Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Të Shelbuemit
R.SH. - Vatikan
Misioni i Kishës paraprihet nga ngjallja e Jezu Krishtit, nga ngjitja e Tij në qiell dhe nga fronëzimi në të djathtën e Atit. Solemniteti i Ngjitjes së Krishtit në Qiell - Të Shelbuemit dhe dërgimi i apostujve për t’u predikuar të gjithëve Ungjillin, janë të pandashëm. Bashkë me ata të njëmbëdhjetë (pas tradhtisë së Judës), për të cilët flet Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 16 i shën Markut, janë edhe pasardhësit e apostujve dhe mbarë Kisha, deri në ditët tona. Kush ndihmon në përhapjen e Ungjillit nuk është vullnetar, por i dërguar. Jezu Krishti na fton të gjithëve, na shoqëron e na jep forcë. Ja një fragment nga Ungjilli i Markut:
Ja një pjesë nga Ungjilli i Markut (Mk 16,15-20)…
15 Në atë kohë, Jezusi u tha apostujve: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. 17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen”. 19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.
Të lutemi së bashku:
Ti ngjitesh në qiell, o Jezus,
por nuk e braktis tokën.
Madje tani, pushteti yt shtrihet
mbi çdo popull, mbi çdo komb,
mbi çdo kohë e mbi çdo vend.
Kështu, apostujt e provojnë se nuk janë vetëm,
nuk ndihen të braktisur:
kudo ku shkojnë për të predikuar Ungjillin
Ti i shoqëron dhe i mbështet
e ua konfirmon fjalën tënde
përmes shumë shenjave të mrekullueshme.
Kështu, duket qartë se Lajmi i Mirë
nuk është iluzion
e as ëndërr e paarritshme:
ai ua ndryshon jetën atyre, që besojnë,
i ngushëllon e i gjallëron, i shëron dhe i liron,
u jep forcën për të falur,
për të kaluar pa u cënuar mes forcave të së keqes,
bën të kapërcehen keqkuptimet
ndërmjet kulturave të ndryshme dhe t’u flitet të gjithëve
me gjuhën universale
të dashurisë e të mëshirës,
gjuha e vetme e kuptueshme
për të gjithë burrat e për të gjitha gratë,
e vetmja, që ua hap zemrën
për veprën tënde të shëlbimit.
Ti ngjitesh në qiell, o Jezus,
por nuk i braktis dishepujt e tu.
Madje, i gjallëron me një gëzim të pashpresuar
dhe u dhuron një guxim të panjohur.