Miratohet nga Vatikani kulti breshian për Marinë, Trëndafil Mistik
R.SH. – Vatikan
Dikasteri për Doktrinën e Fesë "nuk gjeti në mesazhet e përhapura nga Pierina Gilli elemente, që bien ndesh drejtpërdrejt me mësimet e Kishës Katolike mbi fenë dhe moralin". Kështu shkruhet në letrën e publikuar sot, nënshkruar nga prefekti Victor Manuel Fernandez, me miratimin me shkrim të Papës, dërguar ipeshkvit të Breshës, në Itali, imzot Pierantonio Tremolada. Është fjala për kultin e Zojës Trëndafil Mistik e për mesazhet që vegjentja Pierina Gilli ka marrë prej saj në vitin 1947 dhe në vitin1966. «Në faktet, që lidhen me këtë përvojë shpirtërore - lexojmë sërish në letër - nuk ka as aspekte morale negative e as çështje të tjera kritike.
Përkundrazi, gjenden aspekte të ndryshme pozitive, që bien në sy në të gjitha mesazhet e të tjera, që meritojnë sqarime, për të shmangur keqkuptimet”. Me këtë letër, Dikasteri miraton kultin shpirtëror për të ashtuquajturën “Zoja e Fontanelle”, në bazë të Normave të reja për fenomenet, që mendohet të jenë të mbinatyrshme, publikuar më 17 maj, sipas të cilave qëllimi kryesor i shoshitjes nuk është më të përcaktohet natyra e mundshme mbinatyrore e fenomenit, por të vlerësohet, nga pikëpamja doktrinore dhe baritore, çfarë ka sjellë përhapja e tij.
Historia e dukjeve
Dukjet e Zojës Trëndafil Mistik dhe "Nëna e Kishës" lidhen me lokalitetin Fontanelle, në jug të Montichiari, në provincën e Breshës, në Itali. Vegjentja Pierina Gilli është lindur në një familje fshatare, e cila ka punuar në famulli e infermiere në një spital, duke bërë një jetë shumë të thjeshtë deri në vdekjen e saj, në vitin 1991, në moshën 80-vjeçare. Fenomenet mistike në të cilat është protagoniste mbulojnë dy periudha kohore: e para daton në vitin 1947, kur Shën Maria iu duk Pierinës, duke u paraqitur me titujt "Trëndafil mistik" dhe "Nëna e Kishës".
Në fustanin e bardhë të Marisë, Gilli thotë se pa edhe tre trëndafila - një i bardhë, një i kuq dhe një i verdhë - simbol i lutjes, pendesës dhe vuajtjes. Cikli i dytë i dukjeve ndodh në vitin 1966 në Fontanelle. Këtu, më 13 maj, datë kuptimplote mariane, Zoja e Bekuar i tregon Pierinës një burim për t’u përdorur si vend purifikimi dhe hiri. Që në vitin 1966 filloi të ndërtohej një shenjtërore, e strukturuar jo si kishë, por si amfiteatër i hapur. Nga njëra anë, gjendet një kapelë për kremtimin eukaristik, nga ana tjetër, një kapelë e dytë, më e vogël, për të mbrojtur burimin e treguar gjatë dukjes së Zojës.