Fjala e Zotit, e Diela I e Ardhjes ‘B’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Liturgjia e Fjalës së Zotit në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, viti "B"
Fillon koha e Ardhjes, pra koha e pritjes për ardhjen e Zotit Jezus në lavdi. Nuk është koha e përgatitjes për festën e Krishtlindjes, por e përgatitjes për atë ngjarje që vetë Jezusi u tregoi dishepujve të tij si ngjarje përfundimtare, një ngjarje në të cilën drejtësia do të vendoset përfundimisht dhe Mbretëria e qiejve e shpallur prej tij do të përmbushet. Thirrja e Kishës në këtë kohë është ajo e Nuses, e cila së bashku me Shpirtin, lutet e thërret: «Eja, o Zot Jezus! Maranà tha!” (Zbulesa 22,17.20; 1 Kor 16,22).
Gjatë këtij viti të ri liturgjik tё Kishёs, ciklit të dytë, nën udhëheqjen e Shën Markut Ungjilltar, do të njihemi çdo ditë, çdo të diele, çdo të kremte liturgjike me jetën, veprën dhe porosinë e Zotit tonë Jezu Krisht, Shpëtimtarit të mbarë njerëzimit.
Pra, fillojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, për pritjen e Zotit që i përshkon udhët tona njerëzore dhe vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë. Zoti kërkon një zemër të gatshme për të banuar, për t’u mishëruar e për të realizuar veprën e shëlbimit. Krishtlindja do të thotë pikërisht Mishërim i Zotit Jezu Krisht në natyrën tonë njerëzore dhe në jetën tonë personale.
Krishtlindja është dëshmim i faktit se Zoti e ka përqafuar natyrën tonë njerëzore, se Zoti, me dashuri, ka marrë mbi vete të gjitha të dobësitë tona njerëzore, të gjitha kufizimet, vështirësitë, mëkatet tona, të gjitha ato të këqija pikërisht për të na liruar nga ky robërim vdekjeprurës shpirtëror e njerëzor. Këtë Ai e ka realizuar përmes Dashurisë së Tij të pakufishme Hyjnore, të cilën e mishëroi dhe e dëshmoi në Jezu Krishtin mbi Kryq dhe me Ngjalljen e Tij, do të thotë me ngadhënjimin e Tij përfundimtar mbi të këqijat, mbi djallin e mallkuar e mbi vdekjen.
Fjala e Zotit gjatë katër të dielave të kohës së Ardhjes, që paraprijnë dhe na përgatisin për festën e Krishtlindjes, na propozon personazhe apo figura madhore biblike që na ndihmojnë e na udhëheqin në udhën tonë shpirtërore drejt Shpellës së Betlehemit, vendlindjes së Jezusit, për të gjetur e përqafuar Zotin e Mishëruar për dashuri, e këta janë: Virgjëra Mari - Zoja e Bekuar, Izaia profet dhe Gjon Pagëzuesi.
Fjala e Zotit e kësaj së Diele të Parë të Ardhjes na thërret ta presim Krishtin të zgjuar, të gatshëm e të aftë për t'i njohur e kuptuar shenjat e pranisë së Tij Hyjnore mes nesh. Duhet të jemi të përgatitur e kurdoherë të gatshëm, sepse Zoti vjen atëherë kur nuk e mendojmë dhe nuk e presim, pra, vjen papritmas, kështu është mirë për ne, që kur të vijë në jetën tonë, të na gjejë zgjuar e të përgatitur, për ta pranuar në zemrat tona. Koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje por është edhe kohë e volitshme për t’ia kushtuar dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe bashkimit tonë përreth saj, sepse Fjala e Zotit është dritë për hapat tanë në jetën e përditshme.
LITURGJIA E FJALËS
Leximi i pare(Is 63, 16-17; 64, 1-7)
Profeti Isaia i drejtohet Hyjit me emrin –Atë- që është qendra e besimt tonë, sepse kështu Hyji u zbulua në Krishtin Jezus që ne e presim në Krishtlindje si vëllain tonë të bërë njeri si ne. Për këtë Hyji thërret secilin prej nesh të bëhet Bir në një besëlidhje dashurie. Ai na siguron mbë-shtetjen e tij, ndërsa ne duhet të kemi besim në të , ta duam dhe t’i shërbejmë.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Sepse ti, o Zot, je Ati ynë! Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi; por ti, o Zot, je Ati ynë, shpëtimtari ynë: i amshueshëm është emri yt. Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua, pse na e ngurove zemrën që të mos të druam? Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu, për dashuri të fiseve të pronës sate! U bëmë tash një kohë të gjatë si ata, të cilët ti nuk sundon, asish, mbi të cilët s’u thirr emri yt.
Ah, sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje, para fytyrës sate malet do të dridheshin, sikurse zjarri që i djeg krandet, dhe ujin e bën të vlojë – që armiqtë e tu t’i bësh ta njohin emrin tënd. Para fytyrës sate paganët do të dridhen kur të besh mrekulli që ne nuk i shpresonim. Ti zbrite e para fytyrës sate malet u dridhën! Qysh se ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, se një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastri, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era. S’është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë. Megjithatë, Ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua. Fjala e Zotit!
Psalmi 80 (79)
Ref: Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
_____________
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
_____________
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
_____________
Leximi i dytë (1 Kor 1, 3-9)
Të krishterët kanë marrë nga Hyji dhuratën e Krishti, kanë mësuar Ungjillin e tij, dhe tani njohin mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit. Këto dhurata rriten nga dita në ditë deri në shfaqjen e plotë të Zotit në ne. Ardhja na fton për një shpresë bashkimi të përkryer me Krishtin, të themeluar mbi përvojën e pranisë së tij që qysh tani ndriçon jetën tonë.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që jua dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka – në çdo dije. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në ditën e Zotit tonë Jezusit. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Fjala e Zotit!
ALELUJA, Aleluja.
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde,
dhe na e jep shëlbimin tënd.
Aleluja.
Ungjilli (Mk 13, 33-37)
Vigjiloni: është urdhëri i Zotit. Vigjilimi nuk është pritja e një të ardhmjeje të largët, por mikpritja e një të tashmjeje të gjallë: mbretëria e Hyjit është tashmë këtu. Të vigjilosh do të thotë të lexosh të tashmen dhe të zbulosh amshimin. Nuk jemi kurrë mjaft zgjuar dhe të aftë për të pranuar Hyjin që gjendet shpesh aty ku ne me mençurinë tonë të varfër nuk e kishim parashikuar.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes – që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.
Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!” Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA I E ARDHJES - RRINI ZGJUAR!
Is 63, 16-17; 64, 1-7; Ps 80 (79); 1 Kor 1, 3-9; Mk 13, 33-37
Është prekëse mënyra se si fillon Leximi i Parë i kёsaj sё diele nga Isaia profet. Bëhet fjalë për një lutje që Izraeli po i drejtonte Hyjit në një kohë shumë të vështirë të historisë së vet, në kohën e mërgimit në dheun e huaj të Babilonisë. E lutja fillon me këto fjalë: «Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi, por ti, o Zot, je Ati ynë, Shpëtimtari ynë».
Sikur autori i këtyre rreshtave ka dashur t’ia “kujtojë” Hyjit se ka një popull, një popull i cili nuk mund të cilësohet si populli i Abrahamit apo i Izraelit (Jakobit), sepse ata ishin thjesht njerëz, por është populli i Hyjit: «Ti, o Zot, je Ati ynë».
E kjo lutje bëhet vërtet prekëse në fjalët «Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të Tua, pse na e ngurove zemrën që të mos Të druajmë? Kthehu, për dashuri ndaj shërbëtorëve të Tu, për dashuri të fiseve të pronës Sate».
Janë mallëngjyese këto fjalë sepse nënkuptojnë dy gjëra njëkohësisht: vetëdijen e qartë se populli i Izraelit ka mëkatuar dhe e ka thyer Besëlidhjen e dashurisë me Hyjin e vet, si edhe vetëdijen, po aq të qartë, se ka një Hyj që, kur thirret mëshira e Tij, Ai me siguri “ndryshon mendim” dhe e falë mëkatin.
Besimtari i vërtetë nuk është ai që nuk ka mëkatuar kurrë, por ai që, edhe kur mëkaton, ka thellë në shpirt sigurinë se Hyji do ta falë. Kjo e bën atë të ngrihet sërish në këmbë, të kërkojë mëshirë dhe t’i lutet Hyjit të vet që të mos e braktisë më, që do të thotë të mos e lejojë më që të largohet prej Tij: «Ati ynë je, o Zot: jemi argjilë e Ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të Tua».
Jezusi në Ungjillin e sotëm i përsërit tri herë fjalët «Rrini zgjuar!». Tri herë, brenda një fjalimi kaq të shkurtër! Të rrish zgjuar, mbase nënkupton pikërisht atë gjendje të zemrës që u përshkrua më sipër nga rreshtat e leximit të parë që cituam: do të thotë të jemi gjithnjë në kërkim të Hyjit, në kërkim të mëshirës së Tij, në kërkim të përsosjes në jetën tonë si bij e bija të Hyjit.
Me këtë të dielë të parë të kohës së Ardhjes, Kisha fillon një kohë përgatitjeje të dyfishtë: përgatitjen për të kremten e Krishtlindjes – përkujtimi i ardhjes së parë të Jezusit në këtë botë – dhe përgatitjen për ardhjen e dytë të Jezusit në fundin e kohëve. Por, unë i rendita gabim, sepse, duke u bazuar tek leximet që do të dëgjojmë për tri të diela rresht, më parë theksi do të vihet tek ardhja e dytë e Krishtit, pastaj – sidomos gjatë Nëntëditëshit të Krishtlindjes – do të fokusohemi në përkujtimin e ardhjes së parë të Krishtit.
Për këtë arsye pra, edhe në këtë të diel, Shkrimi Shenjt, përpiqet të na ndezë një dritë që na ndriçon mbi kuptimin e ardhjes së dytë të Krishtit në fundin e kohëve.
E thamë edhe më sipër, Jezusi tri herë rresht e porosit në këtë tekst ungjillor Kishën e Tij që të rrijë zgjuar. Ungjilli nuk thotë se Jezusi «u tha turmave», por «u tha nxënësve të vet»: është meraku i Jezusit që, ata të cilët kanë filluar të besojnë në të, të mos habiten, të mos humbasin mes përkujdesjeve të kësaj botë, por ta ruajnë të gjallë në shpirt besimin në të. Askush nuk ka bërë ndonjë kontratë të veçantë me Hyjin se do ta ketë të garantuar Parrizin. Disa histori shenjtërish që dëgjojmë, në të cilat duket sikur Zoti atyre ua kishte siguruar lumturinë e Parrizit kur ishin ende në këtë botë, duhen kuptuar brenda një konteksti mistik aspak të lehtë për t’u shpjeguar, e jo si kontrata apo garanci të Hyjit.
Një herë thuhet se një Frat shkoi te ankohej të Shën Françesku i Asizit se kishte shumë tundime, sidomos kundër pastërtisë, dhe se kishte frikë se mos do të mëkatonte. Por Frati u çudit edhe më shumë kur edhe Shenjti iu përgjigj: «Deri sa të kem mbyllur sytë për këtë botë, as unë nuk mund t’i besoj vetes». Megjithatë Varfanjaku i dashur i shkroi një lutje që ta mësonte e pastaj ta luste shpesh dhe thuhet se, fratit që i lypi ndihmë, tundimet iu larguan shumë.
Duhet të rrimë zgjuar, duhet ta ruajmë fenë, duhet ta kultivojmë atë, ta ushqejmë, të kërkojmë ilaçe shërimi kur e ndiejmë se jemi keq shpirtërisht apo në mëkate, njësoj siç bëjmë për sëmundjet e trupit, përndryshe, ardhja e dytë e Krishtit nuk do të jetë ardhje e gëzueshme për ne, por ardhje trishtimi, sepse do të na gjejë larg Tij.
Është shumë interesant fakti se Jezusi nuk e ka treguar kurrë kohën e saktë se kur do të jetë kjo ardhje e dytë e Tij. Arsyeja mbase gjendet te fakti se, nëse ne vërtetë do të kishim një fe të gjallë në Hyjin në jetën tonë të përditshme, nuk do të kishte kuptim ta dinim as orën e as datën.
Ta zëmë se një çift të martuarish jetojnë larg njëri-tjetrit për arsye të ndryshme për një farë kohe. A do të kishte kuptim që ata të kujtoheshin se duhet ta duan njëri-tjetrin vetëm kur u afrohet data që të takohen? Ata e dijnë shumë mirë se janë lidhur përjetësisht bashkë. Edhe pse rrethanat kanë bërë që ata të largohen fizikisht nga njëri-tjetri, dashurinë e besnikërinë për njëri-tjetrin duhet ta ruajnë e ta kultivojnë në çdo orë e ditë të jetës.
Mbase Ati i amshuar me dashje nuk na e ka treguar orën e fundit të kohëve. Mbase prandaj Birit të Tij i ka porositur t’i thotë njerëzimit vetëm që të rrijë zgjuar e asgjë më shumë. E Biri atë ka bërë: «Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmbje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes, që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur».
Ati ka dashur që ne ta duam pa interes. Ta duam sepse ai e meriton tërë dashurinë tonë, jo ngaqë e kemi frikë. Në Birin e vet Ai na ka porositur jo vetëm të rrimë gati gjithnjë, por edhe na ka pajisur me hiret e nevojshme që të dimë ta ruajmë fenë, që të dijmë të presim. Në leximin e dytë Shën Pali është plot gëzim për dëshminë e fesë që ka dëgjuar se janë duke dhënë korintasit: «Aq shumë u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, saqë nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit». Pastaj ka edhe shpresën se Krishti do t’i ndihmojë besimtarët e vet të jenë gati për ardhjen e Tij të dytë: «Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit».
Por ka diçka që duhet kuptuar: «Hiri», apo «forca» që Hyji na jep në këtë ecje tokësore, ndërkohë që është «ndihmë» për të ruajtur fenë, për të qëndruar zgjuar, është edhe si «page paradhënieje», që do të thotë se na paralajmëron se një ditë do të bashkohemi krejtësisht me Hyjin, për të cilin e ndiejmë qysh këtu në tokë se jemi bërë.
Këtu në tokë e ndiejmë se jemi bërë për Hyjin, por njëkohësisht e shohim çdo ditë se brishtësia jonë shpesh i kundërshton këtij Hiri Hyjnor dhe i kthehemi jetës së mëkatit. Prandaj, në një farë mënyre, do të na vinte vetvetiu t’i luteshim Jezusit që të mos e lërë të zgjasë shumë kjo gjendje përçarjeje që ndiejmë brenda nesh dhe ta përshpejtojë kohën e ardhjes së Tij.
Do të donim edhe ne të luteshim ashtu si lutet Isaia profet në leximin e parë: «Ah, sikur Ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje!» Kjo dëshirë e shpirtit të besimtarit, nuk është shenjë e ndonjë depresioni apo e ndonjë dëshire për të mos jetuar më, por është shprehje e dëshirës më të thellë që fshehë zemra jonë: se jemi bërë për Hyjin: «Na ke bërë për ty, o Zot, e zemra jonë nuk gjen paqe derisa të mos pushojë në ty» – shkruante Shën Augustini. E, ndërkohë që Shën Augustini e shkruante këtë, nuk ishte thjesht në pritje të vdekjes, por kishte mbledhur rreth vetes një shumicë të mahnitshme njerëzish plot me dëshirën për të jetuar e për të dashur, si Hyjin ashtu edhe njerëzit.
I krishteri pret, por ai e di se ajo e tija është një pritje aktive, plot me fe e dashuri. Gjithë këtë i krishteri e bën i bindur se, gjithësesi, «pagën» nuk do ta marrë kurrë të plotë në këtë botë, por vetëm kur të bashkohet krejtësisht me Hyjin e vet.
Të krishterët e vërtetë të të gjitha breznive e kanë kuptuar këtë shumë qartë. E kanë kuptuar se Jezusi kështu e donte Kishën e vet. E kanë kuptuar se Jezusi nuk u tha që të rrinin zgjuar vetëm atyre që i rrinin përreth atë ditë kur po fliste, por po ua thoshte ato fjalë të krishterëve të çdo kohe e të çdo vendi: «Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!»
Dom Dritan Ndoci