Kërko

Nuk duhet harruar prania e Kishës në Kinë, përkundrazi…

Në Xi'an, akademikët dhe studiuesit po e përqendrojnë përsëri vëmendjen tek historia e Kishës së lashtë të Lindjes në trojet kineze

R.SH. / Vatikan

Pagoda Daqin, edhe pse e rrënuar dhe e papërdorshme, spikat ende mes maleve të qarkut Zhouzhi, disa dhjetëra kilometra larg Xi'an-it.  Ajo faltore - sipas një numri në rritje të studiuesve dhe akademikëve kinezë - përpara se të blihej dhe të përdorej nga budistët, ishte kishë: kisha më e vjetër e pranishme tani në Republikën Popullore aktuale të Kinës. U ndërtua sipas parimeve arkitekturore vendase, nga të krishterët e parë që mbërritën në Perandorinë Kineze përgjatë rrugës së lashtë të Mëndafshit: murgjit e Kishës së lashtë Siriane të Lindjes, të cilët u vendosën në Kinë në antikitetin e vonë e, pranë kishës-pagodë, ndërtuan edhe kuvendin e tyre.

Pikërisht në zonën që përfshihet aktualisht në dioqezën e Zhouzhit u gjet, në vitin 1625, "Stela nestoriane", sot e ruajtur në Muzeun e Pyjeve të Steleve, në Xi'an: ishte relikja/dëshmi arkeologjike, që flet qartë për mbërritjen e kultit të parë të krishterë në Kinë përmes punës së murgjërve misionarë të Kishës Lindore. Aty, që në vitin 635 pas Krishtit.

Një kopje e Stelës u vendos pikërisht pranë "Pagodës së krishterë" të Daquin. E të prek thellë fakti që vitet e fundit në këto vise lulëzuan qindra thirrje priftërinjsh dhe murgeshash katolike! Kryesisht në qytetet dhe fshatrat malore të dioqezës së Zhouzhit, vende të lidhura me arritjen dhe me fillimet e krishterimit në Kinë.

Stele, e ndërtuar në vitin 781, përfaqëson (siç thuhet në titullin e saj - "Memorialin e Përhapjes së Fesë Shkëlqyese Da Qin, në Kinë". Në kinezisht, termi Da Qin fillimisht tregonte vetëm Perandorinë Romake. Më pas shprehja nisi të përdoret pikërisht për bashkësitë e Kishës Siriane, të  vendosur përgjithmonë në Kinë.

Nuk duhet harruar prania e Kishës në Kinë, përkundrazi…

Më se një mijë vjet më vonë, studiues dhe akademikë nga Kina kontinentale i kanë në qendër të vëmendjes këto fillime të historisë së krishterë në Kinë, që shpesh harrohen, hiqen ose nuk dihen në akademitë perëndimore. Kjo u vërejt në Forumin Ndërkombëtar Xi'an Jingjiao 2024, konferencë ndërkombëtare e vitit 2024 mbi Kishën Siriane të Lindjes (Jingjiao në kinezisht) mbajtur nga 5 deri më 7 korrik në hotelin Shaanxi Hotel të Xi’an.

17 korrik 2024, 15:03