Kërko

Imzot Kulli takoi njerëzit me aftësi ndryshe: “Ju jeni pjesë e zemrës dhe e Kishës sonë”

“Ju jeni ata, që na krijoni klimën e festës, ju jeni pjesë e zemrës dhe e Kishës sonë. Ju jeni ata, që na zbukuroni momentin, ditën dhe kohën të gjithëve. Personi që na mëson rrugën e dashurisë është Krishti, është Nëna jonë Tereze që ka shprehur dashuri ndaj të sëmurëve dhe të varfërve, duke u shërbyer me dashurinë e zemrës dhe me përshpirtëri”. Kështu, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në meshën e takimit me njerëzit me aftësi ndryshe

R.SH. – Vatikan

Është bërë tashmë traditë takimi me njerëzit me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës. Kësaj radhe, protagoniste e veprimtarisë ishte famullia e Shën Gjon Boskos në Shelqet. Në homelinë e meshës së kremtuar me këtë rast, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli u tha “Ju jeni pjesë e zemrës dhe e Kishës sonë”. Ai përmendi shenjten shqiptare, Nënë Terezën, e cila është shembull shërbimi e dashurie për të sëmurët e të varfërit, për t’u ndjekur nga vullnetarët e të gjithë anëtarët e Kishës, që kujdesen për njerëzit me aftësi ndryshe. Më hollësisht, të ndjekim informacionin e Violeta Marashit…

Dëgjo Violeta Marashin...

Takimi i radhës me Personat me Aftësi Ndryshe u zhvillua këtë herë në famullinë “Shën Gjon Bosko” – Shelqet. Falë mikpritjes së kësaj famullie dhe angazhimit të të gjithë besimtarëve të saj, ky takim u organizua në mënyrën më të mirë të mundshme duke filluar që nga mirëseardhja që iu uroi famullitari Dom Kastriot Gjoka, nga dekorimi i ambjenteve të famullisë dhe shërbimi me gëzim dhe buzëqeshje i të rinjëve vullnetarë që u angazhuan në shoqërimin e këtyre personave që tashmë janë pjesë e pandashme e aktiviteteve që Caritas Sapa organizon herë pas here me to.

Më pas ky takim kulmoi me kremtimin e Meshës Shenjtë nga Bariu i kësaj grigje, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, Imzot Simoni tha se ju jeni ato që na krijoni klimën e festës edhe ne, Ju jeni pjesë e zemrës dhe kishës sonë; jeni persona të dashtun të zemrës tonë. Ne ju duam duke shprehur dashurinë që kemi për ju. Ju jeni ato që na zbukuroni, momentin, ditën dhe kohën të gjithë neve. Ne gëzojmë me ju dhe qëndrojmë me ju si një familje. Personi që na mëson rrugën e dashurisë është Krishti, është Nëna jonë Tereze që ka shprehë dashuri ndaj të sëmurëve dhe të varfërve duke ju shërbyer me dashurinë e zemrës dhe me përshpirtëri.

Të mundohemi ta jetojmë këtë dashuri duke dashur e ndihmuar tjetrin në vështirësi. Kjo është bukuria e jetës tonë, duke jetuar si vëllezër e motra pa asnjë farë dallimi. Jeni ju që na mësoni të jemi afër jush, duke të dashur, duke të ndihmuar ty. Familja e bukur që rritet me frymën e krishterë është dashuria e Zotit. Ti japim dashuri dhe shpresë personave që kanë nevojë për ne. Dhashtë Zoti të jetojmë kështu së bashku si një familje e vërtetë me dashurinë e Zotit dhe dashurinë e njëri-tjetrit – përfundoi ipeshkvi i jonë.

Të organizuar sipas famullive të kësaj dioqeze, personat me aftësi ndryshe u bashkuan në Kishën e Shën Gjon Bosko, ku si fillim e lutën Zotin me Rruzaren e Shenjtë, duke i kërkuar ndihmën dhe dorën e tij mbi jetën e tyre me plot sakrifica për shkak të aftësive që ju mungojnë.

Menjëherë pas meshës, nën kujdesin e organizimit të kësaj famullie dhe shërbimit të vullnetarëve, për personat me aftësi ndryshe u shtrua edhe dreka vëllazërore e cila u shoqërua edhe me muzikë live nga këngëtarët shkodranë, Adelina Correj dhe Laorjan Ejlli. E të gjithë së bashku gëzuan dhe krijuan taman një klimë vëllazërore për të pranishmit.

08 maj 2024, 17:49