Gaza Gaza

Toka Shenjte: fëmijëve të Gazës u mohohen provimet dhe e ardhmja

Provimet e maturës nuk do të mbahen këtë vit në Gaza: u anuluan pas shkatërrimit të shumë shkollave dhe nuk do të organizohen as vitin e ardhshëm, duke ndërprerë kështu zhvillimin e këtyre brezave. Shkollat, ashtu si spitalet dhe vendet e kultit, janë vende të shenjta, janë vende që kanë një mision themelor për kujdesin ndaj trupit, mendjes dhe shpirtit. Respekti për këto vende është respekt për jetët, që mbrojnë

R.SH. – Vatikan

Ashtu si në të gjithë botën, ditët e fundit, rreth 39.000 të rinj në Rripin e Gazës duhej të jepnin provimet për përfundimin e shkollës së mesme. Edhe si  fëmijët e tjerë palestinezë e izraelitë, pasi për të gjithë provimi i shtetit është i rëndësishëm, shënon një fazë të jetës, është kalimi drejt moshës madhore. Në vend të këtij riti të përbashkët me moshatarët, nga këta 39 mijë vetë nuk dihet as kush mund të përgjigjej pas apelit, sepse nuk është më, ose trupi i tij është ende nën rrënojat e kësaj lufte izraelito-palestineze, së cilës nuk i duket fundi.

Sa prej tyre kanë pësuar lëndime e trauma? Sa prej tyre kanë humbur prindërit dhe janë bërë papritur përgjegjës për familjen, që më parë i ka mbështetur dhe i ka mbrojtur? Sa prej tyre kanë humbur miqtë dhe shokët e shkollës me të cilët kanë ndarë vitet e bukura të adoleshencës?

Át Ibrahim Faltas, vikar dhe drejtor i shkollave të Kujdestarisë së Tokës Shenjte përshkruan përvojën e tij me të rinjtë e Rripit të Gazës për agjencinë e lajmeve kishtare  FIDES. Nënvizon për sa vite i ka parë të hyjnë me frikë që në çerdhe, fillimisht të kapur pas nënave dhe më pas duke vrapuar të buzëqeshur dhe të gëzuar në krahët e mësueseve. I ka parë të rriten dhe të kapërcejnë pasiguritë e vështirësitë me përkushtim dhe vendosmëri. I ka ndjekur në ankthet e në shqetësimet e tyre, të cilat, me ndihmën e mësuesve e të prindërve, përpiqen t'i shndërrojnë në vetëdije për aftësitë e tyre dhe në besim e shpresë për të ardhmen, atë të ardhme që fillon me provimin përfundimtar dhe me vendimet e para për rrugën, që duan të ndërmarrin në jetë. Këto janë ditët, në të cilat të rinjtë përfundojnë një udhë 15-vjeçare studimi, shpesh në të njëjtën shkollë dhe me të njëjtët shokë. Janë ditë, në të cilat nevojitet afërsia e një shikimi, një buzëqeshje, një inkurajim.

Por, provimet e maturës nuk do të mbahen këtë vit në Gaza: u anuluan pas shkatërrimit të shumë shkollave dhe nuk do të organizohen as vitin e ardhshëm, duke ndërprerë kështu zhvillimin e këtyre brezave. Shkollat, ashtu si spitalet dhe vendet e kultit, janë vende të shenjta, janë vende që kanë një mision themelor për kujdesin ndaj trupit, mendjes dhe shpirtit. Respekti për këto vende është respekt për jetët, që mbrojnë.

Pas 260 ditësh konflikti izraelito-palestinez, dhuna dhe urrejtja janë ende protagonistët kryesorë në Tokën Shenjte. Edhe në Cisjordani, përleshjet vazhdojnë, duke shkaktuar vdekje, plagosje, shkatërrime dhe arrestime. Fëmijëve të kësaj toke u mohohet e kaluara, u krijohen pengesa në të tashmen, u errësohet e ardhmja. Fëmijët kanë nevojë për forcën e pemëve të mbjella nga paraardhësit e tyre në këtë tokë, kanë nevojë për rrënjët e tyre të forta dhe degët e tyre plot gjethe të reja. Rrënjët nuk përfaqësojnë vetëm të kaluarën dhe forcën e lidhjeve familjare, ato janë historia e çdo njeriu. Degët janë shenjë e rilindjes dhe e jetës së re, shenjë e dukshme e pranverës, që i shtyn drejt qiellit dhe, për të rinjtë e Gazës, përfaqësojnë shpresën për një të ardhme më të mirë.

25 qershor 2024, 12:34