Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së XIV 'B': Jezusin e përbuzin në vendin e vet
R.SH. - Vatikan
Në Ungjillin sipas Markut, në të dielën XIV të vitit kishtar, ciklit të dytë, Jezu Krishti ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Zgjon interes e habi ndërmjet njerëzve, por shpejt, ata fillojnë të dyshojnë për mësimet e tij. Nga i vinte kjo lloj doktrine, të birit të zdrukthtarit? E kështu, e shndërrojnë në shkandull veprën e Birit të Zotit, vetëm e vetëm për të mos u shkundur nga apatia e zakonshme, nga amullia dhe rutina e përditshme. Natyrisht, fjala e Jezu Krishtit i nxiste të ndryshonin përtej arsyes së tyre “të mirë”. Por të ndjekim fragmentin nga Ungjilli i shën Markut (Mk 6, 1-6):
Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet”. Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre.
Të lutemi së bashku
Nëse do të shkoje në shkollën
e ndonjë rabini të shquar të Jeruzalemit
nuk do të ishin mrekulluar me urtinë tënde.
Por Ti, o Krisht, ishe si ata, bir i zdrukthëtarit,
e kishe shkuar edhe ti, në shkollën e varfër të fshatit.
Nga të vinte gjithë kjo dije?
Nëse do të ishe pjesë
e ndonjë familjeje meshtarake,
e atyre, që ruanin Tempullin,
ndoshta, do të dëgjonin
me frikë e përkushtim çdo gjë që thoje për Zotin
e për kultin e vërtetë.
Por Ti, o Krisht, ishe si ata, laik,
e bashkë me ta i kishe mësuar
ritet dhe lutjet e popullit tënd.
Si mund t’u flisje për Zotin me kaq siguri?
Nëse do të ishe lindur në ndonjë pallat fisnikësh, prej fisi mbretëror,
nëse do të kishe para dhe pushtet,
do t’i jepnin tjetër peshë fjalëve dhe gjesteve të tua,
planeve dhe ëndrrave të tua.
Por Ti, o Krisht, nuk kishe as para, as ushtarë,
mblidheshe me njerëzit më të varfër,
jetoje si ata,
haje dhe flije në shtëpitë e tyre.
Si mund të besonin kur u kumtoje Mbretërinë e Hyjit?
O Zot Jezu Krisht, ishe tepër afër,
vuaje si ata urinë dhe etjen,
lodhjen dhe vështirësitë,
e si mund të besonin?
Po a s’doje edhe Ti kështu?
A s’ishte kjo rruga e zgjedhur nga Ati yt Qiellor
për t’i dërguar dashurinë e Tij gjithë botës?
O Zot, më ndihmo ta njoh praninë Tënde
këtu, afër meje, në fytyrat e atyre që,
bëjnë bashkë me mua këtë copë udhë në histori.