Kisha në Shqipëri: amësia surrogate, aborti e teoria gender: ndërmjet ideologjisë dhe realitetit
R.SH. – Vatikan
Sot, 8 korrik, Kisha Katolike në Shqipëri ngre sërish zërin kundër amësisë surrogate, abortit pa limit, tregtimit të trupit të gruas dhe përmbysjes së institucionit të martesës, duke kërkuar transparencë për një projekt-ligj mbi të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues, i cili është bërë tashmë pjesë e aktualitetit legjislativ si nismë e një grupi deputetësh të Kuvendit.
Qëndrimi i Kishës Universale: “Dignitas Infinita”
Por le ta shohim më mirë ç’do të thonë gjithë këto praktika, për të cilat Kisha Katolike në Shqipëri, siç mund të kuptohet lehtë, ndjek qëndrimin e Kishës Katolike universale. Vërtet, në Deklaratën “Dignitas Infinita” të Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa Françesku më 25 mars 2024, dënohen si amësia surrogate, e cila lëndon të drejtat e nënës e të fëmijës, ashtu edhe aborti e teoria “gender”.
Për abortin shkruhet se “ndër të gjitha krimet që njeriu mund të bëjë kundër jetës”, ai “ka karakteristika që e bëjnë veçanërisht të rëndë dhe të kritikueshëm”; për amësinë surrogate nënvizohet se është prakikë, “përmes së cilës fëmija kthehet thjesht në objekt”, si edhe se ajo “cënon rëndë dinjitetin e gruas dhe të fëmijës”, pasi shfrytëzon vështirësitë materiale, në të cilat ndodhet nëna, duke e blerë praktikisht foshnjën në barkun e saj.
Papa Françesku pati kërkuar ndalimin e amësisë surrogate në nivel planetar, në fjalën e tij të 8 janarit 2024 para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Gjithashtu, kështu bënë rreth 100 laikë – juristë, mjekë, psikologë e sociologë nga 75 kombe, mbledhur në Marok – që nënshkruan Deklaratën e Kazablankës, me të cilën kërkojnë edhe miratimin e një Konvente ndërkombëtare për ndalimin e amësisë surrogate, të detyrueshme për shtetet, që e nënshkruajnë.
“Dignitas Infinita” flet edhe për eutanazinë e vetëvrasjen e asistuar, të cilat sipas dokumentit të Vatikanit, nuk janë aspak “vdekje dinjitoze”, siç pretendohet nga disa ligje, pasi “vuajtja nuk e bën pacientin ta humbasë dinjitetin, që i takon natyrshëm dhe në mënyrë të patjetërsueshme”. Përsa u përket çështjeve gjinore, dokumenti kritikon "çdo shenjë diskriminimi të padrejtë dhe çdo formë agresioni e dhune" kundër homoseksualëve, por paralajmëron se e ashtuquajtura “teori gender” është "shumë e rrezikshme", sepse fshin dallimet ndërmjet meshkujve e femrave me pretendimin për t'i bërë të gjithë të barabartë. Por ndryshimi seksual, shkruhet në të, është më i madhi i mundshëm ndërmjet qenieve të gjalla.
Deklarata e sotme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë
Në këtë vazhdë, edhe deklarata e sotme e Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike të Shqipërisë, të cilën po jua propozojmë këtu në fjalët e zëdhënësit dom Mark Mashkja:
Përmes një interpelance parlamentare zhvilluar me Ministren e Shëndetësisë më 27 qershor 2024, opinioni publik mori përciptazi dijeni rreth një projekt-ligji mbi të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues, i cili është bërë tashmë pjesë e aktualitetit legjislativ si nismë e një grupi deputetësh.
Një draft jozyrtar i këtij projekt-ligji ka qarkulluar në mjedise të ndryshme prej disa kohësh, pa qenë i qartë identiteti i deputetëve që e kanë propozuar dhe i ekspertëve që e kanë hartuar. Shqetësimi legjitim që krijohet nga leximi i përmbajtjes së këtij dokumenti legjislativ, i cili, diku hapur e diku tinëz, synon të përligjë mëmësinë dhe fëmijët surrogatë, të promovojë abortin pa limit si një vlerë zhvillimore të shoqërisë, të autorizojë, kinse në mënyrë të rregulluar, tregtimin e trupit të gruas dhe të përmbysë institucionin e martesës duke ia devijuar qëllimin social dhe identitetin autentik si bashkim i një burri dhe një gruaje, duhet të ndërgjegjësojë opinionin publik për të qenë vigjilent e për të kërkuar që t’i garantohet e drejta e një procesi legjislativ demokratik, objektiv, transparent e gjithëpërfshirës.
Kisha katolike në Shqipëri, së bashku me konfesionet dhe besimet e tjera, ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë, si instancë ku është depozituar projekt-ligji dhe ku ai pritet të diskutohet, që të bëjë transparencë të plotë, në emër të së drejtës së informimit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, mbi motivet e mirëfillta etike, synimet, nismëtarët dhe hartuesit e këtij dokumenti. Gjithashtu, Kisha katolike, e gatshme që të kontribuojë në diskutim me vërejtje objektive, kërkon të dëgjohet në nivelin e përshtatshëm institucional dhe bën thirrje që Kuvendi i Shqipërisë, por edhe Qeveria, të krijojnë sa më parë kushtet për një debat publik të vërtetë mbi një projekt-ligj që rrezikon të impaktojë në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet shoqërore, konceptet etike dhe antropologjike që janë në themel të bashkëjetesës sonë, të drejtën themelore të familjes, integritetin dhe dinjitetin e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.
Më shumë se çdo dokument legjislativ, që në kohë të ndryshme i është nënshtruar një debati të mirëfilltë publik, me pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të interesit, të mediave, të shoqërisë civile dhe të institucioneve fetare, projekt-ligji mbi të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues meriton të debatohet, të rrihet e të konfrontohet haptazi. Për sa kohë shmanget një proces i tillë i domosdoshëm dhe nismëtarët e hartuesit e tij nuk marrin përgjegjësinë që po aq haptazi të shfaqen dhe të marrin përsipër nismën e tyre, projekt-ligji në fjalë rrezikon të shndërrohet në një diktat dhe në një provokim, në shembullin e parodisë së “celebrimit të martesës” mes dy personave të së njëjtës gjini, që në shpërfillje dhe në shkelje flagrante të ligjeve të Republikës, e për skandalin e institucioneve të shtetit, gjeti pikërisht strehë nën to, ndërkohë që përgjegjësia e aktit të shëmtuar mbeti jetime.
Në këto kushte, Kisha katolike në Shqipëri u bën thirrje institucioneve dhe mbarë opinionit publik, që ta mbrojnë nga asgjësimi të drejtën themelore kushtetuese të një procesi ligjvënës të drejtë, objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës. Sakrifikimi i një procesi të tillë përmes kalimit forcërisht e në heshtje të një axhende të caktuar, do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej vendit.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH