Caccia: Selia e Shenjtë, e shqetësuar për dhunën seksuale në konflikte
R.SH. – Vatikan
Me "shqetësim të veçantë", kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, foli dje në Nju Jork në debatin e Këshillit të Sigurimit, me temë "Gratë, paqja dhe siguria". Prelati denoncoi "shtimin e turpshëm të përdorimit sistematik të dhunës seksuale në konfliktet e armatosura nga protagonistë shtetërorë dhe joshtetërorë". "Plagë" tejet alarmuese, nënvizoi imzot Caccia, që sjell "pasoja negative edhe në mundësinë për arsimim të grave dhe në mjetet e tyre të jetesës". Njëkohësisht, imzot Caccia shprehu shqetësimin për "mbështeten financiare të organizatave ekstremiste dhe për trafikimin e qenieve njerëzore".
Dy, rrugët e përcaktuara nga kryeipeshkvi për ta luftuar këtë plagë: së pari, t’u jepet fund "përpjekjeve të përsëritura për të fshirë dallimet ndërmjet grave dhe burrave", pasi veprime të tilla "minojnë përpjekjet për ta ndalur ndikimin e dëmshëm, që ka përhapja dhe trafikimi i armëve për gratë dhe vajzat”. Së dyti, pohoi imzot Caccia, "duhet nënvizuar se pjesëmarrja e plotë, e barabartë dhe e rëndësishme e grave në parandalimin dhe në zgjidhjen e konflikteve rrit shanset për arritjen e paqes së qëndrueshme". Nga ky këndvështrim, përfundoi kryeipeshkvi, është "themelore" njohja e grave si "protagoniste të ndryshimit, duke e rritur pjesëmarrjen e tyre në përpjekjet për arritjen e paqes, me dinjitet të barabartë me burrat".