E Diela e Larit në art, parafytyrimi i shpëtimit
R.SH. - Vatikan
Të gjithë ungjijtë shkruajnë se Jezusi hyri në Jeruzalem hipur mbi gomar a kërriç dhe kaloi mes turmës festive, që tundte degët blerta të palmave. Secili ungjilltar e tregon këtë episod me hollësi të sakta (Mateu 21, 6-9; Marku 11, 4-11; Luka 19, 32-38; Gjoni 12, 14-16) të cilat i gjejmë “të përkthyera” përmes figurave, në art, duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit të 4-t. Është një skenë, që zhvillohet tërësisht në profil, si të donte ta theksonte lëvizjen e Krishtit, të ngjashme me shumë figura të mëparshme, të lidhura me mbërritjen solemne të perandorit në qytetin e quajtur Adventus. Ikonografia e krishterë huazon ikonografinë klasike të Romës perandorake dhe ia dhuron shikuesit të transformuar, me simbole dhe kuptime të reja.
Në pikturë, Krishti i vetëm, në mes të turmës brohoritëse
E Diela e Palmave është festë prekëse: çasti i fundit i gëzimit, para mundimeve. Sytë e Jezusit shikojnë larg, ndërsa ai ecën mes turmës brohoritëse dhe të pavetëdijshme, në përgatitje të asaj, që do të ndodhë.
Edhe në art, si në ungjijtë, figura e Krishtit të kujton vetminë. Një vorbull heshtjeje, ndërsa përreth vlon zhurma e turmës.
Kjo figurë, që paraqitet shpesh, sidomos në sarkofagë, me skena të tjera biblike nga Besëlidhja e Re dhe e Vjetër në mesin e shekullit të katërt, e që gjindet pak a shumë në të gjitha epokat, arrin kulmin e saj shprehës me Giotto-n dhe Pietro Lorenzetti-n.
Jezusi duket i ri, i veshur me tunikë dhe pallium. Dora e tij ngrihet në gjestin e adlocutio, domethënë, të fjalës. E nget gomarin, me kërriçin e ri, që përmendet në Ungjij pranë tij, ndonëse jo gjithmonë. Një figurë disi më e vogël shihet pikërisht duke shtruar një mantel nën thundrat e kafshës. Rreth, shumë detaje, të gjitha me kuptim të saktë simbolik
Simbolet e lashta
Apostujt e shtrojnë truallin me petkat e veta dhe kështu shprehin bashkimin e tyre të plotë me Mesinë. Gomari zëvendëson kuajt e fisnikëve, karakteristikë për personalitetet e Romës pagane dhe përfaqëson mbretërinë e butësisë, të propozuar nga Krishti. Është kafshë e lidhur gjithnjë me metafora kontradiktore, gjithashtu edhe protagonist - kujtoni për shembull gomarin e famshëm të Artë krijuar nga Apuleius, e, në kohët moderne, përrallën e Pinokut – e edhe historitë që flasin për udhëtime dhe shndërrime të njerëzve në gomarë nëpër botë të errëta dhe irracionale gjatë shtegtimeve për të arritur botët e ndritura të dijes.
E njëjta gjë vlen edhe për palmën, simbol bukurie dhe më pas, simbol i krishterë i martirizimit dhe i fitores qiellore. Në mjedisin mesdhetar, ku palma nuk rritej, nisi të përdorej ulliri, simbol kryesor, së bashku me hardhinë dhe grurin. Megjithatë, duhet theksuar se vetëm Gjoni flet në mënyrë të qartë për palmën, ndërsa ungjijtë e tjerë nuk e përmendin këtë bimë të veçantë, por kufizohen të flasin për gjethe të prera nga pemët.
Porta e Jeruzalemit, e pasqyruar mirë, thekson kuptimin themelor të kalimit, me një kufi që mbyll dhe mbron qytetin, simbol i rendit dhe arsyes, logos, kundër fshatit parë si kaos.
Shëmbëlltyra e Zakeut
Në këtë ikonografi narrative, në dukje të thjeshtë, në kompleksitetin e saj të mbushur me njerëz, ka një detaj të veçantë. Duke u ngjitur në një pemë, lart, është një burrë. Të duket se është se është figurë anonime dhe se ndodhet aty për të prerë gjethe nga pema e për të nderuar Zotin. Dhe kështu është, por mendja vrapon drejt një figure tjetër identike, të përshkruar shpesh në art. Është figura e Zakeut. Tagrambledhësi, i urryer nga të gjithë, shtatvogël siç ishte – nga dëshira për ta parë Jezusin që kalonte në mes të turmës - ngjitet në majë të një fiku(Luka 19, 1-10). Jezusi e sheh atë dhe ia ndryshon sakaq jetën. E kjo ikonë na flet për vetëdijen e artistëve, që i bëjnë penelin dhe ngjyrat të flasin për shëlbimin, si për Zakeun, ashtu edhe për ata, që e njohin Krishtin si Mesi në portat e Jeruzalemit, atë Ditë, e cila mbeti në histori me emrin: “e Palmave”