i dytë thotë se Jezusi është Biri i Hyjit, kryeprifti që në amshim ndërmjetëson tek Hyji për ne. Ai e realizon vërtet atë që një kryeprift duhej të bënte në Izrael: të ishte «në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë dhe gënjehen».

Jezusi pra është Biri i Hyjit që ka mëshirë për ne. Prandaj kjo lutje («Jezus, Biri i Hyjit, ki mëshirë për mua!») është bërë shumë e dashur në traditën e Kishës dhe praktikohet shumë, sidomos në kishat bizantine.

E i verbëri, falë fesë dhe lutjeve të tij këmbëngulëse, e fitoi Hirin që kërkonte. Jezusi ia kthen dritën e syve dhe ia tregon edhe arsyen përse e fitoi këtë hir: «Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi.» Sikur ne të kishim edhe ne pak më shumë fe, patjetër që do të na ndodhnin shumë më shumë mrekulli në jetë. Është e vërtetë se Hyji disave ua jep dhuratën e mrekullive në mënyrë më të fortë, por të gjithë ne do të kishim hire më të shumta, sikur të kishim më shumë fe. Të mësojmë shumë nga feja e Bartimeut. Do ta shohim se kjo është e vërtetë.

Duket se historia mbaron këtu, por jo. Jezusi i tha: «Shko lirisht!», por ai nuk shkoi. Ungjilli thotë: «Aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.» Pasi e fitoi dritën e syve, fitoi edhe dritën e brendshme të fesë.

Do të na dukej shumë normale sikur Bartimeu të kishte shkuar në shtëpinë e vet e të kishte bërë jetën që kishte ëndërruar, por nuk bëri ashtu. Ai e kuptoi se jetën e vërtetë e ka duke qëndruar me Jezusin dhe duke i përngjarë Atij. Shërimi i mrekullueshëm që i bëri Jezusi, nuk i shkoi kot, sepse i bëri të mundur mrekullinë tjetër edhe më të madhe: ndjekjen e Jezusit.

Fundi i kësaj historie të shkurtër të treguar nga Ungjilli, na lë të kuptojmë se aty filloi një histori tjetër shumë e gjatë e Bartimeut në ndjekje të Jezusit. Këtë histori ne nuk e njohim, sepse nuk flitet më askund në ungjij për të, por do të mund ta imagjinonim lehtë nëse edhe ne do të viheshim në ndjekje të Jezusit.

Ndoshta prandaj Provania Hyjnore nuk ka dashur që të flitej më për Bartimeun në vazhdim, sepse Bartimeu tani duhet të jemi secili prej nesh. Mrekullitë e ndryshme që Jezusi bën në ne çdo ditë, ishte dashur të na çonin në ndjekjen e Jezusit. «Feja nuk është thjesht të kesh devocion ndaj një shenjtëroreje, por është shtegtim i pafund i zemrës», shkruante në shekullin e kaluar rabini polako-amerikan, Abraham Joshua Heschel.

Ndjekja e Jezusit me fe të gjallë është mrekullia e vërtetë të cilën Jezusi dëshiron të realizojë te secili njeri që i shkon pas. Jo rastësisht në Ungjillin e Markut kjo është mrekullia e fundit që bën Jezusi në veprimtarinë e tij publike. Shën Marku dëshiron të na thotë se të gjitha mrekullitë e Jezusit kishin këtë qëllim: t’i përgatisnin nxënësit e tij ta ndjekin Atë në «udhën» e Tij drejt Kryqit.

Këtë t’i kërkojmë edhe ne Jezusit: që të na japë dritën e vërtetë të shpirtit, që të mund të shkojmë pas Tij. Feja e gjallë në Jezusin, do të na ndihmojë të kundërshtojmë turmat që mund të na pengojnë të rendim pas tij dhe do të na ndihmojë t’i përngjajmë Atij që shkon drejt kryqit, drejt sakrificës për shkak të dashurisë që ka për Atin dhe për ne.

Të mos vlejë edhe për ne ajo thënia provokuese e Niçes, filozofit të njohur gjerman në shekullit XIX: «Në fund të fundit, ka ekzistuar vetëm një i krishterë e edhe ai vdiq në kryq.»

Niçe njihet si njëri prej kritikëve më të ashpër i krishterimit. Kjo thënie e tija tregon se ai e vlerësonte Jezusin (edhe pse në mënyrën e tij), por, me sa duket ishte i shkandulluar nga hipokrizia e atyre që pohonin se ishin të krishterë, por që me jetën e tyre nuk e ndiqnin Jezusin deri në kryq.

Dom Dritan Ndoci

 

26 tetor 2024, 11:26