Kisha Mar Addai në Karamles, afër Mosulit, 2 shkurt 2021, emërtuar sipas ungjilltarit të Mesopotamisë të shekullit të I-rë, Mar Addai Kisha Mar Addai në Karamles, afër Mosulit, 2 shkurt 2021, emërtuar sipas ungjilltarit të Mesopotamisë të shekullit të I-rë, Mar Addai

Shpresat e mëdha të pllajës së lashtë të Ninives, shkatërruar nga Isis

Dhjetë vjet pas shkatërrimit të Isis-it në rajonin historik të Mesopotamisë së Epërme, kryeipeshkvi kaldeas i Mosulit dëshmon për rikthimin e ndrojtur të besimit në vetvete ndërmjet banorëve të pllajës së Ninives. Pavarësisht se ideologjia fundamentaliste islamike ka lënë shenjë në disa mendje, ka ardhur koha për rimëkëmbjen ekonomike, që të kthehen familjet e ikura, për shkak të Al-Kaedës

R.SH. – Vatikan

Në qershor 2014, Mosuli dhe Pllaja e Ninives, në Irakun verior, u pushtuan nga Shtetit Islamik Isis apo Daesh, i cili mbolli vdekje dhe shkatërrim. Një e katërta e popullsisë, kryesisht të krishterë dhe jazidë, u larguan nga vendi. Ngjarjet e lidhura me atë kohë mbeten gjithnjë një kujtim i dhimbshëm, pavarësisht se zona u çlirua tri vjet më vonë. Edhe sot, libri i eksodit nuk është mbyllur ende për banorët e rajonit. Megjithatë, pavarësisht nga frika, dikush kthehet në tokat stërgjyshore e dalëngadalë fillon kundëreksodi. Me rivendosjen e rendit dhe të sigurisë në rrugët e Mosulit, banorët marrin frymë më lirisht. Kryeipeshkvi kaldeas i qytetit, i cili mirëpriti një Papë për herë të parë në histori, në mars 2021, kur në vend shkoi Ati i Shenjtë Françesku, dëshmon për rilindjen e shpresave në këtë qytet të Mesopotamisë, emblemë historike e paqes dhe e bashkëjetesës, në udhëkryqin e kulturave dhe të feve.

Për Radio Vatikanin / Vatican News, imzot Michaeel Najeeb, komenton cilat janë plagët dhe problemet ende të hapura pas betejës së Mosulit të dhjetë viteve më parë…

Që nga çlirimi i Pllajës së Ninives nga kthetrat e xhihadistëve, kemi një kthim të ndrojtur të familjeve të krishtera në Mosul, por për Pllajën e Ninives, kjo ka domethënie të madhe. Kjo fatkeqësi goditi të gjithë banorët, jo vetëm të krishterët. Edhe ata, që mbetën në Mosul gjatë periudhës së Isisit, paguan një haraç të rëndë. Sot po ndodh një ndryshim i vërtetë. Me çlirimin, njerëzit filluan të merrnin frymë pak më shumë dhe infrastruktura e qytetit të Mosulit dhe e Pllajës së Ninives u rimëkëmb, ashtu si edhe rregulli në rrugë dhe, sidomos, siguria. Njerëzit mund të dalin në mesnatë, në orën dy ose tre të mëngjesit, pa problem. Nuk ka kriminalitet të madh. Ka probleme të vogla rreth Mosulit në përgjithësi, por mbeten të vogla. Mungesa e punës është më e dukshme. Me papunësi, pa të ardhura, shumë njerëz i drejtohen dhunës.

Cilat janë arsyet, që i pengojnë familjet të kthehen?

Ka shumë pengesa, por mbi të gjitha është çështje financiare. Njerëzit kanë humbur pothuajse gjithçka. Ata mbetën pa asgjë kur u detyruan të largoheshin nga Mosuli dhe nga Pllaja e Ninives. Gjithçka kishin u grabit. Prandaj, duhet të fillojnë nga e para. Në fakt, me gjithë përparimet në fushën e sigurisë dhe të infrastrukturës, njerëzit mbeten të shqetësuar dhe hezitojnë. Ata i shprehin pasiguritë e tyre edhe me mua: "Zotëri, nuk mund të kthehemi në Mosul pa garanci". Por, askush nuk mund t'u japë garanci. As Kisha, e cila gjithashtu humbi gjithçka. Familjet nuk mund të investojnë sërish në një shoqëri pa mbështetje, veçanërisht nga qeveria. Kjo e fundit sapo ka filluar të restaurojë disa kisha, pak shtëpi, por është ende shumë pak. Ne u kemi kërkuar ndihmë që në fillim, që nga çlirimi i Pllajës së Ninves, ojq-ve franceze si L'Œuvre d'Orient, atyre evropiane apo amerikane si USAID, për të mbështetur si popullsinë, ashtu edhe ndërtimin e shtëpive, për të ndihmuar me punimet. Përveç çështjes financiare, pengesa tjetër është mungesa e besimit në të ardhmen. Njerëzit na kujtojnë se herën e parë, arritën të arratisen me fëmijët dhe me duar bosh, por kush do t'u garantojë që këtë herë të mos i humbasin fëmijët e tyre?

Çfarë gjallërie shpirtërore dhe baritore vërehet nga rrënojat e kësaj shoqërie?

Pema nuk mund të shpëtohet pa rrënjët e saj. Rrënjët i japin jetë. Në një nga fshatrat tanë kaldeas, të famshëm për vreshtat, rreth tridhjetë kilometra larg Mosulit, në fund të vitit 2016, nuk kishte më jetë. Të gjitha plantacionet dhe shtëpitë u dogjën. Një fushë rrënojash, pa zogj, bletë, asnjë faunë dhe florë. Gjithçka ishte e vdekur. Sot fshati është rinovuar, ka pemë, vreshta, shtëpi dhe dyqane. Jeta rifillon. Kam vënë re se feja, tek fëmijët, të rriturit dhe adoleshentët, bëhet gjithnjë e më e fortë. Veprimtaritë baritore u shtuan jashtëzakonisht falë ojq-ve, të cilat mbështetën jetën shpirtërore dhe baritore. Ka katër vjet që kemi shenja shprese. Së bashku kremtojmë edhe festat myslimane. Nuk mendojmë më me etiketa e kategori si më parë, në epokën e Al-Kaedës: “Ai është i krishterë, ai është mysliman, ai është jazid”. Të gjithë jetojnë si vëllezër, me respekt të ndërsjellë. Në katër vitet, që jam në Mosul, kurrë nuk kam dëgjuar për ndonjë lëndim të shkaktuar nga myslimanët tanë. Përkundrazi, edhe në xhami, të premteve, kur predikojnë, fjalët që na lëndojnë apo poshtërojnë si “të pafetë”, “politeistët”, “njerëzit që nuk respektojnë ligjin”, “të krishterët shkojnë të gjithë në ferr” nuk janë përdorur më. Ata, që dëmtojnë të krishterët, dënohen me ligj. Edhe shtëpitë e banuara nga njerëz të Isisit dhe nga përkrahësit e tyre "u çliruan" nga qeveria. Besimi në vetvete po rilind gradualisht. Në fund të fundit, trashëgimia dhe arti na bashkojnë. Të rinjtë kanë rol të madh për këtë. Ata mbjellin pemë, vullnetarët pastrojnë rrugët. Jo çdo gjë shkon mirë, natyrisht. Ideologjia e dëmshme e Isist dhe e Al-Kaedës mbetet akoma në mendjen e disave, por kjo, gradualisht, po kurohet.

18 korrik 2024, 11:29