Fjala e Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’
R. SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Fjala e Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’
Fjala e Zotit e kёsaj sё diele të 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, na kujton se përballë tragjedisë së popullit të lënë pas dore nga barinjtë dhe udhёheqёsit e tij, Jeremia profet (Leximi I) njofton pёr një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Zotit për t’u kujdesur nga afёr për grigjën e tij. Do t’i dhurojë popullit tё vet një bari të vërtetë, Jezusin, birin e Davidit, i cili ka dhembshuri pёr popullin e Zotit. Në pjesёn e Ungjillit tё Marku Jezusi paraqitej si bariu i deleve të humbura, i deleve pa bari, ndërmjet tyre, jemi edhe ne, qё kemi nevojë pёr Bariun e Vërtet, nё Udhëheqësin autentik.
Fjala e Zotin na fton për ta mundur indiferencën, përballë vëllezërve e motrave që vuajnë, në sa Krishti, nga Ungjilli i Markut i kёsaj sё diele tё 16-tё, flet plot dhembshuri “për turmat e lodhura e të sfilitura”. Duhet mposhtur indiferenca, në se nuk duam që shpirti ynë të thahet deri në atë masë, sa të mos jetë më i aftë as për një lot të vetëm, atje ku ka gjëmë, që lartohet deri te froni i Zotit.
Jezusi, duke parë turmat, pati mëshirë për ta, “sepse ishin të lodhura e të kapitura, si delet pa bari”, pohon Ungjilli i Markut. Mëshira e Jezusit nuk është thjesht ndjenjë, por mbi të gjitha, forcë, që jep jetë. Kjo dhembshuri është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë. Vetë termi biblik ‘dhembshuri’ të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt
Zoti na shikon gjithnjë me dhembshuri, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër. Jezusi na deshi shumë, jo me fjalë, por me vepra dhe me gjithë jetën e vet. Kisha na kujton shpesh herë këtë Dashuri e cila, siç përsëriste Shën Injaci i Lojolёs, shprehet më tepër me vepra, sesa me fjalë e që, sidomos, di më shumë të japë, sesa të marrë. Këto dy kritere, janë dy shtyllat e dashurisë së vërtetë. E është Bariu i Mirë, Jezusi, që e përfaqëson dashurinë e Hyjit. Ai i njeh delet e veta një për një. Dashuria nuk është abstrakte, as e përgjithshme: është dhembshuri për secilin.
Dhembshuri! Po, Zoti na do me dhembshuri. Zoti e di mirë shkencën e bukur të përkëdheljeve, këtë dashuri të Hyjit. Nuk na do me fjalë. Na afrohet e na e jep këtë dashuri butësisht. Afërsi e dhembshuri! Këto janë dy mënyrat e dashurisë së Zotit, që na vjen pranë e na e jep gjithë ngrohtësinë e tij me gjëra edhe të vogla: me dhembshuri. E kjo është dashuri e fortë, sepse afërsia e dhembshuria na bëjnë ta shikojmë forcën e dashurisë së Zotit.
Zoti na e jep me mëshirë e durim këtë jetё dhe kohë, që të mësohemi ta njohim çdo ditë në të varfërit e nё të vegjlit. Dhembshuri, do të thotë ta njohësh Krishtin në tjetrin, t’ia hapësh portat e zemrës e tё shtëpisë. Jezusi dëshiron gjithnjë t’i afrohemi, të mendojmë për Popullin e shenjtë të Hyjit, pёr popullin e thjeshtë, që dëshiron t’i afrohet Jezusit. E t’i lutemi Zotit që të gjithë ata, të cilët u afrohen portave tё zemrave tona dhe portave të Kishës, t’i gjejnë të hapura në dy kapakë, të hapura, për të hyrë e për të takuar dashurinë e Jezusit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Jer 23, 1-6
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
“Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! - është fjala e Zotit! Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë - është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do t’ia lartoi Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 23
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Po edhe në kalofsha
nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Leximi dytë Ef 2,13-18
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja! Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.
Aleluja!
Ungjilli Mk 6, 30-34
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
E DIELA XVI GJATË VITIT:UNË VETË DO T’U CAKTOJ BARINJ.
(Jer 23, 1-6; Ps 23 (22); Ef 2, 13-18; Mk 6, 30-34)
Termi që më shpesh sot përmendet nga Shkrimi Shenjt që sapo dëgjuam, është termi «bari». E kemi përsëritur edhe në refrenin e Psalmit: «Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.» Janë fjalët e Davidit, mbretit të famshëm të Izraelit, i cili në këtë mënyrë tregonte se e kishte vënë tërë jetën e vet në duart e dashura të Hyjit.
Termin «bari» Hyji e përdor për të na treguar se ai gjithnjë ka një dashuri të madhe për njeriun dhe se nuk e lë pas dore as atëherë kur njeriu e meriton të lihet dhe se nuk resht së kërkuari mëkatarët e larguar prej Tij.
Me këtë term jemi mjaft të familjarizuar në jetën e përditshme. Por nuk duhet të harrojmë se bariut i duhet medoemos të ketë një virtyt pa të cilin nuk mund të jetë i tillë: durimin. I duhet të jetë i durueshëm me “ritualet” e përditshme që kërkon përkujdesja ndaj grigjës. Shpesh i duhet të heqë dorë nga largimi qoftë edhe për një natë nga shtëpia. Për të mos folur pastaj për durimin që duhet të përdorë kur grigja nuk i bindet, kur secila prej bagëtive bën sipas kokës së vet. Po s’pati durim, nuk mund ta vazhdojë një veprimtari të tillë.
Kështu, edhe Hyji, me termin «bari», dëshiron të tregojë veprimtarinë e Tij të pandërprerë e të durueshme ndaj njeriut. Prandaj, pra, Davidi mbret ndihej i sigurt në duart e një Bariu të tillë. I mjaftonte kjo prani dashamire që të mund të thoshte: «Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.» E thoshte këtë edhe Shenjtja Terezë e Avilës: «Asgjë mos të të turbullojë, asgjë mos të të shqetësojë. Vetëm Hyji mjafton.»
Por leximi i parë sot fillon me një ankesë të Hyjit për disa barinj të pabesë, dembelë e egoistë. Ishin pikërisht ata të cilët Zoti vetë i kishte vënë në krye të grigjës, por që nuk po vepronin më si barinj të vërtetë. Përkundrazi, «e lënë grigjën të sharrojë dhe e shpërndajnë.»
Prandaj Hyji premton se Ai vetë do të kujdeset për këtë grigjë të veten dhe këtë do ta bëjë duke ngritur nga mesi i tyre një bari të mirë e besnik: «Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin. [...] Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do t’ia ngris Davidit pinjollin e drejtë. [...] Ja emri me të cilin do ta quajnë: “Zoti ynë, drejtësia jonë”.»
E ky premtim i Hyjit përmbushet në Jezusin. Ungjilli i sotëm na paraqet pikërisht këtë. Duke na përshkruar veprimtarinë e gjerë të Jezusit, Shën Marku na paraqet dashurinë e Jezusit për turmat e mëdha, për grigjën e Atit të Vet. Kur shikon gjithë atë turmë që i shkon pas, ungjilltari ndalet e, me fjalë prekëse, përshkruan ndjenjat e Jezusit përballë një skene të tillë: «Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit. Iu dhimbtën sepse ishin porsi “dhentë pa bari”, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.» Fillon, pra, të sillet si bari i vërtetë.
Por, para se ta tregojë «dhembshurinë» e Tij ndaj turmave, Jezusi tregohet bari i vërtet me apostujt e Tij. Ata, pasi ishin kthyer nga misioni ku Jezusi i kishte dërguar – siç kemi dëgjuar të dielën e kaluar – duhej të ishin të lodhur. Për këtë arsye Jezusi u thotë: «Ejani edhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi!»
Atë ditë nuk do t’ia dilnin të pushonin, sepse, sapo do të dalnin nga barka, do të gjendeshin përballë një turme të madhe që po i priste. Pushimin do t’u duhej ta linin për një ditë tjetër.
Por, gjithsesi kjo porosi që Jezusi u jep atyre (e krejt Kishës), janë të një rëndësie të madhe. Së pari, sepse kështu Jezusi tregon përkujdesjen e Tij ndaj nxënësve të lodhur dhe i respekton deri në fund nevojat që ka organizmi njerëzor. Së dyti, sepse nuk u thotë thjesht që të pushojnë nga veprimtaria e tyre, por i shtyn drejt një vendi të pabanuar, në vetmi, ku do të mund të rrijnë vetëm me Zotin.
Ka shumë raste në jetën tonë kur na jepet mundësia ta shpallim Ungjillin, shumë shpesh na jepet mundësia edhe që t’i mësojmë të tjerë të luten dhe, shpesh herë, na jepet mundësia që ta shprehim dashurinë tonë si të krishterë, por nuk duhet të harrojmë burimin e gjithë kësaj: Hyjin.
Prandaj është e nevojshme që, ndërkohë që shpallim Ungjillin, të mos harrojmë ta jetojmë atë. Duhet të përpiqemi medoemos të gjejmë në jetën tonë hapësira për Hyjin dhe vetëm për Të. Duhet të dijmë të shkëputemi në vetmi, sepse vetëm atje do ta dëgjojmë vërtetë atë që Hyji i thotë zemrës sonë. Një poezi indiane thotë: «Ulu në skajet e agimit; për ty do të ngrihet dielli! Ulu në skajet e natës; për ty do të xixëllojnë yjet! Ulu në skajet e heshtje; Hyji do të të flasë!» Në qetësinë e zemrës mund të takojmë Hyjin.
Por ne shpesh kemi një frike reale ndaj vetmisë e nuk dëshirojmë fort të mos përballemi me të. Nganjëherë i ikim vetmisë si t’i iknim një egërsire që po na sulmon. Por nuk duhet harruar se ne kemi nevojë për vetminë. Jo për izolimin nga gjithçka e gjithkush, por për ato çaste ku mund të jemi vetëm me Hyjin tonë, sepse jemi bërë për Të.
Jemi në familje apo në një shoqëri, por nuk jemi krijuar tërësisht as për familjen e as për shoqërinë. Jemi të krijuar vetëm për Hyjin: vetëm me Atë jemi në përngjasim. Prandaj duke kërkuar Hyjin, kërkojmë burimin e jetës sonë dhe të identitetit tonë. Duke kërkuar atë, gjejmë paqen. Për këtë arsye Shën Augustini, në shekullin V, shkruante: «Na ke krijuar për Ty, o Zot, e zemra jonë nuk gjen paqe deri sa nuk pushon në Ty». Nuk e kishte fjalën vetëm për pushimin e Parajsës, por edhe për pushimin në Hyjin qysh në këtë jetë.
Ja, pra, përkujdesja e Jezusit për apostujt: dëshiron t’i lidhë edhe më fort me Atin e Vet.
Por, e thamë, kjo dëshirë e Jezusit nuk u realizua atë ditë. Një turmë e madhe u kishte paraprirë në këmbë prej të gjitha qyteteve dhe kishte arritur para tyre aty ku ishin nisur. Është prekëse të mendosh stërlodhjen që këta njerëz kanë bërë për të takuar Jezusin.
E Jezusi, i prekur në shpirt nga kërkimi i tyre, «filloi t’u mësojë shumë gjëra». Jezusi po realizonte atë që kishte thënë Ai vetë: «Kërkoni e do të gjeni!» Ata e kishin kërkuar dhe tashmë e gjetën burimin e së vërtetës. Madje gjetën vetë të Vërtetën.
Do të jetë për një herë tjetër kërkimi i vetmisë për vete e për nxënësit e Tij, por tani Jezusit i duhet të shfrytëzojë rastin që Ati i ka vënë përpara në përkujdesje për grigjën.
Të shfrytëzosh rastet që të ofron Ati qiellor, është thirrja e secilit prej nesh. E raste të tilla mund të kemi shumë: në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në autobus, në dyqan, etj.. Shenja me të cilën mund të dallohen këto raste, është pikërisht etja që vërejmë tek tjetri, qoftë edhe nën formën e kureshtjes, sikurse Jezusi e vuri re etjen e turmës për fjalën e Tij. Kur Ati qiellor ta nxisë këtë etje tek të tjerët, i takon tani Kishës, Trupit të Krishtit, që t’i mësojë turmat.
Pastaj jo më kot Ungjilli thekson se veprimi i parë që bën Jezusi, nuk është shërimi i të sëmurëve, por «mësimi» i turmave. E, në fakt, bota ka nevojë për mësimin e së vërtetës. Ndiçimi i ndërgjegjeve është më urgjent se gjithçka tjetër. «Keni heshtur mjaft. Ka ardhur koha ta hapni gojën. Bërtisni në njëqind mijë gjuhë të ndryshme! Unë e shoh se, nga të qëndruarit në heshtje, bota është kalbur», shkruante e madhja Shenjtja Katerinë e Sienës në shekullin XIV.
E mësimi i Jezusit na shtyn kah jeta me Atin. Kështu, në Jezusin, Ati e përmbush atë premtimin që kishte bërë me kohë: «Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin.»
Shën Pali, në leximin e dytë, thotë edhe më shumë për Krishtin: «Ai është paqja jonë», sepse na bëri të gjithë një popull të vetëm – hebrenj e paganë – duke derdhur për ne gjakun e Tij, për të na afruar të gjithë pranë Atit: «Në saje të Tij, pra, si njëra palë, ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.»
T’i kërkojmë Hyjit, pra, Hirin që të mund të themi edhe ne së bashku me Davidin mbret: «Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon», sepse vetëm për këtë bari – për Jezusin – kemi nevojë. Asgjë pastaj nuk do të na mungojë, sepse e kuptojmë se asgjë nuk ka të krahasuar me të jetuarit si bijtë dhe bijat e Hyjit, siç na mëson Jezusi.
Dom Dritan Ndoci