Kërko

Santissima Trinità Santissima Trinità

Fjala e Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte

Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, që kësaj radhe Fjala e Zotit e së dielës përkon me festën e Trinisë Shenjte. Jezusi na zbuloi se Zoti është dashuri, jo dashuri e një Hyji të vetëm, por e tri vetjeve të barabarta e të veçuara, me të njëjtën substancë. Trinia është Krijuesi e Ati i mëshirshëm, është Biri i vetëm, urtia e amshuar, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për ne; është Shpirti Shenjt, i cili vë në lëvizje gjithçka, kozmos e histori, në një proces, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë së fundit.

Kështu, pas festën së Rrëshajëve, që kremtuam të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha katolike romake fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit Kishtar” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe dhe më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Trinisë Shenjte

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Trinisë Shenjte

Kështu pra, edhe kësaj here jemi të bashkuar përmes valëve të radios, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini. E tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona).

Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Në këtë botë, askush nuk mund ta shohë Zotin, por Ai vetë na ka bërë ta njohim në atë mënyrë, sa së bashku me Shën Gjonin Apostull, mund të pohojmë: “Zoti është dashuri!”.

Kush e takon Krishtin dhe bëhet mik me të, krijon në shpirtin e vet miqësi me vetë Bashkimin e Trinisë, sipas premtimit që Jezusi u pati bërë apostujve: ‘Në se ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë e tek ai do të banojmë”. Atij që beson, mbarë gjithësia i flet për Njëninë dhe Trininë e Hyjit.

Nga hapësirat ndëryjore e deri tek grimcat më mikroskopike, gjithçka që ekziston të shpie drejt një Qenieje që komunikohet në shumëllojshmërinë dhe larminë e elementeve, si në një simfoni të pafundme. Është një dinamizëm i harmonishëm që analogjikisht mund ta thërrasim “dashuri”. Megjithëkëtë vetëm tek njeriu i lirë dhe i arsyeshëm, ky dinamizëm bëhet shpirtëror, bëhet dashuri plot përgjegjësi, si përgjigje që i jepet Hyjit e të afërmit në një dhurim të sinqertë të vetvetes.

Në këtë dashuri qenia njerëzore gjen të vërtetën e lumturinë. Ndërmjet analogjive të ndryshme të misterit të pagabueshëm të Njënisë e Trinisë së Hyjit, që besimtarët janë në gjendje ta parandjejnë, ta kujtojmë atë të familjes. Ajo është e thirrur të jetë bashkësi e dashurisë dhe e jetës, në të cilën ndryshimet duhet të bashkërendohen për të formuar një 'parabolë bashkimi'. Të ecim, pra, gjithnjë në rrugën e dashurisë e ta bëjmë gjithë jetën tonë këngë lavdërimi lartuar Atit përmes Birit në Shpirtin Shenjt Zot. O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. 

                                                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Fu 8, 22-31

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
Urtia e Zotit flet kështu: “Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta, qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send. Kam qenë shuguruar prej amshimit, qysh në kohet më të lashta, para se të krijohej toka. 
Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta, para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kodrat, unë linda. Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës. 
Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur e kufizoi me ligje të sigurta rrethin e humnerës, kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve. Fjala e Zotit.

Psalmi 8/9, 4-9
O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt!

---- ---- ----
Kur e sodis qiellin, veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti u dhe qendër,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
---- ---- ----
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
---- ---- ----
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit.
---- ---- ----

Leximi i dytë Rom 5, 1-5

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar, e besnikëria e sprovuar sjell shpresën. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja. 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 16, 12-15

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci :

Homelia nga dom Dritan Ndoci

TRINIA SHENJTE: ATI, BIRI E SHPIRTI SHENJT

(Fu 8, 22-31; Ps 8; Rom 5, 1-5; Gjn 16, 12-15)

Ne të krishterët besojmë një një Hyj të vetëm, por jo të vetmuar. Gjithashtu besojmë në një Hyj Krijues, por jo duke nënkuptuar se Ai, vetëm pasi krijoi, filloi të ishte Dashuri. Do të ishte absurde ideja e një Hyjit-Dashuri, sikur të mendonim se ky Hyj është një i vetmuar i mjerë! A mund të themi se dashuria është e tillë, përderisa nuk është dhurim ndaj dikujt tjetër? Po aq absurde do të ishte sikur të thoshim se Hyji është dashuri ngaqë e shpreh dashurinë ndaj krijesave të veta. Dashuria është e plotë kur shprehet në mes të të ngjashmëve.

Festa e sotme na ndihmon të sodisim me më shumë vëmendje më të madhin mister: Njininë dhe Trininë e Hyjit. Në rrjedhën e vitit liturgjik është qëndror misteri i Pashkës, patjetër, por të gjitha të vërtetat e besimit tonë (edhe misteri pashkor) sillen rreth misterit të së Shenjtërueshmes Triní.

Kjo e kremte na bën të sodisim një Hyj që është Njiní dhe Triní. Thoshte në shekullin IV Shën Gregori Nazianzenas, ipeshkvi grek që është edhe njëri prej Etërve më me autoritet të Kishës: «Sapo të mendoj për Një, jam i ndriçuar nga shkëlqimi i të Treve; sapo të dalloj secilin nga të Tre, kthehem sërish tek Një. Kur mendoj për Njërin prej të Treve, mendoj për Të si për një gjë të vetme e sytë e mi mbushen dhe pjesa më e madhe e asaj që jam duke menduar, më ikën». Këto janë fjalët e një teologu që përpiqet ta shprehë atë që e di mirë se nuk mund të shprehet plotësisht, por që është i bindur se ka përballë një Mister të pafund dashurie të vetme, të shkëmbyer përjetësisht në mes të Tre Personave Hyjnorë.

Kjo e kremte e sotme na bën të sodisim një Hyj që është edhe Krijuesi i të gjitha gjërave që shihen e që nuk shihen e që nuk ka krijuar nga nevoja, por nga një dashuri falas, e cila buron nga dashuria ndërtrinitare. Kjo dashuri ndërtrinitare e ka vënë gjurmën e vet në secilën prej krijesave.

Kjo e fundit, krijimi për shkak të një dashurie falas, si edhe gjurma e qenies së vet që Trinia e ka vënë në çdo krijesë, na bën ta kuptojmë më mirë pjesën e Fjalëve të urta që sot e dëgjuam në leximin e parë. Aty duket sikur dikush po flet për veten: emri e saj është Urtia. Qysh në fillimet e saj tradita e krishterë ka besuar se në shumë pjesë të Besëlidhjes së Vjetër kjo Urti nënkuptonte pikërisht Birin e amshuar. Ka pjesë pak të paqarta aty, siç është sot rreshti i parë që thotë: «Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta...» (Biri është i lindur e jo i krijuar nga Ati), por ka edhe pjesë tepër të bukura e të qarta siç është, përshembull, ky rresht: «Kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor». Për­shkruan kështu mënyrën se si e shkëmbenin dashurinë Ati me Birin qysh para krijimit të botës. E dimë se ky shkëmbim dashurie ndodh në Shpirtin Shenjt. Prandaj ky është një rresht shumë i bukur, madje edhe shumë simpatik, që na e paraqet jetën e Trinisë si një jetë familjare, ku ati dhe i biri luajnë hareshëm me njëri-tjetrin: «Kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor».

Fill më pas vjen rreshti tjetër shumë domethënës: «Kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve». Është domethënës ngaqë na bën të kuptojmë se, fakti që Biri ka ardhur në botë dhe na ka folur e dësh­muar dashurinë, është veçse pasoja më normale që mund të pritej: është pasoja e asaj dashurie të cilën Ai e shkëmbente qysh prej amshimit me Atin e vet, në Shpirtin Shenjt. Ai ka folur për dashuri­në, sepse s’mund të bënte ndryshe, duke qenë se përjetësisht është shkëmbim dashurie. Në jetën e Jezusit asgjë, deri edhe gjestet më spontane, nuk kanë mbetur pa u prekur nga ky shkëmbim i amshuar dashurie në Trininë e Shenjtë.

Janë gjëra pak të vështira për ne, por përndryshe nuk do të ishin të mëdha. Por, me qëllim që ne njerëzit ta vazhdonim misionin e dashurisë së Krishtit, Ai na e dërgoi prej Atit Shpirtin Shenjt. Thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Dashuria e Hyjit u thadrua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua». Çfarë bën dhurata e Shpirtit Shenjt në ne? Bën që, sikurse Ati e Biri, në Shpirtin Shenjt, shkë­mbejnë përjetësisht dashurinë për Njëri-Tjetrin, ashtu edhe ne, në Shpirtin Shenjt, të shkëmbejmë gjithnjë dashuri për Hyjin-Trini dhe për njëri-tjetrin. E thënë pak më ndryshe: Shpirti Shenjt na merr e na zhyt (na pagëzon) në përqafimin e amshuar në mes të Atit dhe Birit e kështu edhe ne s’ka se si të mos jemi dhurim dhe pranim dashurie, në lidhje me Hyjin-Trini dhe me njëri-tjetrin.

Por, në Ungjillin e sotëm, Jezusi na shpjegon se veprimatria e Shpirtit Shenjt nuk kufizohet vetëm të na zhysë brenda këtij shkë­mbimi dashurie, por edhe të na ndihmojë që të zhytemi gjithnjë e më tepër në njohjen e mistereve të Trinisë: «Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën». E Vërteta është Jezusi: «Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: “merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve”». Duke na zbuluar misterin e Jezu Krishtit, Shpirti Shenjt na zbulon edhe misterin e Atit.

Kisha do ta kuptojë dalëngadalë e gjithnjë e më mirë misterin e Trinisë. Në shekuj ka pasur shumë teologë që na kanë ndihmuar shumë të hyjmë gjithnjë e më në thellësi në shumë të vërteta teologjike. Ka pasur shumë shenjtër e mistikë të mëdhenj që, gjithnjë e më mirë, na kanë ndihmuar t’i kuptojmë mrekullitë që e Shenjtë­rueshmja Trini bën në jetën shpirtërore të njeriut. Ka pasur shenjtër të tjerë që, të njëjtin Ungjill të Krishtit, kanë ditur ta apli­kojnë në jetën e tyre me një freski dhe risi të papërsëritshme. E gjithë kjo është vepër e Shpirtit Shenjt, i cili, si punëtor i madh që është, edhe pse duket se rri në heshtje, nuk pushon së realizuari atë fjalë të Krishtit: «Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën». E këtë do ta bëjë në amshim.

Ja, pra, misteri i Trinisë së Shenjtë, mister i cili është i shpjegue­shëm (deri diku) vetëm nga logjika e dashurisë, duke qenë se Ajo është shkëmbim i amshuar dashurie.

Ta lejojmë, pra, Trininë e Shenjtë të na shndërrojë edhe ne në shkëmbim të përhershëm dashurie! Ta lejojmë veten të joshemi gjithnjë e më shumë nga ky Mister i pashtershëm dashurie, sepse në përngja­simin e këtij Misteri jemi krijuar: «Prova më e fortë se jemi bërë në përngjasim të Trinisë së Shenjtë, është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie për të dashur e për të qenë të dashur», thoshte Papa Benedikti XVI.

dom Dritan Ndoci

25 maj 2024, 11:01