Kard. Zuppi në spitalin e fëmijëve në Betlehem: vuajtja e fëmijëve, e papranueshme
R.SH. / Vatikan
Kardinali Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe president i CEI, mbërriti pardje pasdite në Betlehem, në Charitas Baby Hospital (Cbh), i vetmi spital pediatrik në Cisjordani. Ishte takim i planifikuar si pjesë e shtegtimit dioqezan të "paqes dhe solidaritetit", që vijon ndërmjet Jeruzalemit dhe Betlehemit, i drejtuar nga vetë kardinali me 160 pjesëmarrës, që vijnë edhe nga qytete të tjera italiane.
Zuppi dhe 160 bolonjezë shtegtojnë në Tokën Shenjte: pranë atyre që vuajnë
Kard. Zuppi, i shoqëruar nga një delegacion shtegtarësh - kujton Daniele Rocchi, korrespondent i Agjencisë SIR - u mirëprit sapo mbërrijti nga Shireen Khamis, në zyrën e komunikimit, ku i treguan një video të shkurtër mbi historinë e spitalit që, në vitin 2024, feston 71 vjetorin e veprimtarisë së pandërprerë. Sipas të dhënave, në rajon jetojnë mbi 410 mijë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Historia aktuale e Spitalit Foshnjor të flet në mënyrë të pashmangshme për luftë, atë të Gazës, e cila ndërlikon më tej vështirësitë e shpërnguljes së familjeve, që kanë nevojë t’i mjekojnë fëmijët e tyre, por flet edhe për problemin e mbingarkesës së pacientëve dhe mungesës së shtretërve.
“Për të arritur në Betlehem, njerëzit duhet të kalojnë nëpër qindra pika izraelite kontrolli. Në tre muajt e parë të luftës, 7000 fëmijë nuk mundën të mjekoheshin për këtë arsye”, shpjegon Khamis. “Për më tepër, lufta i keqësoi problemet tashmë serioze ekonomike. Pa turizmin dhe shtegtimet, shumë familje humbën punën dhe nuk mund të përballojnë mjekimin”. Por Spitali i Foshnjave, edhe kur është i rraskapitur, vazhdon të bëjë punën e tij për të ndihmuar fëmijët e sëmurë: “në marsin e kaluar - kujtoi Khamis - një grup prej 68 fëmijësh nga Rripi i Gazës mbërriti në Betlehem. Të mirëpritur në një qendër të specializuar, tani ndiqen nga organizata SOS-Fshatrat e Fëmijëve, ndërsa ndihma mjekësore i është besuar spitalit”.
Vuajtja e fëmijëve është e papranueshme
Në vijim Kardinali Zuppi, së bashku me motrën përgjegjëse Aleya Kattakayam, e Institutit të Marisë, që menaxhon Cbh – Spitalin e Nënës së Zotit - vizitoi më pas repartet e ndryshme, përshëndeti, përqafoi dhe përkëdheli disa nga të vegjlit e shtruar në spital, prindërit e tyre dukshëm të shqetësuar dhe më pas mjekët dhe infermierët. “Jemi në një vend ku vuajtjet e shumë fëmijëve përfundojnë. Këtu gjejnë shërim. Por nuk është gjithmonë kështu - deklaroi Kard. Zuppi - Duhet të fillojmë që këtu për të kuptuar se çfarë u nevojitet më të vegjëlve”.
Vuajtja e fëmijëve është e papranueshme.
Duhet të përpiqemi t'i bëjmë të rriturit të mendojnë". Në këtë drejtim, kardinali deshi të kujtonte fëmijët izraelitë të vrarë më 7 tetor 2023 gjatë sulmit të Hamasit kundër Izraelit dhe fëmijët palestinezë që vdiqën në Gaza në këto 8 muaj lufte. “Disa nga këta gazanë të vegjël – kujtoi - u trajtuan në spitalet italiane, sidomos në Bolonja. Dëgjova gjëra të tmerrshme prej tyre, si amputime pa anestezi”.
Mbrojeni jetën: të gjendet guximi për armëpushim
“Ne duhet të përgatisim një jetë, që është e mundur për ta. Duke i parë, kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë. Urrejtja, logjika e tmerrshme e dhunës, të mos kuptosh vuajtjet e të tjerëve dhe të mendosh vetëm për veten, prodhojnë më shumë dhunë dhe viktima të pafajshme, siç janë fëmijët”- shtoi Kryeipeshkvi i Bolonjës.
Qëllimi i kësaj vizite - përfundoi Kard. Zuppi - është të kuptojmë dhimbjen dhe ta përballojmë me një dashuri të vetme, duke u qëndruar pranë njerëzve, duke i ndihmuar dhe “duke u lutur që të gjejmë forcën dhe guximin për armëpushim dhe për rrugë urgjente drejt dialogut”.