Pentecoste, discesa dello Spirito Santo sugli apostoli e Madonna, lingue di fuoco, colomba Pentecoste, discesa dello Spirito Santo sugli apostoli e Madonna, lingue di fuoco, colomba

Fjala e Zotit e festës së Rrëshajёve

Rrëshajët janë festë bashkimi, mirëkuptimi e afrimit njerëzor dhe i kundërvihen Babelit, ku njeriu dëshiron të jeton pa Zot, duke u bërë më pak i aftë për të dashur e, prandaj, përherë më pak njeri: kjo është, me pak fjalë, porosiae Fjalës së Zotit e solemnitetit të Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e Marinë, të mbledhur në Cenakull

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët  meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, në Jerusalem.  

Fjala e Zotit e solemnitetit tё Rrёshajёve

Festa e madhe e Rrëshajëve që na sjell në plotësimin e Kohës së Pashkëve, pesëdhjetë ditë pas të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit,na bënë ta përkujtojmë dhe ta rijetojmë dikimin e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt dhe dishepujt tjerë, të mbledhur me Virgjërën Mari në Çenakull. 

Ashtu si në kohën e Apostujve, edhe sot Shpirti Shenjt prin drejt së vërtetës, përtërin tokën e jep frytet e veta.  Kisha e sotme, ashtu si ajo ende në fasha, vijon t’i presë e t’i marrë dhuratat e  Shpirtit Shenjt Zot. Fjala e Zotit, posaçërisht sot, na thotë se Shpirti Shenjt vepron në njerëzit e në bashkësitë, që janë përplot me Të: u prin drejt së vërtetës, përtërin tokën dhe jep frytet e veta.

Këto, tre aspektet themelore të veprimit të Shpirtit Shenjt. Para së gjithash, Shpirti prin drejt së vërtetës. Apostujt e kuptojnë se vdekja e Jezusit nuk është disfatë, por shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, dashuri që, në Ringjallje, fiton mbi vdekjen dhe e larton Jezusin. Krishti është i Gjalli, Zoti, Shpërblyesi i njeriut, i historisë e i botës. Ky është Lajmi i Mirë, që u duhet kumtuar të gjithëve. Më pas, dhurata tjetër e Shpirtit Shenjt: përtëritja e tokës, aspekt i pasqyruar drejtpërdrejt në lidhjen e njeriut me gjithësinë, që na rrethon, së cilës Shpirti i Zotit i dha e i jep jetë.

Respekti për gjithësinë është kërkesë e fesë sonë: ‘kopshti’, në të cilin jetojmë, nuk na u besua që ta shfrytëzojmë, por që ta kultivojmë e ta ruajmë me respekt.

Po kjo është e mundur, vetëm nëse pranojmë që Shpirti Shenjt të na përtërijë, vetëm atëherë mund ta jetojmë lirinë e bijve, në harmoni me mbarë Krijimin, e mund të shikojmë në çdo krijesë pasqyrimin e lumnisë së Krijuesit.

Së fundi, është themelore t’ia hapësh zemrën Shpirtit Shenjt, që jep frytet e veta. Vetëm nëse njeriu, heq dorë nga sektarizmi e nga egoizmi, që e bllokojnë veprimin e hirit të Hyjit,  atëherë mund t’ia hapë zemrën Shpirtit Shenjt e dhuratave të Tij,  tё cila Shën Pali i quan “fryt i Shpirtit  Shenjt”: dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, sundimi i vetvetes. Të ecësh sipas Shpirtit Shenjt, është program jete, madje ёshtё jetё e bukur.

Hiret e Shpirtit Shenjt, dhurohen begatisht  Kishës dhe secilit prej nesh, që të jetojmë me fe të vërtetë, me dashuri vepruese dhe të mund t’i përhapim farët e pajtimit, vëllazërimit e të paqes, të cilat na bëjnë të aftë të luftojmë në mënyrë të papajtueshme kundër sё keqes, mëkatit dhe korrupsionit e t’i kushtohemi me ngulm durimtar veprave të drejtësisë, bamirësisë, dashurisë e të paqes. 

Fjala e Zotit e Rrëshajëve na kujton forcën frymëzuese të Shpirtit Shenjt. Shpirti i Zotit i jep kuptim lutjes; forcë, misionit ungjillëzues, i ndez zemrat e atyre, që duan tё afërmin dhe e dëgjojnë Lajmin e Mirë - Ungjillin, frymëzon artin e krishterë e melodinë liturgjike e për këtë, duhet të lutemi që Shpirti i Zotit të na ndriçojë e të na prijë, që në udhën e Jetës, prandaj të lutemi e të themi: 

Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen!     

                                                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Lexim prej Veprave të Apostujve (Vp 2,1-11)

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 104
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.

Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve
 (Gal 5,16-25)

Vëllezër, jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka dëshironi.

E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.

Fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj. Ata që janë të Krishtit Jezus, e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prulta. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëheqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.
N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritëra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

Aleluja, Aleluja!
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja

Nga Ungjilli shenjt sipas Gjonit (Gjn 15, 26-27; 16, 12-15)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

RRËSHAJËT: SHPIRTI I SË VËRTETËS DO T’JU UDHËZOJË TA NJIHNI TËRË TË VËRTETËN.

(Mesha e ditës) Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); Gal 5, 16-25; Gjn 15, 26-27; 16, 12-15

«Sikurse gjilpëra e gramafonit ndjek ritmet më të imëta e të padukshme të diskut, ashtu edhe shpirti njerëzor duhet t’i bindet Shpirtit Shenjt» – thoshte Hans Urs von Balthasar, njëri prej teologëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar.

E Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë diçka që patjetër nuk duhet të kalojë pa u vënë re: «Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai – Shpirti i së Vërtetës – Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.» Duke iu bindur Shpirtit Shenjt, pra, njeriu e ka të mundur të kuptojë gjithnjë e më shumë të Vërtetën që është Jezusi dhe, përmes Jezusit, njeriu arrin të zhytet gjithnjë e më shumë në misterin e pambarim të Trinisë së Shenjtë.

Duke iu bindur Shpirtit Shenjt, Kisha është gjithnjë në ecje dhe mbushet me dinamizëm, në të gjitha aspektet e saja. Po t’i hedhim një sy historisë së Kishës, do të vëmë re se shpesh herë ajo është përballur me tematika nga më të ndryshmet, në varësi të situatave të kohës që ajo ka jetuar dhe me aftësinë që ajo kishte në atë kohë. Reflektimi i Kishës ka qenë gjithnjë në zhvillim, në përtëritje. Mjafton të mendojmë për ndryshimet e ndodhura në Liturgjinë e Meshës përgjatë shekujve si edhe larminë e madhe të riteve që kemi në Kishë. Thelbi është gjithnjë po ai që ka caktuar Jezusi në themelimin e Eukaristisë, por disa detaje kanë ndryshuar. E njëjta gjë edhe më sakramentet e tjera.

E gjithë kjo ka ndodhur vetëm falë “rolit” që Shpirti Shenjt ka në Kishë: të na ndihmojë ta kuptojmë të Vërtetën. Atë që pak më lart e quajtëm «zhvillim»«përtëritje», në fakt duhet ta quajmë «veprim i Shpirtit Shenjt».

Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm se do të kishte dashur të thoshte edhe gjëra të tjera, por që tash për tash apostujt nuk ishin në gjendje t’i kuptonin. Kjo ngaqë ata ende nuk e kishin marrë Shpirtin Shenjt.

Do ta merrnin dhjetë ditë pasi Jezusi do të ngjitej në qiell – ngjarje për të cilën u fol sot në leximin e parë –, por kjo ardhje e Shpirtit Shenjt nuk donte të thoshte se tashmë apostujt do të ishin në gjendje të kuptonin gjithçka në atë çast. Kisha do të ishte veçse në fillim të njohjes së misterit të pambarim të Trinisë së Shenjtë, mister të cilin, gjithsesi, kurrë e askush nuk mund ta njohë të tërin. Kisha do të bëhej e aftë të njihte gjithçka që do t’i mjaftonte për shëlbimin e saj. Brezat e ndryshëm e popujt e ndryshëm, gjithnjë do të kenë diçka të re për të kuptuar nga ky mister i pashtershëm që është e Shenjtërueshmja Trini. Ardhja e Shpirtit Shenjt do të shënonte, pra, vetëm fillimin kur Kisha e Jezu Krishtit tashmë do të udhëhiqej nga Shpirti i Hyjit.

Për apostujt ky ndryshim mendësie nuk ishte gjë e vogël, sepse, për një hebre, kjo donte të thoshte se, për t’u udhëhequr në jetën me Hyjin, nuk kishin më nevojë për Ligjin e Moisiut. Për këtë arsye Shën Pali tashmë guxonte të thoshte: «Nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.»

U thotë Jezusi apostujve në Ungjillin e sotëm: «Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit – Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit – Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua.» E në leximin e parë dëgjuam pikërisht se si apostujt, të përtërirë me forcën e Shpirtit Shenjt, fillojnë të flasin gjuhë të ndryshme dhe nuk kanë frikë të dalin para judenjve e të shpallin Ngjalljen e Jezusit. E turma mahnitej për gjithçka që po ndodhte: «Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?”» Shpirti i së Vërtetës dhe Kisha e kanë filluar tashmë dëshminë e tyre.

Thoshte Papa Françesku: «Dilni nëpër rrugë dhe ungjillëzoni, shpallni Ungjillin! Kujtohuni se Kisha ka lindur “në dalje”, atë mëngjes të Rrëshajëve! Afrohuni të varfërve dhe prekni në mishin e tyre mishin e plagosur të Jezusit! Lejoni t’ju drejtojë me liri Shpirti Shenjt!»

Duhet t’i bindemi kësaj dëshire që Shpirti Shenjt ka në lidhje me ne: të lejojmë të na shtyjë për kah bota, sepse bota ka nevojë ta dëgjojë shpalljen e Ngjalljes së Jezusit! Të mos i kundërshtojmë Shpirtit Shenjt, por t’i pranojmë shtysat e Tij! T’i ndjekim këto shtysa «sikurse gjilpëra e gramafonit ndjek ritmet më të imëta e të padukshme të diskut!»

Shën Pali na nxit sot në leximin e dytë: «Vëllezër, jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku, me dëshirat e veta, i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti u kundërshton mishit e gjakut». «Mishi e gjaku» këtu nënkuptojnë ato dëshira mëkatare brenda nesh që na shtyjnë për egoizëm dhe urrejtje.

E Shën Pali na ndihmon ta njohim edhe më në detaje se çfarë vjen prej «mishit e gjakut» e çfarë vjen prej Shpirtit Shenjt: «Veprat e mishit janë të njohura: fëlligështia, papastërtia, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi (...) . Ndërsa fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, besnikëria (...).»

Teologu zviceran që e cituam në fillim, von Balthasar, me mprehtësinë që e karakterizonte, thoshte në lidhje me këtë: «Shpirti Shenjt është absolutisht jashtë mëkatit tragjik të botës, jo vetëm ngaqë është mbi të, në një qiell të pastër, por edhe për faktin se është në thellësinë më të madhe të vetë zemrës së njeriut.»

Shpirti Shenjt mund të njihet nëse ndjekim dëshirat më të thella të natyrës së njeriut («të zemrës së njeriut»). Bëhet fjalë për ato dëshira të gjithmonshme të cilat njeriu i ka pasur thellë brenda vetes për të ndjekur të vërtetën, të bukurën, paqen, mirësinë, harmoninë, bashkimin dhe të përjetshmen. Është pikërisht aty që Shpirti Shenjt vepron dhe, kur gjen hapjen e njeriut, e shtyn atë drejt këtyre vlera gjithnjë e më shumë. Prandaj detyra jonë është ta dëgjojmë zërin e Shpirtit Shenjt, «të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt».

Shpesh kur mendojmë për veprimin e Shpirtit Shenjt brenda nesh, e imagjinojmë atë si diçka që mund të na sjellë  vuajtje, por gabojmë. Ja sa bukur, përkundrazi, e mendon veprimin e Shpirtit Shenjt ky himn tejet i bukur që sot dëgjuam:

«Eja o Atë, për nevojtarë,

eja, ti n’dhanti, bujar,

eja, ti që mendjet shndrit.

 

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,

ti ndër zemra si mik vjen,

t’lodhunt n’jet rishtas forcon.

 

N’mund e n’djersë ti je pushim,

n’vapë e n’luftë ti je freskim,

lot ti ter, zemrat ngushëllon.»

Ky veprim i ëmbël i Shpirtit Shenjt e ka ndihmuar dhe do ta ndihmojë gjithnjë Kishën që të zhvillohet e të përtërihet. Ky veprim, pra, e  ndihmon Kishën që «ta njohë tërë të Vërtetën».

18 maj 2024, 09:31