Kërko

Shenjtërorja e Shna Ndout në Gjakovë, Kosovë Shenjtërorja e Shna Ndout në Gjakovë, Kosovë

Çelësi i fjalëve të Kishës: devocioni për Shna Ndoun e Padovës

Ishte ditë e premte, 13 qershor 1231, kur Ati Qiellor e thirri pranë vetes atë, që jo shumë më vonë, do të njihej nga të gjithë si Shna Ndou i Padovës, festa liturgjike e të cilit kremtohet sot. Pas vdekjes, në moshën 36-vjeçare, decovioni i besimtarëve dhe fama e mrekullive të tij e bindën Papën Gregori IX ta shpallte shenjt më 30 maj 1232, vetëm 11 muaj pasi ndërroi jetë. Devocionit për të ia kushtojmë emisionin e sotëm

R.SH. – Vatikan

“O i Mrekullueshmi Shenjti Shna Ndue
Ty qielli e toka asht tuj t’nderue
Na ndër kam’t tuaja kena ra
Aman po të lutena ndihmë me na u ba!”

Kjo është pjesë e një kënge të njohur devocionale shqiptare për Shna Ndoun e Padovës, i cili nderohet nga besimtarët e të gjitha feve në shenjtëroren e mirënjohur të Laçit. Kulti i nderimit të Shna Ndout, që u shpall nga Kisha katolike “Doctor evnagelicus” më 1946, u soll në trevat shqiptare nga françeskanët vetëm 10 vjet pas vdekjes së shenjtit. Shumë mrekulli kanë ndodhur në atë kishë e përkushtimi i njerëzve për shenjtin vijon edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se shenjtërorja u mbyll gjatë komunizmit.

Por cili është devocioni, që shoqëron shenjtin në vendin ku prehet, në Padovë? Së pari aty, në shekuj, besimtarët e kanë shprehur besimin e tyre në ndërmjetësimin e Shna Ndout pranë Jezu Krishtit, Zot e Shëlbues, me shenja të veçanta, të cilat po i përshkruajmë në këtë emision.

Duart e besimtarëve mbështetur në Varrin e Shenjtit, Bazilika e Shna Ndout, Kapela e Arkës - fotografi nga Marco Severin (Arkivi MSA)
Duart e besimtarëve mbështetur në Varrin e Shenjtit, Bazilika e Shna Ndout, Kapela e Arkës - fotografi nga Marco Severin (Arkivi MSA)

Dora mbi varr

Gjesti më karakteristik i shtegtarëve në Bazilikën Antoniane është vendosja e dorës mbi varrin e shenjtit, të cilin padovanët s’kanë nevojë ta thërrasin me emër. Mjafton vetëm “Il Santo” – Shenjti e merret vesh që është fjala për Shna Ndoun. Krahas nevojës për kontakt konkret me shenjtin, ky gjest shpreh besimin dhe mirëbesimin tek Shna Ndou, shoqëruar me lutjen e heshtur të zemrës. Pra, çka tërheq vëmendjen drejt shenjtit nuk është ndonjë shtatore apo fugure e tij, që nuk mungojnë në kishë, por Varri.

Trembëshjetëshja e lutjes – fotografi nga Nicola Bianchi (Arkivi MSA)
Trembëshjetëshja e lutjes – fotografi nga Nicola Bianchi (Arkivi MSA)

Trembëdhjetëshja

Vjen pastaj Trembëdhjetëshja. Ky term i referohet kryesisht trembëdhjetë ditëve të përgatitjes për festën e Shna Ndout, që kremtohet më 13 qershor. Trembëdhjetëshja përsëritet edhe sot në Bazilikë dhe në shenjtërore të tjera antoniane apo në kisha françeskane, si edhe privatisht në shumë familje. Me të njëjtin term quhet edhe një lutje e ndarë në trembëdhjetë urata, të cilat përshkojnë aspektet më të rëndësishme të jetës dhe të shenjtërisë së Shna Ndout. Për të mos harruar 13 të Martet e Shna Ndout, që ndiqen jashtëzakonisht nga populli shqiptar.

Përkujtimi historik i tranzitit të Shna Ndout, Arcella (Padova), 12 qershor 2010 (Arkivi MSA)
Përkujtimi historik i tranzitit të Shna Ndout, Arcella (Padova), 12 qershor 2010 (Arkivi MSA)

Kalimi në Shtëpinë e Atit

Një nga përshpirtëritë më të ndjera është “Tranziti” apo kalimi për në Shtëpinë e Atit Qiellor. Është riti, që kujton çastet e fundit të jetës tokësore të Shna Ndout: kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, ai vetë pati marrë një karrocë të tërhequr nga buajt për të shkuar nga Camposampiero në Padova, ku dëshironte të vdiste. Pasi arriti te portat e qytetit, në vendin e quajtur Arcella, u detyrua të ndalojë dhe atje vdiq i qetë, i ngushëlluar nga vegimi i Jezu Krishtit.

Vdekja ndodhi të premten, më 13 qershor 1231, në mbrëmje. Për këtë arsye, fretërit e Bazilikës çdo të premte pasdite kujtojnë “tranzitin” e Shenjtit (d.m.th. kalimin nga jeta tokësore në jetën e përtejme). Çdo vit, në prag të 13 qershorit, organizohet përkujtimi historik i atij kalimi, në rrugët e lagjes Arcella të Padovës.

Shenjtit i besohen fëmijët

Shna Ndou i donte shumë fëmijët. Ndër mrekullitë që bëri kur ishte gjallë, më se një prej tyre ka të bëjë me ta. Për këtë arsye, në popull e në Kishë mbizotëroi tradita e vendosjes së fëmijëve nën mbrojtjen e Shenjtit që në lindje.

Kapela e Bekimeve ose e Shën Katerinës, Bazilika e Shna Ndout – fotografi nga Giorgio Deganello (Arkivi MSA)
Kapela e Bekimeve ose e Shën Katerinës, Bazilika e Shna Ndout – fotografi nga Giorgio Deganello (Arkivi MSA)

Bekimi i objekteve

Në Kapelën e Bekimeve, besimtarëve u pëlqen të bekojnë edhe objekte personale, ose objekte kulti. Duke lënë mënjanë ekzagjerimet e pashmangshme, nuk mund të nënvlerësohet nevoja për të pasur në dorë diçka konkrete nga Shna Ndou, por edhe përvoja e dhimbshme e shumë besimtarëve, që i kërkojnë këto bekime. Mbetet rëndësia e perceptimit të Shna Ndout të Padovës si mik dhe ndërmjetësues pranë Zotit për situatat e shumta, që kanë të bëjnë me probleme e sëmundje.

Shporta me bukë të vendosura në altarin kryesor, Bazilika e Shna Ndout – fotografia nga Bianchi - Carini - Fantini - Pistore (Arkivi MSA)
Shporta me bukë të vendosura në altarin kryesor, Bazilika e Shna Ndout – fotografia nga Bianchi - Carini - Fantini - Pistore (Arkivi MSA)

Buka e Shna Ndout

Në disa kisha françeskane, veçanërisht të lidhura me Shna Ndoun, në ditën e festës së tij (13 qershor), është zakon të bekohen bukë të vogla, të cilat më pas u shpërndahen besimtarëve dhe konsumohen si devocion.

Kjo traditë rrjedh nga nisma e “bukës së të varfërve”, e cila, në të kaluarën, ka qenë shumë e përhapur nëpër kisha. Edhe sot, pranë Bazilikës së Padovës, veprojnë “Karitasi Antonian” dhe “Vepra e Bukës së të Varfërve”, dy organizata, që ndihmojnë materialisht nevojtarët. Kjo bamirësi realizohet për hir të bujarisë së shtegtarëve e të besimtarëve, vënë në dispozicion përmes “Lajmëtarit të Shna Ndout”. Ata shprehin kështu mirënjohjen ndaj Shenjtit, që është kaq bujar me këshilla, ndihmë dhe hire. Mjafton të kujtojmë episodin emocionues të mrekullisë së Tomazinit dhe nënës së tij të re, e cila, pasi fitoi shërimin e djalit me ndërmjetësimin e Shenjtit, vendosi t'i ofronte kuvendit, për një periudhë të caktuar kohore, aq bukë sa peshonte fëmija, që t'u jepej nënave të varfëra.

Shtegtarë duke u lutur në Varrin e Shenjtit, Bazilika e Shna Ndout – fotografi nga Nicola Bianchi (Arkivi MSA)
Shtegtarë duke u lutur në Varrin e Shenjtit, Bazilika e Shna Ndout – fotografi nga Nicola Bianchi (Arkivi MSA)

Mesazhet-lutje për Shna Ndoun

Shumë besimtarë i shkruajnë Shna Ndout, i lënë atij një mesazh, një lutje. Brenda bazilikës, besimtarët mund të gjejnë një kartolinë të veçantë, të cilën e plotësojnë për t'i besuar Shna Ndout gjithçka u thotë zemra. Pasi e shkruajnë, e lënë nën varrin e Shenjtit. Mund të shkruhet një kartolinë edhe për ata, që nuk janë në gjendje të vijnë në Bazilikë, sidomos nëse janë vetëm, ose të sëmurë. Por mund t’i shkruhet Shna Ndout edhe me postë, ose në faqen përkatëse, që i kushtohet atij.

Shtegtimi i Shna Ndout

Një shprehje e veçantë e përkushtimit ndaj Shenjtit është Shtegtimi i Shna Ndout, quajtur edhe "Shtegtimi i fundit", një rrugë 25 km nga Camposampiero në Padovë, udhëtimi i fundit i shenjtit, para se të vdiste, më 13 qershor 1231. Ky është i ashtuquajturi “Tranzit” apo kalimi në Shtëpinë e Atit, që e përshkruam më sipër. Çdo vit, pranë festës liturgjike të 13 qershorit, propozohet një shtegtim rinor në këmbë, me pjesëmarrës, që vijnë nga e gjithë Italia. Në fund të itinerarit, që kalon nga Arçela, ku shenjti dha frymën e fundit, për të përfunduar në bazilikë, besimtarët marrin një çertifikatë/bekim në latinisht, të ashtuquajturën “Cartula”, që vërteton zyrtarisht përfundimin e shtegtimit.

Ekziston edhe një shtegtim i gjatë i Shna Ndout, lindur në vitin 2010. Kjo rrugë shtrihet nga Camposampiero, ose nga Venecia deri në shenjtëroren e La Verna (AR), me synimin për të qenë vazhdimi ideal i jetës itinerante të Shna Ndout të Padovës, ardhur “nga Lisbona”.

13 qershor 2024, 09:04