Tutti i santi Tutti i santi

Shenjtorët e javës 27 tetor – 3 nëntor

E diel 27 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, ciklit të dytë. E gjithnjë më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë.

R.SH. - Vatikan

E diel 27 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, ciklit të dytë. E gjithnjë më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. 

Ungjilli i kësaj së diele të 30-të gjatë vitit kishtar nga Marku flet për Bartimeun e verbër, që humbi dritën e syve, apo dritën e fesë e, duke qenë i vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, ia besoi vetveten Zotit. Rifitoi, kështu, plotësisht dinjitetin njerëzor dhe u bë dishepull i Jezu Krishtit. Bartimeu përfaqëson njeriun, i cili ka nevojë për dritën e Hyjit, dritën e fesë, që ta njohë me të vërtetë realitetin e të ecë në rrugën e jetës.

Të hënën më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar përkujton shenjtorët Simonin e Juda Tadeun, Apostuj. 

Të martën më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës, shën Gaetanin e shën Onoratin. 

Të mërkurën më 30 tetor, kalendari përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas e shën Marçanin e Sirakuzës. 

Të enjten më 31 tetor, kalendari përkujton shën Alfonsin Rodriguez, jezuit. 

Të premten më 1 nëntor, Kisha katolike romake do të kremtojë të festën e Të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Të shtunën më 2 nëntor bie Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Të dielën e ardhshme më 3 nëntor Kisha katolike do të kremtojë të  Dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 3 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Martinin e Porres dhe shën Silvia, nëna e shën Gregorit të madh. 

27 tetor 2024, 09:05