Kërko

8 Le nozze di cana - vangelo di Giovanni 2,1- 12 8 Le nozze di cana - vangelo di Giovanni 2,1- 12

Dasma e Kanës: Zoti vjen si festë e si gëzim

Në dasmën e Kanës së Galilesë, bashkëshortët nuk kanë as meritë e as të drejtë të mburren. Varfëria e tyre nuk është pengesë, por një rast dhe mundësi për Zotin, titull për ndërhyrjen e tij. Zoti vjen edhe për mua, që nuk kam kurrfarë merite; vjen si festë dhe si gëzim, si verë e mirë që nuk llogarit meritat e mia, por nevojën time. Në dasmën e Kanës së Galilesë na mahnit një Zot, që gëzohet nga gëzimi i njerëzve dhe kujdeset për ta.

Kana, “dasma e njerëzimit”, na kujton se “Zotin mund ta gjejmë që në jetën tonë tokësore. Në lumturinë që na dhuron”

Kana, në të gjithë Biblën, është simbol i dashurisë së lumtur të burrit me gruan, të njeriut me Zotin: dashuri e zjarrtë dhe reciproke, por gjithnjë e pasigurt dhe e kërcënuar. Jo më pak, edhe simbol i fesë dhe i entuziazmit, i frymës krijuese dhe i pasionit, që mungojnë gjithnjë. Ata nuk kanë më verë: përvojë që e kemi pasur të gjithë, kur na pushton lodhja dhe “kur nuk kemi më shpresa”.

Kana, simbol i përjetshëm i historisë mijëravjeçare të njerëzimit, na flet për marrëdhënien e Zotit me çdo njeri, si kushtim bashkëshortor, dashuror, i anasjellë, i pandashëm e besnik përgjithmonë. Edhe pse gjithnjë e kërcënuar: vera mbaron, mbi tokë merr fund dashuria. Është aq e paktë, aq e rrezikuar, aq e rrallë.

Nuk kanë më verë, përvojë që e kemi provuar të gjithë, kur lodhja e përsëritja bëhen të padurueshme. Ungjilli i Gjonit na kujton se në Kanë  «ndërkohë vera mbaroi...» Vera që mbaron, është përvojë e përditshme. Të duket si ligj i të gjitha përvojave njerëzore pakësimi, sosja, perëndimi. Duket! Por nuk është ashtu!

Kush martohet nuk i dorëzohet këtij ligji! Zoti nuk e di ç’është dorëheqja, Maria në Kanë nuk jep dorëheqjen dhe ndjen, si ligj themelor të shpresës, se gjërat mund të nisin nga e vogla, tek e madhja; nga e ligshta, tek e forta, mund të shndërrohen nga uji, në verë. Me Zotin, çdo besimtar e di se është e mundur të fillohet nga e para. Rrugën ta tregojnë fjalët e Marisë: “Bëj çfarë të thotë Ai!”. Këto janë fjalët e saj të fundit në Ungjill. Të parat dhe të fundit, që na drejtohen ne, njerëzve. Maria foli me engjëjt, me Elizabetën, me birin e vet, Jezus; por testamenti i saj për njerëzit dhe ligji më i dashur për çdo bir është: “Bëj çka të thotë Ai, Jezusi. Bëj sipas Ungjillit!”. Mos u kënaq vetëm duke e dëgjuar, as duke e shpallur, por bëje, bëjeni Ungjillin jetë e vepër. E shtambat, enët e jetës, do të mbushen përplot! 

 “Ishin aty gjashtë shtamba guri. Jezusi tha: mbushini me ujë. E ata i mbushën deri në grykë”. Po unë, çka mund t'i dhuroj Zotit? Vetëm ujë, asgjë tjetër, përveç ujit. E pra Ai edhe këtë e pranon! Unë kam vetëm pak dashuri, ndoshta të varfër e pa dritë, por kjo nuk ka pikë rëndësie, dasma në Kanë të Galilesë na thotë se dashuria njerëzore është vendi i privilegjuar i ungjillizimit, vendi i mrekullive. Në qendër të fesë është e njëjta gjë, që është në qendër të jetës së njeriut: dashuria. Për këtë arsye feja do të zgjasë aq, sa zgjat njeriu. Ndaj kur gjashtë qypat e gurtë të njerëzimit tim t'i ofrohen Jezusit, të mbushura buzë më buzë me gjithçka është njerëzore, Ai do ta ndryshojë këtë ujë të thjeshtë në verën më të mirë. Ai, dhëndri i ëndërruar nga Isaia profet (Is 62,5), autori i dashurisë.

Në dasmën e Kanës së Galilesë Maria është ikonë e fytyrës së një Zoti që kujdeset për lumturinë e njerëzve më shumë se për besnikërinë e tyre: bashkëshortët nuk kanë bërë asgjë për të merituar mrekullinë, por Jezu Krishti Zot ndërhyn, pa shikuar meritat (merita e tyre e vetme është varfëria, fundi i verës).

Zoti në të cilin unë besoj, është Zoti i Dasmës së Kanës, Hyji i festës, i dashurisë së gëzueshme, i vallëzimit, Zot i lum që i pëlqen vera, që e do aromën e Betanisë (Gjn 12, 1-4), që e shndërron në dashuri vendin ku mbijnë mrekullitë, "si rabin specialist banketesh" (E. Bianchi),  burim gëzimi për të varfërit, Zot i lumtur, që të dhuron kënaqësinë më të madhe: të kënaq se je gjallë dhe beson!

Në dasmën e Kanës së Galilesë, bashkëshortët nuk kanë as meritë e as të drejtë të mburren. Varfëria e tyre nuk është pengesë, por rast dhe mundësi për Zotin, titull për ndërhyrjen e tij. Zoti vjen edhe për mua, që nuk kam kurrfarë merite; vjen si festë dhe si gëzim, si verë e mirë që nuk llogarit meritat e mia, por nevojën time.

 Në dasmën e Kanës së Galilesë na mahnit një Zot, që gëzohet nga gëzimi i njerëzve dhe kujdeset për ta. Prandaj “duhet ta gjejmë Zotin pikërisht në jetën tonë dhe në të mirat që na jep. Ta gjejmë në lumturinë tonë tokësore". (Bonhoeffer).

Ermes Ronchi

21 prill 2024, 14:40