Aborti, Comece: trishtim për votën e Parlamentit Evropian
R.SH. – Vatikan
E drejta për abort të jetë e drejtë themelore e BE-së: këtë kërkojnë eurodeputetët pas votimit të djeshëm, më 11 prill, në Bruksel, me një mocion të miratuar nga 336 vota pro, me 163 kundër dhe 39 abstenime. Rezoluta ka vlerë politike, por jo normative dhe nuk është e detyrueshme. Me votimin e djeshëm, Këshillit të Evropës i kërkohet ta përfshijë të drejtën e abortit në "Kartën e të Drejtave Themelore" të Bashkimit Evropian, ndërsa vendeve anëtare u kërkohet ta dekriminalizojnë plotësisht abortin në ligjet e tyre dhe të luftojnë çdo pengesë për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë.
Kundërshtimi i fuqishëm i ipeshkvijve evropianë
Keqardhje të thellë për këtë rezultat u shpreh menjëherë nga Át Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece-së, Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian. “Na trishton shumë”, pohon ai, megjithëse pranon se rezultati “ishte i pritshëm, sepse Parlamenti Evropian i kësaj legjislature i ka votuar në mënyrë të ngjashme rezolutat mbi këtë temë”. Kujtojmë se ipeshkvijtë evropianë botuan një deklaratë për këtë çështje, ku paraqiten qartë argumentet e Kishës kundër votës së djeshme.
Jeta është e drejtë themelore, jo aborti
"Argumenti kryesor - shpjegon Át Barrios Prieto - është se aborti nuk mund të konsiderohet e drejtë themelore: e drejtë themelore e njeriut është e drejta për jetën dhe aborti është dukshëm kundër saj". Mohon të drejtën e jetës, pikërisht atëherë kur ajo është më e brishtë, siç është jeta e fëmijës në barkun e nënës, thekson ai.
BE-ja nuk mund të imponojë ideologji
Ndër argumentet e tjera kundër përfshirjes së abortit ndër të drejtat themelore, sekretari i përgjithshëm i Comece-së përmend respektin, që duhet të ketë Bashkimi Evropian për kompetencat kombëtare dhe për traditat e tjera kulturore dhe legjislative. BE-ja "nuk mund të imponojë një ideologji të caktuar dhe një mënyrë të caktuar për ta parë njeriun dhe seksualitetin", deklaron ai. Për më tepër, vetë "Karta e të Drejtave Themelore" u referohet të drejtave, që njihen botërisht, jo atyre mbi të cilat ekzistojnë "ndryshime në mendime e në ide".
Thirrja e Kishës për përgjegjësinë e politikanëve dhe të votuesve
Át Barrios Prieto shpreh keqardhjen për "qëndrimin e disa partive, të cilat i referohen traditës kristianodemokratike, siç është Partia Popullore Evropiane, e përçarë për këtë çështje". Shumica e deputetëve të saj votuan në favor të mocionit e kjo “është skandaloze”, komenton haptas meshtari.
Përballë kësaj situate, sipas sekretarit të përgjithshëm, Kisha ka për detyrë t'u kujtojë përgjegjësitë e tyre partive dhe politikanëve, por edhe votuesve, të cilët së shpejti do të thirren për të zgjedhur Parlamentin e ri Evropian. “Shpresojmë që Parlamenti i ri t’i ketë këto çështje për zemër – pohon Át Barrios Prieto – e kjo varet nga votuesit”. Si Kishë, përfundon ai, duhet “t’i shoqërojmë dhe t’i formojmë njerëzit, duke u shpjeguar mirë argumentet tona”.