Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja në folklor, në kryevepra proze (Emisioni II)

Krishtlindja është festë që shoqërohet me zakone, doke e kremtime: shoqërore, familjare, fetare, folklorike, të ndryshme nga vendi në vend. Edhe në viset shqiptare

R.SH. / Vatikan

 Krishtlindja në kryevepra proze, sot vijojmë me Krishtlindja në folklor (Emisioni II).

Vijojmë me kremtimin e Krishtlindjes, burim frymëzimi për të gjithë popujt. Sot do të flasim për doket e zakonet e Festës së Madhe ndër popujt e botës

Krishtlindja është festë që shoqërohet me zakone, doke e kremtime: shoqërore, familjare, fetare, folklorike, të ndryshme nga vendi në vend. Edhe në viset shqiptare. Të shumta, traditat, praktikat e simbolet familjare të Këshndellës, duke nisur nga Shpella e Betlehemit, tek Bredhi i Festës, e duke vijuar me gjellët e ëmbësirat tradicionale të kësaj dite të madhe. Dikund përgatitet gjeldeti i pjekur, në një skaj tjetër të botës, lakrori me qepë dhe ngjala e kripur, tjetërkund, këmbë të mbushura derri. Pastaj, gjithfarë lloj sallamesh e djathërash... Vijohet me ëmbëlsirat, natyrisht: me tortën, trungun e Krishtlindjes, panetonen, pandorën, dredhanikun, bakllavanë, kadaifin.... Art edhe ky! Të gjitha, shoqëruar me lloje të ndryshme pijesh. Ndër ne, raki e verë. Dikund tjetër, shampanjë, që shkumbon nga shishja posaçërisht në mesnatën e festave.

Të mos harrojmë: figurë kryesore e festës është Krishti fëmijë. Por edhe Plaku i Vitit të Ri, edhe ky i lindur në djepin e krishterimit. Ndërsa Bredhi i parë i Krishtlindjes nisi të stolisej në Gjermani.

Tëpër të pasura, traditat, që herë u pranuan e herë u kundërshtuan nga sunduesit. Disa herë, në vise e kohë të ndryshme, u arrit deri në atë pikë, sa të ndalohej rreptësisht kremtimi i Krishtlindjes. U ndalua, për shembull, në Anglinë kromveliane, ku lulëzoi një teokraci thellësisht konservatore. Në Francën e Revolucionit borgjez e të Komunës së Parisit. Pastaj në kolonitë e para amerikane të New England. E më pranë kohëve tona, në Bashkimin Sovjetik dhe në të gjitha vendet satelite, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Për vite e vite me radhë besimtarët katolikë e bënë fshehurazi Shpellën e Betlehemit. Për vite e vite nuk munden të ndjekin Meshën tradicionale të mesnatës. Të djegin dëllinja. T’i falen Buzmit bujar. T’i këndojnë lumni Zotit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë. Sepse sundimtarët nuk kishin më vullnet të mirë. Njerëzit, nuk kishin paqe. E kënga  qiellore e engjëjve shurdhohej nga të shtënat e mitrolozëve mbi trupin e atyre, që vijonin ta ngrohnin Foshnjën Hyjnore me gjak të valë!

Po edhe sot Dëshmitarët e Jehovait dhe disa grupe puritane e fondamentaliste kristiane, e shikojnë Krishtlindjen si festë pagane sepse, sipas tyre, nuk përmendet në  Bibël e, prej këndej, nuk duhet kremtuar.

Krishtlindja shoqërohet me një mori festash të tjera, para e pas. Duke nisur nga festa e Shën Kollit, më 6 dhjetor e duke përfunduar me Dëftimin e Zotit, më 6 janar.

Ndër zakone të Krishtlindjes numërojmë kartolinat e urimet (sot e-mail-et); gatitjen e Shpellës së Betlehemit, stolisjen e Bredhit të Këshndellës, zbukurimet e festës, drekat e darkat, kremtimet e doket fetare, shfaqjet folklorike vendase. Dhuratat, sidomos. Janë aspekt i rëndësishëm e universal i kremtimit të Krishtlindjes.

E kudo mendohet për shkëmbimin e dhuratave, të pranishme në festën e madhe dimërore që para  fillimit të krishterimit. Kremtimet e solsticit dimëror ishin shumë të pranishme në popujt e veriut edhe para se të zëvendësoheshin me traditat e krishtera.  Tepër e përhapur në mbarë botën figura mitike, që i sjell dhurata fëmijëve, me origjinë nga Shën N’kolli, ipeshkëv i shekullit IV. Prej këndej, në viset e ndryshme verievropiane vijon të quhet me emrin e Shenjtit: Santa Claus. Figura kuq e bardh, që shpërndan dhurata, në Veriun e Amerikës e në kolonitë angleze u quajt Sintercllas, për t’u bërë, pastaj, Santa Claus, ose Saint Nick. Francezët e quajnë Père Nöel, italianët, Babo Natale, shqiptarët, Plaku i Vitit të Ri. Ky personazh paraqitet si plak shulak, simpatik e plot gjallëri. Vjen Natën e Festës i hipur mbi një slitë, tërhequr nga kapronjtë. Zbret gjatë rrugës, u lë dhuratat fëmijëve e ha ç’të gjejë. Pjesën tjetër të vitit e kalon duke lexuar letrat, që i dërgojnë fëmijët e duke përgatiur dhuratat për vitin tjetër.  Kush nuk beson në të, nuk e pret. Dhuron pa e përfillur e merr dhurata, pa pritur të vijë Plaku zemërmirë. Prej këndej, shkëmbimi universal i dhuratave xixëlluese të festës gazmore të dimrit, që i ngroh njerëzit mes ngricave, duke e ndezur flakë me fishekzjarre edhe qiellin e ngarkuar me re e flokë dëbore vijon, në shekuj.

Vjen, pastaj Befana. Përsëri dhurata: çorape me karamele e ëmbëlsira. E pastaj, dimër i ftohtë, deri në Ditën e Ringjalljes së natyrës e të shpirtit njerëzor. Sepse me Befanën mbarojnë të gjitha festat dimërore. E i krishteri pret Pashkët.

Krishtlindja kremtohet në Evropën Veriore, Qendrore e Jugore, në Rusi, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Perandorinë Britanike, në Amerikën veriore e jugore, si dhe në Azi. Të mos harrojmë edhe një aspekt tjetër të këndshëm të festës, që u pëlqen shumë sa fëmijëve, aq të rriturve: pushimet.

Shumë popullor zakoni për të shkruar kartolina me urime për Këshndella e Vitin e Ri, sidomos në Evropë e në Amerikë. Kartolina e parë “zyrtare” e Krishtlindjes, që mund ta shikoni në faqen tonë të internetit, u realizua në Londër, në vitin 1843 nga John Callcott Horsley (1817-1903). Figurat në kartolinat e festës janë nga më të ndryshmet, kryesisht me subjekte fetare: Familja Shenjte, Shpella e Betlehemit, Kometa... por edhe laike, si Bredhi i Vitit të Ri, Plaku e dhuratat e festës, dëbora e subjekte të tjera të stinës së bardhë. Kartolinat vijojnë të fluturojnë edhe në krahët e postës moderne elektronike. Edhe ne, të dashur dëgjues, do t’ ju dërgojmë një ‘kartolinë elektronike.’. Jo me urimet tona, tepër të thjeshta. Nga vendi ku punojmë, do t’ ju përcjellim urimet e Papës Françesku drejtuar Romës e Botës. Mos harroni t’i ndiqni në Ditëlindjen e Krishtit!

02 dhjetor 2023, 10:43