Rripi i Gazës Rripi i Gazës

Bastisje në shkollën katolike të Gazës, me viktima civile

Pas sulmit të djeshëm izraelit kundër Shkollës së Familjes Shenjte, në Gaza, në një komunikatë për shtyp, Patriarkati Latin i Jerusalemit dënon me forcë vënien në shënjestër të civilëve dhe çdo veprim luftarak, që nuk i mban ata jashtë konfliktit

R.SH. - Vatikan

Patriarkati latin i Jerusalemit po ndjek, me shqetësim të madh, lajmet e bastisjeve të paradites së djeshme, 7 korrik, në Shkollën e Familjes Shenjte, në Gaza, siç duket, kryer nga ushtria izraelite. Pamjet dhe njoftimet e mediave vendase tregojnë për viktima civile dhe për shkatërrimin e kompleksit.

Pronë e Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, Shkolla e Familjes Shenjte ka qenë, që nga fillimi i luftës, vendstrehim për qindra civilë. Asnjë nga rregulltarët nuk banon në shkollë. Në një komunikatë për shtyp, Patriarkati Latin dënon me forcë vënien në shënjestër të civilëve dhe çdo veprim luftarak, që nuk i mban ata jashtë konfliktit.

“Vazhdojmë të lutemi për mëshirën e Zotit dhe shpresojmë që palët të arrijnë një marrëveshje, e cila do t'i jepte fund të menjëhershëm gjakderdhjes së tmerrshme dhe katastrofës humanitare në rajon”, përfundon komunikata.

Kujtojmë se shkolla e Familjes Shenjte u ndërtua në vitin 1974 dhe konsiderohet shkolla më e mirë në rajon. Ofron një nivel të lartë mësimdhënieje, shkëmbime kulturore me të gjitha fetë e pranishme në vend dhe u mëson katekizmin fëmijëve të krishterë, pasi është shkolla e famullisë së vetme të Gazës. Me të e me famullitarin, lidhet shpesh Papa Françesku për të marrë lajme mbi zhvillimin e konfliktit dhe mbi nevojat e banorëve të Rripit të Gazës.

08 korrik 2024, 10:35