Kërko

2024.07.07 Visita Pastorale a Trieste - Santa Messa 2024.07.07 Visita Pastorale a Trieste - Santa Messa

Imzot Trevisi: nga Papa, hov drejt pjesëmarrjes dhe shpresës

“Nuk jemi të dënuar me luftë: Trieste mund ta dëshmojë këtë”- kujton ipeshkvi i kryeqytetit julian, ku Papa përfundoi Javën Sociale të Katolikëve në Itali e, më pas, kremtoi edhe Meshën. Në intervistën me imzot Enrico Trevisin nënvizohen disa fjalë të shqiptuara nga Françesku, që e angazhojnë dioqezën e tij dhe mbarë Kishën në Itali të jenë "profetë dhe dëshmitarë të Mbretërisë së Zotit" duke kapërcyer "shkandullin e natyrës njerëzore të Jezusit".

R.SH. / Vatikan

Përfundoi dje, në Trieste, Itali, vizita baritore e Papës Françesku me rastin e Javës Sociale të Katolikëve në Itali, në edicionin e saj të 50-të me temë: “Në zemër të demokracisë. Pjesëmarrja ndërmjet historisë dhe së ardhmes”. Dy, çastet kryesore: fjalimi në Qendrën e Kuvendimeve të Përgjithshme,  para mbi një mijë delegatëve ardhur nga mbarë Italia - dhe kremtimi i Meshës në Piazza Unità. Vizitë shumë domethënëse, që angazhon Kishën e Triestes dhe të gjithë Kishën në Itali për të ushqyer "ëndrën e një qytetërimi të ri, bazuar në paqen dhe vëllazërinë". Ipeshkvi i Triestes, Imzot Enrico Trevisi nënvizon, për mediat e Vatikanit, disa fjalë të thëna nga Françesku dhe ndalohet tek vlerësimi fillestar i Javës Sociale duke theksuar perspektivat e hapura për të ardhmen.

Të ndjekim intervistën me Imzot Enrico Trevisit:

 Imzot Trevisi, do të nisem nga fjala e fundit që tha Papa në predikim: "Kësaj Kishe të Triestes dua t'i them përpara, vazhdo të angazhohesh në vijën e parë për të përhapur Ungjillin e shpresës". Më duket impenjim i mirë, detyrë e mirë tani për të ardhmen...

Natyrisht, është inkurajim, por edhe detyrë, për të cilën duhet të marrim përgjegjësinë që të mos jemi të ngadaltë në ripërpunimin e mënyrës sesi të vazhdojmë, si të ecim përpara në shumë sfida, edhe në këtë qytet. Sigurisht që jemi në rrugën ballkanike, por doja të përmendja edhe të sëmurët me patologji të rënda. E të kujtoja se jemi qytet ku ndonjëherë ekziston edhe dëshpërimi, që shkakton sëmundje, madje edhe kërkesa për vetëvrasje të asistuar. Gjithsesi, me gjithë respektin për këta njerëz, kjo të kujton edhe për nevojën e madhe për afërsi dhe ne duhet ta përballojmë këtë sfidë. Ndaj të sëmurëve, ndaj të moshuarve, shumë të moshuarve. Pastaj sigurisht që janë edhe sfidat që na bëjnë të shohim pozitiven, për shembull,  qëndrimin pranë familjeve të reja, pranë emigrantëve: Papa nënvizoi se duhet t'i thërrasim me emër dhe e përsëriti, ndërsa e shoqëroja drejt helikopterit. Thirrja me emër është dukshëm simbolike. Thirrja me emër do të thotë njohje e veçorisë së çdo njeriu me historinë e tij, me plagët, por edhe me shpresat, me dëshirën për shpengim. Në të vërtetë, në fjalimin që mbajti për të gjithë delegatët në Qendrën e Kongresit, pritur me duartrokitje, kujtoi edhe se ndërhyrja e politikës së mirë nuk mund të jetë vetëm ajo e mirëqenies, sepse kjo i mban njerëzit në një gjendje minoriteti. E pati duartrokitje të forta, të cilat tregojnë se si duhet të jetë përkushtimi që të gjithë të ndjehen të njohur si njerëz e,  prej këndej, edhe me shpresat e tyre. Për ne që kemi shpresën e Ungjillit është shoqërues në integritet. Unë gjithmonë citoj Papën Françesku në Evangelii Gaudium, ku thotë se të varfërit ndonjëherë janë edhe më të diskriminuarit në shoqërimin shpirtëror. E atëherë është e nevojshme të marrësh përgjegjësinë për tërësinë e shëlbimit dhe të shpresës së njerëzve, që kanë edhe shpirt, domethënë, edhe nevojë për kuptimin, për dashurinë e pafund, që projekton në përjetësinë dhe për këtë arsye, shoqërinë e Zotit.

Fjalimi në Qendrën e Kongresit dhe më pas edhe predikimi ishin vërtet shumë prekës. Dëshironi të nënvizoni diçka tjetër në lidhje me temën e Javës Sociale: për demokracinë, pjesëmarrjen?

Po, Papa, si në fjalim, ashtu edhe në predikim, kujtoi se në individualizmin dhe konsumizmin, që na paralizon, duhet kërkuar paaftësia e atyre marrëdhënieve pozitive, të cilat na bëjnë njerëz, na shpengojnë, na nxjerrin nga këto kafaze pseudokulturore, që në një farë mënyre, i kushtëzojnë të gjithë. Dhe e ndjeva këtë shtytje të madhe për t'u bërë promotorë të asaj pjesëmarrjeje. Më pas, se ne kemi si busull, nga njëra anë si qytetarë Kushtetutën, nga ana tjetër Ungjillin dhe doktrinën shoqërore të Kishës, për të cilën kemi orientime, kemi trashëgimi reflektimi, që megjithatë nuk mund të mbetet. diçka teorike, por duhet të mishërohet. E duhet të kujtojmë, ndërkaq, se ne besojmë në një Zot që u bë njeri, siç tha Papa, besojmë në të vërtetën, që hyn në të veçantën, historiken, qoftë edhe me aspektet e pjesshme që përfshin. Është absolut i Zotit dhe i dashurisë së tij që jepet në trupin e brishtë të një fëmije si dhe në kryqëzim. Mendoj se këto ide na bëjnë të kuptojmë përkushtimin që u është besuar të gjitha bashkësive, të gjithë atyre që kthehen në shtëpi për të mbjellë këtë pjesëmarrje. Papa  kujtoi edhe jubilarin e radhës “Shtegtarët e Shpresës”, por për ta arritur këtë nuk duhet të presim deri në vitin 2025. Të fillojmë që tani!

Ju keni ndjekur të gjithë punën e Javës Sociale Katolike në Itali. Mund të na e përmblidhni shkurtimisht?

Më duhet të them se si pjesë e parë në qendrën e konferencave shkoi shumë mirë, me biseda të thella dhe njëkohësisht, me punë në grup që i përfshiu vërtet të gjithë dhe i bëri të merrnin pjesë. Të gjithë u thirrën për të folur. Dhe gjëja e re ishte pasditeve në sheshet e demokracisë me pjesëmarrjen e gjithë qytetit! Trieste është tokë kufitare … ne jemi në periferi, por Papa kujtoi edhe se jemi në një port dhe se e dimë që portet kanë autostrada, që janë detet. Prandaj Trieste është qytet kozmopolit e, nga ana tjetër,  periferi – domethënë, edhe profeci. E tha edhe Papa… Mendoj se jemi thirrur për të qenë laborator dhe profeci edhe për vëllezërit në vendet e Ballkanit, të cilët ndonjëherë janë ende në tension, si për shembull në Ukrainë. Trieste dhe zona e Istrias ishin në një farë mënyre të lidhura me atë që po kalon aktualisht Ukraina, me vuajtje dhe vështirësi të ndryshme. Duhet shumë kohë, por ne nuk jemi të dënuar me luftë dhe Trieste mund ta dëshmojë këtë. Trieste me Slloveninë e me Kroacinë: sot jemi kombe të ndryshme, por jetojmë një klimë pjesëmarrjeje edhe falë Bashkimit Evropian: me të gjitha problemet ende të hapura, jetojmë impulsin për të njohur dinjitetin e njëri-tjetrit dhe për të ecur së bashku.

08 korrik 2024, 11:34