Kërko

Le reliquie di San Nicola a Bari Le reliquie di San Nicola a Bari

Bartja e relikeve të Shën Nikollës nga Mira në Bari

Shën Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap në të gjithë Azinë e Vogël me shumë shtegtime. Shumë shkrime e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën. Më se VII shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit. 
72 dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim eshtrat e, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf.

R.SH. / Vatikan

Nga 7 deri më 9 maj, qyteti italian Bari kremton Shën Nikollën, kujton bartjen e relikeve të shenjtit nga Myra, Turqi, në Bari, Itali, nga 62 marinarë, më 9 maj të vitit 1087. Kjo ngjarje përkujtohet edhe në trevat shqiptare, si në Kishën e Milotit, Shqipëri, në fshatin Velezhë, afër Prizrenit, në Kosovë e në shumë vende tjera.

Eshtrat e Shën Nikollës pushuan në Myra për rreth 750 vjet (337-1087), ndërsa kulti në nderim të tij (sidomos duke filluar nga shekulli i IX) u përhap botërisht. Më pas, falë një veprimi të kryer në befasi, reliket e tij u sollën në Bari, Itali, duke ndryshuar historinë e këtij qyteti. Dhe përveçse "i Mirrës", që atëherë njihej si Shën Nikolla i Barit. Transportimi i relikteve të Shën Nikollës së Myrës (Azia e Vogël, Turqia sotme) në Bari u mendua dhe u krye në një kontekst historik shumë specifik.

Në festën liturgjike Bartjes së relikeve të Shën Nikollës, sot më 9 maj, ju propozojmë historinë e bartjes së relikeve të këtij Shenjti nga qyteti i Mirës, në Turqinë e sotme, në Bari të Italisë, marr nga rubrika radiofonik e Radio Vatikanit Shqip 365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës” botuar më 3 prill 2008 në R.V.

Sipas të dhënave Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 Kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit. Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf. Po të ndjekim një tregim mbi këtë histori

Aventura e pabesueshme për rrëmbimin e relikeve të Shën Nikollës

“Ahahaha, ia dolëm mbanësh edhe këtë herë!”. Pali e Mario janë tepër krenarë për marifetin, që po i shpëton nga kontrollet. Sa herë që myslimanët e ndalojnë anijen e tyre, ata u tregojnë thasët e grurit, stivuar një mbi një në hambar, e u thonë: “Jemi tregtarë nga Bari e po shkojmë ta shesim grurin në Antioki”. Myslimanët i lejojnë menjëherë të kalojnë e kështu anija riniset në drejtin të qytetit të…. Mirës. Në të vërtetë Pali e Mario nuk janë tregtarë. Vijnë nga Bari, por nuk shkojnë në Antioki. E kapërcejnë detin për të marrë trupin e Shën Nikollit, vdekur mëse gjashtëqind vjet më parë në Mirë, qytet i Turqisë, që ka rënë në duart e myslimanëve.

Shën Nikolli i madh është ipeshkvi më popullor i krishterimit perëndimor. Me një histori jete plot aventura, Shenjti mban rekordin për mrekulli. Pali, Mario dhe një grup detarësh barezë e kanë nisur këtë ekspeditë pikërisht për të rrëmbyer trupin e Shën Nikollit. “Sigurisht që varri i Shën Nikollit është më mirë të jetë në Bari, sesa në Mirë” – I thonë njëri-tjetrit. Në fund të fundit nuk duhet harruar se, sipas traditës, Ipeshkvi i madh, duke kaluar nëpër Bari, pati parafolur se një ditë trupi i tij do të pushonte pikërisht në këtë qytet. Një arsye më tepër për ta marrë e për ta varrosur atje ku parafoli ai vetë. Palin e Marion i tremb vetëm një gjë: kanë frikë nga venecianët, që mund të arrijnë të parët në Mirë e ta marrin trupin e Shenjtit, për ta varrosur në qytetin e tyre. E s’është frikë e kotë. E dinë se edhe një grup venecianësh ka të njëjtin qëllim.

Kush do të arrijë i pari? Anija e detarëve të Barit çan ujërat me të gjitha velat e shpalosura. Sapo zbarkojnë në Mirë, ‘rrëmbyesit’ e kryejnë shpejt e shpejt punën, për të cilën janë nisur. Rojtarët e varrit nuk kanë kohë të bëjnë as ‘ah’, as ‘uh’. Ndonëse nxitojnë sa më s’ka, detarët kujdesen tepër të mos e cenojnë trupin e Shenjtit, nga i cili del një vaj erëmirë, që shëron shumë sëmundje. Duhet prandaj, të jenë tepër të vëmendshëm.

Ditën kur rikthehen në Bari, në maj të vitit 1087, pak javë pas nisjes, Pali e Mario priten si ngadhënjimtarë nga popullata bareze. Trupi i Shenjtit vendoset menjëherë në një nga kishat më të bukura të qytetit. E pak ditë më pas, vetë Papa vjen për ta bekuar varrin. Që nga ky çast, Bari bëhet cak shtegtimesh me rëndësi të dorës së parë për mbarë Evropën. Kështu pra, falë guximit të detarëve të tij, qyteti i vogël italian fiton famë ndërkombëtare.

nga "365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës"

09 maj 2024, 17:34