Pasojat e luftës Pasojat e luftës  (AFP or licensors)

Toka Shenjte, Komisioni Drejtësi e Paqe: lufta e Gazës nuk është "e drejtë"

Alarmi i të krishterëve në një dokument për të kundërshtuar dhe për të sqaruar përdorimin e pahijshëm të një shprehjeje të përdorur në doktrinën katolike: "Ajo po përdoret gjithnjë e më shumë si armë për të justifikuar dhunën e vazhdueshme në Rrip".

R. SH. - Vatikan

"Si katolikë të Tokës Shenjte, që si Papa Françesku dëshirojnë një botë paqësore, indinjohemi kur dëgjojmë se aktorët politikë në Izrael dhe jashtë tij po përdorin teorinë e "luftës së drejtë" për të përjetësuar dhe për legjitimuar luftën  që vijon në Gaza". Është ky alarmi i Komisionit të Tokës Shenjte për Drejtësi dhe Paqe, shprehur në një dokument të ribotuar nga Agjencia Fides, për t’iu kundërvënë përdorimit të pahijshëm të një shprehjeje - asaj të "luftës së drejtë" - të përdorur në doktrinën katolike, e cila tani , “duke shkaktuar alarm tek ne të krishterët, po përdoret gjithnjë e më shumë si armë për të justifikuar dhunën, që po ndodh në Gaza”.

Doktrina katolike

Dokumenti i Komisionit të Tokës së Shenjtë për Drejtësi dhe Paqe propozon kushtet themelore, që na lejojnë të përcaktojmë luftën "e drejtë" nga pikëpamja e doktrinës katolike, kushte që i lexojmë edhe në paragrafin 2309 të Katekizmit të Kishës Katolike. Sipas doktrinës katolike, përdorimi i armëve është legjitim vetëm në përgjigje të një agresioni, që shkakton dëme dhe padrejtësi serioze e të qëndrueshme, e sidomos, kur të gjitha mënyrat e tjera për të parandaluar dëmin dhe për t'i dhënë fund atij rezultuan të pazbatueshme dhe të pasukseshme; reagimi i armatosur duhet të ketë gjithashtu një perspektivë të arsyeshme suksesi dhe nuk duhet të shkaktojë shkatërrim e vuajtje për njerëzit e pafajshëm, gjë që është më e madhe se e keqja, që duhet zhdukur.

Armëpushimi i menjëhershëm dhe lirimi i pengjeve

Pas “sulmeve të tmerrshme të 7 tetorit kundër objekteve ushtarake, zonave të banuara dhe një festivali muzikor në Izraelin jugor nga Hamasi dhe militantët e tjerë si dhe luftës katastrofike dhënë si përgjigje nga Izraeli – lexojmë në dokumentin e Drejtësisë dhe Paqes të datës 30 qershor – “Udhëheqësit e lartë katolikë, duke nisur nga Papa Françesku, kërkojnë vazhdimisht armëpushimin e menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve. Teologët moralë katolikë në mbarë botën nënvizojnë se as sulmet e Hamasit të 7 tetorit dhe as reagimi me luftë shkatërruese nga  Izraeli, nuk i plotësojnë kriteret e një ‘lufte të drejtë’ sipas doktrinës katolike".

Përdorimi proporcional i forcës

Siç është vënë re tashmë, në shpërthimin e ri të dhunës në Tokën Shenjte, «mungesa e objektivave të deklaruara të Izraelit e bën të pamundur matjen e 'perspektivave serioze për sukses'. Mbi të gjitha, luftërat e drejta duhet të bëjnë dallimin e qartë ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve, parim që në këtë luftë është injoruar nga të dyja palët, me rezultate tragjike. Luftërat e drejta duhet të kenë parasysh edhe përdorimin proporcional të forcës, gjë që nuk mund të thuhet lehtësisht për një luftë në të cilën numri i të vdekurve palestinezë është dhjetëra-mijëra vetë më i lartë se ai i Izraelit, ndërsa shumica e viktimave palestineze janë gra e fëmijë".

Luftërat "e drejta" mund të ekzistojnë vetëm në raste të rralla

Zbatimi i dyshimtë i teorisë së "luftës së drejtë" në konfliktet moderne - kujton dokumenti i Drejtësisë dhe Paqes i Tokës së Shenjtë, i rikujtuar nga Fides - "çoi në besimin se luftërat ‘e drejta’ mund të ekzistojnë vetëm në raste shumë të rralla. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rrethanat e zhvillimit të industrisë bashkëkohore të armëve, të aftë për të shkaktuar vdekje dhe shkatërrim në një shkallë të panjohur”.

Teksti citon edhe fjalët e kujtimet e vazhdueshme të Papës Françesku, i cili  më 11 tetor 2023, katër ditë pas sulmeve palestineze në Izraelin jugor,  rikujtoi të drejtën izraelite për vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit, duke shtuar shqetësimin "për rrethimin e plotë nën të cilin jetojnë palestinezët në Gaza, ku ka pasur edhe shumë viktima të pafajshme".

Proporcionaliteti

Ka nga ata që pretendojnë - këmbëngul Dokumenti i Drejtësisë dhe Paqes në Tokën Shenjte - "se lufta ndjek rregullat e ‘proporcionalitetit’, duke argumentuar se një luftë që vazhdon deri në fund, mund të shpëtojë jetët e izraelitëve në të ardhmen, duke vënë në anën tjetër të peshores mijëra jetë palestineze të humbura në të tashmen. Në këtë mënyrë, parapëlqehet siguria  njerëzve të hamendësuar në të ardhmen, në krahasim  me jetën e qenieve njerëzore të gjalla, që marrin frymë e që vriten çdo ditë. Me pak fjalë, manipulimi i gjuhës nga teoria e luftës nuk ka të bëjë vetëm me fjalët: ka  edhe rezultate të prekshme e fatale”.

Dëshmi dashurie, dialogu, pajtimi

“Pavarësisht se jemi një bashkësi e vogël në Tokën Shenjte - nënvizon Dokumenti i Komisionit të Drejtësisë dhe Paqes – ne, si katolikë, jemi pjesë përbërëse e identitetit të kësaj toke. Duam të sqarojmë se ne dhe tradita jonë teologjike nuk duhet të përdoret për të justifikuar këtë dhunë. Dëshmia që japim nuk është e luftës, por e dashurisë transformuese, e lirisë dhe e barazisë, e drejtësisë dhe e paqes, e dialogut dhe e pajtimit”.

03 korrik 2024, 11:30