Kurora e Kohës së Ardhjes, katër qirinj ndriçojnë udhën drejt Krishtlindjes
R.SH. / Vatikan
Kurora e Kohës së Ardhjes është simbol, e zakon shumë i lashtë. Që nga zanafilla, funksioni i Kurorës të Kohës së Ardhjes ka qenë, e është, kryesisht fetar: u kumton afrimin e Krishtlindjes të gjithë atyre, që dëshirojnë të përgatiten për ardhjen e Zotit!
Me sa thuhet, ndriçoi për herë të parë në mjediset e luteranëve gjermanë, vetëm aty nga shekulli XVI, e shumë më vonë, rreth vitit 1839, u përsërit nga pastori protestant Johann Hinrich Wichern, një nga themeluesit e Home Mission, lëvizje pionieristike, që në Gjermani merrej me punën baritore ndër qytete.
Kurora e parë qe një rrotë e madhe prej druri, që kishte shumë më tepër qirinj: njëzet copë për ditët e javës e katër për të dielat. Më vonë kjo traditë tipike për kishat protestante gjermane nisi të jetohej edhe në Kishën katolike. Fillimisht u duk vetëm në mjediset kishtare, por më pas drita e katër qirinjve me katër ngjyra, hyri edhe ndër shtëpitë private, në mbarë botën.
Simbolika
Katër qirinjtë përfaqësojnë katër të dielat e Kohës së Ardhjes. Secili ka një ngjyrë, një emër e një domethënie të veçantë.
Qiriu i parë, ngjyrë vjollce, quhet “i Profetit”, sepse të kujton profecitë mbi ardhjen e Mesisë.
I dyti, edhe ky me ngjyrë vjollcë, është Qiriu i Betlehemit e na kujton qytetin ku lindi Krishti.
I treti, me ngjyrë të papërcaktuar, por të ndryshme nga tri të tjerat, quhet “i Barinjve”, të parët që e panë dhe e adhuruan Mesinë.
I katërti, zakonisht ngjyrë rozë, quhet “ i engjëjve”, të parët që i kumtuan botës lindjen e Krishtit.
E, sipas një tradite shumë të përhapur, katër qirinjtë përfaqësojnë Shpresën, Paqen, Gëzimin e Dashurinë.
E, të mos harrojmë, kur i ndezin qirinjtë, duke nisur nga viti i largët 1839, fëmijët shqiptojnë disa vargje, të cilat pasqyrojnë dëshirën që koha e Pritjes të marrë fund e të arrijnë sa më shpejt te Shpella e Betlehemit, ku do të takohen me Mikun e tyre hyjnor, Jezu Krishtin Fëmijë:
“Eshtë koha e pritjes,
xixëllon një dritë…
Pastaj dhe tjetra
e tjetra shndritë!
Katër qirinj
me flakë, si motit,
lajmërojnë prap ardhjen,
e Birit të Zotit !