Të meditojmë me Ungjillin e së dielës I të Kohës së Ardhjes 'B'
R.SH. / Vatikan
Me këtë të Diele fillojmë Kohën e Ardhjes së Zotit, kohën e përgatitjes për Krishtlindje e, edhe viti ri liturgjik i Kishës, kësaj radhe cikli dytë 'B'. Koha e Ardhjes na flet për pritjen e ardhjes së Zotit në jetën tonë, shpresën, vlerën e jetës së re, që lind e rilind nё Jezu Krishtin. Marku ungjilltar (Mk 13, 33-37) në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele na kujton fjalët që Jezusi u tha nxënësve të vet: “Rrini me kujdes! Rrini zgjuar!". Këto fjalë vlejnë edhe për ne sot, që edhe ne të jemi gati!
Jezusi, në Ungjillin sipas Markut (Mk 13,3-37) na këshillon të rrimë zgjuar, sepse nuk e dimë kur vjen Zoti. Ashtu siç nuk e dinin orën e saktë as Mbretërit Dijetarë e as barinjtë, që u nisën me fe pas yllit kometë, shenjë e Hyjit për t’i udhëhequr drejt lindjes së Birit të vet. Edhe ne të rrimë zgjuar që lindja e Foshnjës Hyjnore të mos na gjejë të papërgatitur, por edhe që në çdo ditë të jetës të jemi të denjë për amshimin. Të ndjekim një pjesë të Ungjillit të kësaj së Diele…
Një fragment nga Ungjilli sipas Markut (Mk 13,33-37)
33 Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. 34 Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e dertarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. 35 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes - 36 që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.
37 Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!
Të lutemi së bashku:
Ti o Zot, vazhdon të veprosh ndërmjet nesh,
por ne jemi udhëtarë të shkujdesur,
që tërhiqemi e mrekullohemi
pas cikërrimash të parëndësishme,
të cilat s’na lënë t’i shohim shenjat e pranisë tënde
të mirësisë e të mëshirës tënde.
Prandaj, Ti na shkund e na thua:
“Kini kujdes…”
Na kërkon të të dëshmojmë
me fjalë e me vepra,
me vendime të vështira e nganjëherë,
edhe tejet shqetësuese,
me kumtimin e Fjalës Tënde e me denoncimin
e çdo gjëje që nuk shkon, që nuk të pëlqen.
Por ne jemi si të fjetur,
zhytur në llogaritë tona të vogla.
Prandaj, na thua me forcë: “Ej, zgjohuni”.
Po o Zot, ky nuk është çast
për të ndenjur duarkyq
për të fjetur mbi dafina
e për të mbrojtur, secili, qëndrimin e vet.
Ti do të kthehesh një ditë në lavdi
e ajo do të jetë kohë vendimtare
për secilin prej nesh e për gjithë njerëzimin.
Ti vazhdon të vish për vizitë, çdo ditë,
e nuk mund t’ia lejojmë vetes
të kalojmë pranë Teje
pa t’i hedhur as sytë.
Është në lojë realizimi i jetës sonë,
jo lumturia e një çasti, por gjithë amshimi!