CCEE, përfundoi asambleja në Maltë: "Hapa të rinj për një Kishë sinodale në Evropë"
R.SH. / Vatikan
Në qendër të asamblesë plenare, e cila mblodhi së bashku kryetarët e Konferencave Episkopale të Kishave Katolike të Evropës (CCEE) nga 27 deri më 30 nëntor në Valetta, Maltë, ishin disa nga sfidat sinodale të kontinentit të vjetër që u nënvizuan menjëherë në hyrjen e punimeve nga Kryeipeshkvi Gintaras Grušas, president i organizmit, i cili nënvizoi “përkushtimin e ipeshkvijve për një Kishë gjithnjë e më sinodale siç kërkohet nga Papa Françesku dhe angazhimin e Kishave Evropiane në luftën kundër abuzimit, duke ripohuar detyrën për t'i luftuar ato me veprime parandaluese konkrete dhe efikase".
“Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor, protagonizmi i të rinjve, valët e reja të migrimit, persekutimi i fshehur i të krishterëve në Evropë dhe kufijtë e rinj të inteligjencës artificiale” dhe çështje tjera me urgjencë të veçantë ishin në qendër të punimeve të kësaj asambleje. Por, thuhet në deklaratën përfundimtare, “sfida më e madhe për Kishat e Evropës mbetet ajo e ungjillëzimit, për të shpallur në një Europë të tunduar gjithnjë e më shumë nga laicizmi, fundamentalizmi dhe nacionalizmi populist, gëzimin e Ungjillit që buron nga takimi me Krishtin.
Ipeshkvijtë dhe drama e luftërave aktuale
“Ipeshkvijtë evropianë shikojnë gjithashtu me shqetësim të madh skenarët e luftës: atë në Ukrainë që tani është në vitin e dytë, situatën në Nagorno Karabakh dhe konfliktin në Tokën e Shenjtë, duke përsëritur jo-në e tyre ndaj luftës dhe duke rinovuar apelin për një armëpushim definitiv, kërkesën për të vazhduar me lirimin e pengjeve dhe hapjen e korridoreve humanitare në Gaza”. Në takimin e ipeshkvijve evropianë iu kushtua një hapësirë e mjaftueshme edhe çështjeve që lidhen me Sinodin e Kishës: sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, i pranishëm në asamble, "trajtoi temën e shërbesës ipeshkëvnore në një Kishë sinodale, ndërsa kardinali Jean-Claude Hollerich SJ, relator i përgjithshëm i Sinodit foli për rolin e strukturave mbikombëtare në rrugën sinodale. Kardinali Grzegorz Ryš, kryeipeshkëv i Lodz, prezantoi raportin e Grupit të punës për përditësimin e Charta oecoumenica, dokumentin e bashkëpunimit ndërmjet Kishave të Krishtere në Evropë, nënshkruar nga Këshilli i Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (KQZ), në 2001”.
Plenari i radhës në Beograd në qershor 2024
Mëtej komunikata përfundimtare e kryetarëve të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE) informon se, "njëzëri, ipeshkvijtë vendosën të transferojnë selinë e Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës nga Shën Gallen (Zvicër) në Romë gjatë vitit 2024 dhe, në të njëjtën kohë, shprehën mirënjohjen ndaj Kishës Zvicerane, dhe në veçanti ndaj dioqezës së Shën Gallen, për pritjen dhe bujarinë me të cilën e kanë shoqëruar punën e Sekretariatit të Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE) gjatë gjithë këtyre viteve. Anëtarët e Këshillit i zgjatën edhe për një vit mandatin meshtarin Martin Michaliček si sekretar i përgjithshëm i këtij organizmi, detyrë në të cilën u emërua në vitin 2018”. Së fundi, njoftimi se “asambleja plenare e radhës do të mbahet në Beograd nga 24 deri më 27 qershor 2024, me ftesë të Kryeipeshkvit Ladislav Nemet, nënkryetar i Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE).